Menaxher Hoteli
Berati
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Menaxher Hoteli

Aktualiteti

Paga Minimale: 82.410 Lekë
Kërkesa e tregut: E Mesme
Prurjet vjetore: Të Mesme

Mundësitë e punësimit

50%

Të qenit menaxher hoteli kërkon aftësi të shkëlqyera në menaxhim stafi dhe salle. Sjellja e një menaxheri hoteli duhet të jetë sa më e qetë dhe profesionale të jetë e mundur, kjo sepse nuk i duhet të menaxhojë vetëm stafin dhe hotelin, por ka përgjegjësi edhe për menaxhimin financiar të tij, ku i duhet që të planifikojë, organizojë dhe drejtojë të gjitha shërbimet e hotelerisë përfshirë këtu edhe shërbimet e pritjes, ushqimit, pijeve dhe mirëpritjes. 

Puna në hotele të mëdha shpesh nënkupton edhe detyra shumë të veçanta, siç janë: shërbimi ndaj klientëve të rëndësishëm, përfshirja në përpilimin e buxhetit, marketingu etj. Pra roli i menaxherit është që të administrojë në total një ambient pune. 

  • Menaxher moteli
  • Menaxher hoteli për të rinjtë
  • Drejtor konvikti
  • Drejtues të burimeve njerëzore
  • Drejtues të shitjeve dhe marketingut
  • Drejtues të marrëdhënieve me publikun dhe reklamave
  • Punonjës shërbimesh në shtëpi pritëse 

Për të qenë profesionist i mirë në menaxhim hoteli duhet të keni:

  • Personalitet miqësor dhe dëshirë të sinqertë për të ndihmuar dhe për t'i pëlqyer të tjerëve;
  • Aftësi për të menduar qartë dhe për të marrë vendime të shpejta;
  • Shkathtësi llogaritëse dhe logjistike ;
  • Mënyrë profesionale dhe qasje të qetë dhe sociale në situata të tensionuara;
  • Aftësi për të balancuar prioritetet e konsumatorëve dhe biznesit;
  • Fleksibilitet;
  • Energji dhe durim;
  • Komunikim i shkëlqyer, veçanërisht kur bëhet fjalë për klientë të shteteve të tjera;
  • Njohuritë në gjuhë të ndryshme mund të përbëjnë avantazh për ju, veçanërisht kur hoteli është pjesë e një zinxhiri ndërkombëtar hotelesh. 

Menaxherët e hoteleve kryejnë një pjesë ose tërësinë e funksioneve të mëposhtme, sipas mënyrës së organizimit të punës:

  • Vendosin, përpilojnë dhe zbatojnë rregullat e mikpritjes dhe shërbimit cilësor ndaj klientit;
  • Monitorojnë kryesisht performacën e personelit në recepsion dhe mirëpresin vetë klientët, zgjidhin direkt problemet dhe kërkesat e tyre për akomodim;
  • Mbikëqyrin performancën e hotelit (rezervimet dhe komentet e klientëve në Booking.com, Trip Advisor, Expedia, Hotels.com) etj.;
  • Monitorojnë përditësimin e çmimeve, ofertave të ndryshme të hotelit etj;
  • Garantojnë një pamje sa më dinjitoze të hotelit online, ideojnë dhe monitorojnë faqen e VVeb-i të hotelit, ku detajohen dhomat, çmimet, mjediset e jashtme dhe të brendshme; facilitete të tjera: bari, restoranti, pishina, kopshtet etj.;
  • Kryejnë detyra në të gjitha aspektet e operacioneve të hotelit kurdo që nevojiten;
  • Inspektojnë dhe udhëheqin riparimet dhe pastërtinë e pronës për të siguruar mirëmbajtjen optimale, pastërtinë në mjediset e brendshme dhe pamjen e përgjithshme të pronës;
  • Përgatitin buxhetin e hotelit;
  • Mbikëqyrin të gjitha llogaritë financiare;
  • Monitorojnë mbledhjen e pagesave ndaj klientëve dhe arkëtimet e drejtpërdrejta të faturave, pagesave etj;
  • Marrin pjesë dhe monitorojnë inventarët mujorë;
  • Sigurohen që blerjet e bëra janë brenda buxhetit dhe të miratuara;
  • Promovojnë arritjen 100% të kënaqësisë së klientëve në gjithë hotelin;
  • Sigurohen që të gjitha çështjet e lidhura me klientët janë zgjidhur në mënyrë konsistente në përputhje me qëllimet dhe objektivat e kompanisë;
  • Rekrutojnë punonjës të kualifikuar;
  • Trajnojnë punonjësit në përputhje me standardet e kompanisë;
  • Komunikojnë të gjitha politikat dhe procedurat për të gjithë personelin;
  • Ofrojnë informacion për turizmin lokal, koordinojnë ture etj.
  • Menaxhojnë dokumentacionet e personelit, duke përfshirë punësimin, vlerësimet e performancës, listën e pagave dhe përfitimet e tjera;
  • Përfaqësojnë organizatën në takime ku diskutohet për turizmin, hotelerinë, kulinarinë etj. 

Ky profesion është i hapur për gjithë të diplomuarit. Megjithatë një diplomë në një nga programet e mëposhtme përbën avantazh të veçantë dhe mund të rrisë mundësitë tuaja të punësimit, ato janë:

  • Administrim Biznesi;
  • Menaxhim Biznesi;
  • Menaxhim Hotelerie;
  • Turizëm. 
Nëse dëshironi të punoni në një rol të veçantë në hotel, siç mund të jetë marketingu ose kontabiliteti,  mund të keni nevojë për kualifikime të mëtejshme profesionale. 

  • Në disa hotele ju mund të keni edhe një zyrë tuajën, mirëpo shumicën e kohës keni për ta shpenzuar me klientët dhe me stafin. 
  • Rreth 50% e menaxherëve të hoteleve janë të punësuar në hotele të vegjël, motele, klube rezidenciale etj. 
  • Menaxhimi i hotelit kërkon angazhim të plotë, pasi puna është e vështirë dhe përfshin orë të gjata, përqendrim, përkushtim, menaxhim të stresit, presionit etj. 
  • Veshja e menaxherëve duhet të jetë korrekte. Në shumë prej hoteleve menaxherët vishen me kostum, këmishë dhe këpucë serioze. Mënyra e qëndrimit duhet të jetë diplomatike si dhe të mbizotërojë mirësjellja dhe durimi. 

Orari i punës ndryshon në bazë të llojit të hotelit në të cilin punoni, vendndodhjes së tij, por edhe në përgjegjësive që ju janë ngarkuar, kështu që orët jo të rregullta, vonesat pas orarit zyrtar të punës ose prania në hotel gjatë fundjavave ose ditëve të festave mund t’ju bëhet praktikë pune.

Zakonisht orari i punës në këtë profesion është i gjatë dhe mund të kufizojë jetën tuaj sociale dhe familjare.

Pagat e menaxherëve të hoteleve rriten me pjekurinë dhe progresin e tyre. Megjithatë ato variojnë nga 82.410 lekë në muaj për të rinjtë në profesion, deri në 89.163 lekë në muaj  për profesionistët e fushës. Pagesa varet edhe nga hoteli në të cilin menaxheri zgjedh të punojë, pasi nëse ky i fundit është hotel i vogël dhe me të ardhura të pakta, atëherë edhe pagesa nuk do të jetë shumë e lartë. 

Pagat e sipërpërmendura janë vënë vetëm si referent. 

Disa grupe të mëdha hotelesh ofrojnë programe të posaçme rekrutimi për menaxherët e sapodiplomuar, ku më pas mund të përparojnë në poste më të larta drejtuese. Kohëzgjatja e trajnimit ndryshon në varësi të përgjegjësive që marrin përsipër, por zakonisht duhen nga një deri në dy vite që të përfundojë. 

Programet pasuniversitare ndryshojnë në varësi të punëdhënësit dhe mund të jenë specifike vetëm për disa hotele. Në përgjithësi hotelet kërkojnë t’u ofrojnë të diplomuarve mundësinë për të kuptuar më shumë nga menaxhimi i hoteleve. Në varësi edhe të programit, trajnimi ka për të mbuluar disa nga elementet e mëposhtëm:

  • Restorantin;
  • Barin;
  • Trajnimin për  sommelier;
  • Shërbimin  në dhomë;
  • Banketet;
  • Pritjen;
  • Rezervimin;
  • marrëdhëniet me klientin etj.
Gjatë trajnimit keni për t’u mbështetur dhe këshilluar nga menaxherë me eksperiencë dhe njëkohësisht ka për t’u vendosur një plan zhvillimor i veçantë për ju. Gjithashtu bëhen shqyrtime të rregullta të përparimit që keni pasur.

Punëdhënësit shpesh kërkojnë që punëmarrësit të jenë gjeografikisht të lëvizshëm, sidomos kur bëhet fjalë për zinxhir hotelesh. 

Punëdhënësit shpesh kërkojnë përvoja relevante, mirëpo nuk është e thënë që këto eksperienca të jenë të përqendruara vetëm në hoteleri. 

 Përvoja të tjera mund të përfshijnë çdo punë që është e fokusuar tek shërbimi ndaj klientit, siç mund të jetë puna në bar, restorant etj. 

Për shkak se forca punëtore në këtë profesion është përgjithësisht e re, perspektivat e promovimit janë të mira dhe të rinjtë janë të motivuar. 

Progresi zakonisht ndodh në momentin që e keni treguar veten dhe kaloni nga asistent menaxher në menaxher hoteli dhe më pas në drejtues të departamentit. Shpejtësia me të cilën do të promovoheni varet edhe nga madhësia e hotelit dhe suksesi juaj si profesionit, por kryesisht kërkon deri në dy vite eksperiencë të pandërprerë. 

Ndërsa posti i menaxherit të përgjithshëm mund të kërkojë nga pesë deri në gjashtë vite eksperiencë, mirëpo ndërkohë ju mund të keni nevojë që të ndryshoni vendin e punës dhe mund ta bëni.

Menaxherët me përvojë mund të punojnë edhe si konsulentë menaxhimi. 

Ju mund të punësoheni si menaxher hoteli ( i njohur ndryshe edhe si menaxher i përgjithshëm) në një gamë të gjerë institucionesh, duke përfshirë:

  • Bujtina;
  • Hotele të mëdha që janë pjesë  e një zinxhiri të madh hotelesh ndërkombëtar;
  • Rezidenca;
  • Motele;
  • Hotele të vogla;
  • Shtëpi pushimi etj. 
Cilado nga eksperiencat në ambientet që përmendëm më sipër është e veçantë, mirëpo në bazë të përvojave që mund të keni pasur si me stafin ashtu edhe me klientët,  e keni në dorë të zgjidhni se cila alternativë është më e përshtatshmja për ju. Për shembull, në hotele të vogla me pronësi private, menaxheri (i cili gjithashtu mund të jetë pronar) merret direkt me të gjitha çështjet e biznesit. Nga ana tjetër, kur punoni si menaxher për një grup ndërkombëtar hotelesh, do të keni një ekip të madh për të menaxhuar, ku secili prej tyre ka përgjegjësi specifike.

Kërkesat për punësim

  • Preferohet arsim i lartë apo i mesëm kryesisht në ekonomi, menaxhim, marketing, hoteleri, turizëm etj.
  • Aftësi komunikimi profesional me klientët, bashkëpunëtorët, mbikëqyrësit etj.;
  • Të ketë aftësi për të vepruar. 

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Menaxher Hoteli në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Menaxher Hoteli
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Menaxher Hoteli është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Menaxher Hoteli është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD