Mësues i arsimit fillor
Korca
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Mësues i arsimit fillor

Aktualiteti

Paga Minimale: 45.733 Lekë
Kërkesa e tregut: E Mesme
Prurjet vjetore: Të Mesme

Mundësitë e punësimit

50%

Për të qenë mësues i ciklit fillor ju nevojitet pasion, dëshirë dhe angazhim i jashtëzakonshëm  për të frymëzuar mendjet e reja dhe për t’u siguruar që çdo fëmijë të arrijë të njohë potencialin e tij. 

Si mësues i arsimit fillor do ju duhet që të kujdeseni për zhvillimin e planit tuaj të mësimit në përputhje kjo edhe me objektivat e kurikulave të vendosura nga institucioni arsimor.  Me anë të planit mësimor ju keni për detyrë që të lehtësoni procesin e të mësuarit për nxënësit duke u përpjekur që të krijoni marrëdhënie të ndërsjella respekti me ta, në mënyrë që këta të fundit të ndihen të pranuar dhe të vlerësuar në mjedisin e klasës. 

Roli kryesor i një mësuesi është të nxisë dhe zhvillojë aftësitë e duhura sociale të fëmijës, për t’i mundësuar atij avancim optimal sipas moshës, pjekurisë dhe aftësive që ka. 

Gjithashtu duhet të mbani shënim dhe vlerësoni progresin e nxënësve duke iu realizuar atyre teste të vazhdueshme parapërgatitore. Pra detyra juaj si profesionist i arsimit fillor është që të përmirësoni njohuritë e nxënësve dhe të zhvilloni mënyra të reja për inkurajimin e tyre. 

  • Mësues të shkollave 9-vjeçare 
  • Mësues të arsimit fillor 
  • Mësues të arsimit parashkollor

Për të qenë një profesionist i mirë do t’ju duhet:

  • Komunikim i shkëlqyer;
  • Aftësi të mira organizative dhe menaxhuese të kohës;
  • Energji, entuziazëm, qëndrueshmëri, durim, përkushtim dhe vetë-disiplinë;
  • Iniciativë, udhëheqje dhe aftësi mbikëqyrëse;
  • Imagjinatë, kreativitet dhe ndjenjë humori;
  • Gjykimi i mirë dhe mendje analitike;

 Është e dobishme të keni aftësi shtesë në fusha të tilla si:

  • Art;
  • Komunitetit dhe gjuhë moderne;
  • Dramë;
  • IT;
  • Muzikë;
  • Sport. 

Mësuesit e arsimit të detyruar kryejnë një pjesë ose tërësinë e funksioneve të mëposhtme, sipas mënyrës së organizimit të punës:

  • Kryejnë përgatitjen e përditshme dhe planifikimin afatgjatë mësimor në përputhje me udhëzimet kurikulare;
  • Udhëzojnë nxënësit në mënyrë individuale dhe në grupe, duke përdorur metoda dhe materiale të ndryshme mësimore (p.sh. kompjuter, libra, lojëra), duke iu përshtatur nevojave dhe moshës së nxënësve;
  • Planifikojnë dhe organizojnë aktivitete individuale dhe në grupe për të lehtësuar zhvillimin, aftësitë motorike, aftësitë bashkëpunuese dhe sociale, besimin dhe të kuptuarin e nxënësve;
  • Nxisin zhvillimin e gjuhës me anë të tregimit/thënies së historive, luajtjes së roleve, këngëve, vjershave dhe bisedave, duke iu ofruar mundësi nxënësve për shprehje krijuese përmes aktiviteteve të artit dhe muzikës;
  • Ruajnë disiplinën, duke vendosur dhe zbatuar rregulla për sjelljen dhe ruajtjen e qetësisë gjatë zhvillimit të orës së mësimit;
  • Përcaktojnë dhe përzgjedhin metodat e mësimdhënies në përputhje me përmbajtjen e lëndës apo moshës  së nxënësve;
  • Përshtatin metodat e mësimdhënies me materialet mësimore për të përmbushur nevojat dhe interesat e ndryshme të nxënësve;
  • Vëzhgojnë dhe vlerësojnë punën dhe sjelljen e nxënësve për të përcaktuar progresin apo për të bërë sugjerime për përmirësimin e tyre;
  • Planifikojnë dhe drejtojnë aktivitete të organizuar me nxënësit si: aktivitete sportive, koncerte dhe ekskursione;
  • Përgatitin raporte dhe mbajnë shënime të tilla si: notat e nxënësve, ndjekjen e programit mësimor dhe detaje të aktiviteteve mësimore;
  • Zbatojnë kodin e etikës;
  •  Zbatojnë rregullat e mbrojtjes së mjedisit. 

Për t’u bërë një mësues i mirë i arsimit fillor do t’ju duhet që të fitoni statusin e mësuesit dhe për ta fituar atë do ju duhet që të përfundoni programin e studimit “Mësuesi për arsimin fillor”. Mund të ndodhë që të kualifikoheni si profesionist në këtë fushë edhe nëse keni një diplomë me kohë të plotë në lëndë që kanë të bëjnë me arsimin fillor. 

Një mundësi tjetër shumë e mirë që mund t’ju ndihmojë të rriteni profesionalisht është edhe vetëfinancimi, pra ju mund të hapni një institucion tuajin dhe të arrini shumë me të, sigurisht pasi të keni fituar përvojën e duhur. Mos harroni, gjithçka duhet të plotësojë standardet e mësimdhënies. 

  • Mësuesit e arsimit fillor kanë klasën e tyre për të cilën kujdesen, por nuk mungojnë edhe rastet kur iu duhet që të japin mësim edhe në një klasa të tjera për shkak të mungesave që mund të jenë në staf.
  • Ju mund të punoni si mësimdhënës në të gjitha institucionet arsimore që ndodhen në zona urbane dhe rurale në të gjithë vendin.
  • Mësuesia konsiderohet si profesion i dominuar nga femrat, mirëpo politikat e fundit që janë marrë inkurajojnë shumë edhe meshkujt, pakicat etnike ose personat me aftësi të kufizuara për t’u përfshirë në fushën e mësimdhënies
  • Mësuesit organizojnë ekskursione të herëpashershme me nxënësit. 

Mësuesit zakonisht duhet të plotësojnë 50 orë mësimi në javë dhe orari zyrtar shkon nga ora 7 e 30 deri në 13:30. Pra mësuesit janë në shkollë para fillimit të orës zyrtare të mësimit dhe qëndrojnë pasi nxënësit janë larguar nga ambientet e mësimit. Realizimi i planit të mësimit është detyra parësore e një mësuesi dhe realizohet pas përfundimit të ditës mësimore.

Mësimdhënësit kanë gati 13 javë pushim në vit, ku një pjesë të mirë të kësaj kohe e kalojnë duke planifikuar dhe përgatitur planin e aktiviteteve që mund të realizohen në klasë gjatë periudhës mësimore. Disa nga aktivitetet më të shpeshta janë: koncertet shkollore, formimi i klubeve të ndryshme artistike/sportive, aktivitetet pas shkollës etj.

Mësuesit e ciklit fillor janë arsimtarët që merren drejtpërdrejt me edukimin e fëmijëve që për herë të parë njohin bankat e shkollës. Megjithatë nëse flasim për pagesat mujore të tyre ato variojnë nga 45.733 mijë lekë në muaj për profesionistët e rinj, deri në 58.100 lekë për profesionistët e fushës.

 Në këtë profesion janë shumë të rëndësishme kualifikimet, nëpërmjet të cilave ju keni mundësi që të paguheni më shumë në të ardhmen dhe sigurisht të kaloni në stade më të larta të karrierës. 

Si mësues i arsimit fillor do ju duhet të përditësoni vazhdimisht njohuritë dhe aftësitë tuaja në lidhje me fëmijët, pra duhet të siguroheni që puna juaj si mësuese e arsimit fillor mbulon gjithë nevojat e fëmijëve. Zhvillimi i vazhdueshëm profesional gjatë kohës që jeni duke punuar mund t’ju ndihmojë. 

Ka disa organizata që i ndihmojnë këta profesionistë me:

  • çështjen e kurikulave;
  • përcaktimin dhe vlerësimin e objektivave;
  • iniciativat e reja që mund të ndërmarrin;
  • njohuritë mbi teknologjinë etj. 

Të qenit mësues nuk është aspak e thjeshtë, ndaj paraprakisht kërkohet prej jush që të keni përvojë në institucione arsimore, qoftë kjo edhe e papaguar, mjafton të jeni përfshirë disi në profesion. Është thelbësor ky fakt sepse njiheni, vëzhgoni dhe krijoni lidhje me profesionistë të fushës, të cilët ju njohin me terrenin që do të punoni. Një nga pikat kryesore që duhet të keni parasysh është njohja shumë e mirë e organizimit të programit mësimor, kjo sepse ora mësimore është e varur prej tij. Nëse ende nuk dini sesi mund të realizohet një plan i mirë mësimor, përpiquni që të fitoni njohuri duke u punësuar si asistent mësues deri në momentin që të keni fituar përvojën e nevojshme dhe ta ndieni veten të gatshëm për të dalë në profesion. 

Mirëpo përfshirja në shkolla nuk është e vetmja mënyrë për të fituar përvojën që ju nevojitet, ju mund të merreni më fëmijët edhe në mënyra të tjera, si:

  • Pjesëmarrja në shkolla verore
  • Kampet verore
  • Klubet e ndryshme që organizohen për këtë grupmoshë etj. 

Përparimi i karrierës është i varur tërësisht nga dëshira dhe pasioni juaj për profesionin. Ju mund të avanconi si profesionist në momentin që keni marrë kualifikimet e duhura, keni realizuar punë kërkimore dhe keni treguar se këtë punë dini ta bëni shumë mirë. 

Në momentin që keni kualifikimet e duhura ju mund të kaloni në rolin e administratorit të institucionit, pjesë e administratës shtetërore ose pjesë e institucionit të Ministrisë së Arsimit. 

Mësuesit e arsimit fillor zakonisht preferojnë që të punojnë në shkolla 9-vjeçare, më shumë se në alternativa të tjera që mund t’ju shfaqen. Të qenit mësues në një shkollë është stadi që dëshiron të arrijë secili profesionist në këtë fushë, por kjo ndodh gjithmonë pasi kanë fituar statusin e mësimdhënësit të kualifikuar. 

Kërkesat për punësim

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një diplome universitare.
  • Përbën avantazh të ketë kryer një kurs apo Master Profesional ose Shkencor për këtë profesion.
  • Të ketë kaluar provimin e shtetit në mësuesi, sipas kuadrit ligjor në fuqi. 

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Mësues i arsimit fillor në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Mësues i arsimit fillor
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Mësues i arsimit fillor është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Mësues i arsimit fillor është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD