Inxhinier Ndërtimi
Gjirokastra Line
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Inxhinier Ndërtimi

Aktualiteti

Paga Minimale: 51.958 Lekë
Kërkesa e tregut: E Mesme
Prurjet vjetore: Të Mesme

Mundësitë e punësimit

50%

Inxhinierët e ndërtimit janë profesionistët që merren me projektimin, zhvillimin dhe ndërtimin e një sërë projektesh që ngrihen në mjedisin natyror. Roli i tyre është thelbësor, pasi sigurojnë mbarëvajtjen dhe përfundimin e projekteve të ndërtimit brenda afatit të paracaktuar, brenda buxhetit dhe me siguri të lartë. Si profesionist  ata duhet të planifikojnë, menaxhojnë, dizenjojnë dhe mbikëqyrin ndërtimin e projekteve. 

Inxhinieri i ndërtimit mund të përfshihet në projekte të tilla si:
  • Restaurimi i ndërtesave
  • Zhvillimi bregdetar
  • Ndërtimi i digave dhe kanaleve
  • Inxhinieri gjeoteknike
  • Ndërtim autostradash.

  • Inxhinier/ Supervizor në ndërtim
  • Inxhinier ndërtesash
  • Inxhinier ndërtimesh dhe instalimesh në porte detare
  • Inxhinier ndërtimi/ mjedis-trajtim ujërash
  • Inxhinier për instalime higjieno-sanitare
  • Inxhinier për mekanikën e tokave
  • Inxhinier për ndërtesa dhe punime publike
  • Inxhinier për ndërtimin e aeroporteve
  • Inxhinier për ndërtimin e armaturave metalike
  • Inxhinier për ndërtimin e hekurudhave
  • Inxhinier për ndërtimin e kullave
  • Inxhinier për ndërtimin e magazinave të portit dhe skelave
  • Inxhinier për ndërtimin e oxhaqeve
  • Inxhinier për ndërtimin e porteve
  • Inxhinier për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave
  • Inxhinier për ndërtimin e skeleteve të ndërtesave
  • Inxhinier për ndërtimin e tuneleve
  • Inxhinier për ndërtimin e urave
  • Inxhinier për punime bregdetare
  • Inxhinier për sistemet e ujitjes
  • Inxhinier për zonën rurale
  • Inxhinier restaurues
  • Inxhinier, ekspert për llogaritje dëmtimesh nga aksidentet (kompani sigurimesh)
  • Inxhinier zbatimi në ndërtim
  • Inxhinier, kolaudator të punimeve të zbatimit në ndërtim
  • Inxhinier infrastrukture dhe transporti
  • Projektues për rrugë 
  • Projektues për hekurudha
  • Projektues për vepra arti 

Për të qenë një profesionist i mirë në të ardhmen duhet të keni:

  • Aftësi të mira analitike për zgjidhjen e problemeve;
  • Aftësi shumë të mira matematikore;
  • Njohuri kompjuterike;
  • Zotërim shumë i mirë i shkencës së fizikës;
  • Aftësi tredimensionale konceptuale;
  • Aftësi të shkëlqyera në komunikimin me shkrim ose me gojë;
  • Aftësi shumë të mira të të punuarit në grup;
  • Vëmendje ndaj detajeve;
  • Aftësi për të bashkëpunuar me profesionistët e disiplinave të tjera;
  • Interes të veçantë në dizenjimin dhe strukturën e ndërtesave.

Inxhinierët e ndërtimit duhet të:

  • Kryejnë studime dhe zhvillojnë teori dhe metoda të reja ose të përmirësuara që lidhen me inxhinierinë e ndërtimit;
  • Këshillojnë ose dizajnojnë struktura të tilla si: ura, diga, doke, rrugë, aeroporte, hekurudha, kanale, tubacione, sisteme të menaxhimit të mbetjeve etj;
  • Përcaktojnë metodat specifike të ndërtimit, materialet dhe standardin e cilësisë së tyre, si dhe drejtojnë punën në ndërtim;
  • Krijojnë sisteme të kontrollit për të siguruar funksionimin efecient të strukturave, sigurinë në punë dhe mbrojtjen e mjedisit;
  • Organizojnë dhe drejtojnë mirëmbajtjen dhe riparimet në strukturat ekzistuese të inxhinierisë civile;
  • Analizojnë sjelljen e tokës dhe shkëmbit kur vendoset nën presion nga strukturat e propozuara dhe projektojnë themelet strukturore të objekteve;
  • Analizojnë stabilitetin e strukturave dhe testojnë sjelljen dhe qëndrueshmërinë e materialeve të përdorura në ndërtimin e tyre;
  • Respektojnë rregullat e sigurimit në punë dhe të mbrojtjes së mjedisit;
  • Menaxhojnë dhe mbikëqyrin personelin;
  • Rrisin aftësitë e veta profesionale.

Karriera e inxhinierëve të ndërtimit është e ndarë në dy fusha, atë të projektimit dhe atë të zbatimit, mirëpo duhet të dini se kjo është një fushë e hapur që mund të pranojë të diplomuar edhe nga disiplina të tjera inxhinierike dhe shkencore, por që minimalisht duhet të keni një kualifikim dhe mundësitë e avancimit në karrierë janë të kufizuara.

  • Si profesionist ju keni për të punuar si në zyrë ashtu edhe në terren, pasi do t'ju duhet që të mbikëqyrni zbatimin e projektit, si dhe të konsultoheni me profesionistët e tjerë që merren me zbatimin e tij.
  • Gjatë kohës që ndodheni në fushën e ndërtimit, do t'ju duhet që të vishni pajisjet e sigurisë.
  • Të udhëtuarit gjatë ditës së punës është e zakonshme, pasi duhet të studioni terrenet ku do të realizohen projektet.
  • Pasi të keni fituar përvojën e duhur, ju mund të punoni si konsulent inxhinierik, në realizimin e projekteve të ndryshme.

Orari i punës zakonisht ka për të qenë nga ora 9:00 deri në orën 17:00, nga e hëna në të premte, mirëpo në raste të veçanta do të lind nevoja edhe për orë shtesë.
Inxhinierët e ndërtimit punojnë në bazë të kontratave që marrin.

Inxhinieri i ndërtimit është profesionisti që merret drejtpërdrejtë me zbatimin e projekteve të ndërtimit dhe si i tillë edhe pagesën e ka relativisht të lartë. Ky inxhinier ka një pagesë minimale që varion nga 51.958 lekë në muaj për të gjithë profesionistët e rinj deri në 73.800 lekë në muaj për ekspertët e fushës. 

Shifrat e të ardhurave janë menduar vetëm si një udhëzues.

Shumë prej inxhinierëve të ndërtimit preferojnë që të realizojnë konsultime inxhinirike duke filluar që nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare deri tek firmat e vogla të drejtuara vetëm nga një person. Megjithatë të punuarit si konsulent ka edhe rreziqe, kështu që duhet të jeni të përgatitur  me gjithë informacionin e duhur rreth industrisë së ndërtimit dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet eksperiencës.

 Eksperienca merret në mënyra të ndryshme dhe nga kompani të ndryshme. Sa më shumë të keni punuar dhe sa më shumë kompani të keni njohur, aq më shumë keni mundësi  të bëni dallimin mes defekteve dhe virtyteve të një pune.

Ajo që duhet të përmendim është që keni për të pasur vlerësimin më të madh në rast se keni pasur eksperienca pune në kompani të mëdha ndërtimi, të cilat ofrojnë shërbime të plota dizajni dhe ndërtimi.

Të pasurit e një përvoje pune, ka për të qenë një mënyrë e shkëlqyer për të zhvilluar aftësitë dhe për të dëshmuar kompetencat tuaja në punë. Eksperienca mund të ofrojë mundësi shumë të mira jo vetëm në gjetjen e një pune të mirë, por edhe në krijimin e kontakteve me rëndësi në industri, të cilat mund t’ju ndihmojnë në një të ardhme.

Të gjithë profesionistët duhet të fillojnë nga diku dhe inxhinieri i ndërtimit mund të fillojë si projektues. Projektuesi realizon një plan të përgjithshëm të zbatimit të projektit, por nuk merret konkretisht me të dhe në rast se ju tregoni aftësi shumë të mira inxhinierike, përkushtim dhe dëshirë për të realizuar një punë të mirë, atëherë mundësitë e avancimit në karrierë janë të shumta. Pas rolit si projektues ju mund të kaloni në menaxher projekti, ku do ju duhet që të punoni në grup me gjithë profesionistët që janë pjesë e ekipit të realizimit të projektit.

Mundësitë e tjera të avancimit në karrierë përfshijnë:

  • Të punuarit si konsulent inxhinierik;
  • Të krijoni një kompani tuajën ndërtimi;
  • Të merreni me mësimdhënie ose punë kërkimore.

Inxhinierët e ndërtimit kryesisht kërkojnë të punojnë si konsulent në këtë fushë, mirëpo para se të marrin një hap të tillë iu duhet të punojnë fillimisht me:

  • Kompani kontraktore ndërtimi;
  • Agjenci mjedisi;
  • Agjenci qeveritare;
  • Autoritetet lokale;
  • Zhvilluesit e pronave;
  • Kompani të infrastrukturës dhe transportit etj.

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Inxhinier Ndërtimi në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Inxhinier Ndërtimi
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Ndërtimi është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Ndërtimi është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD