Inxhinier Mjedisi
Vlora
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Inxhinier Mjedisi

Aktualiteti

Paga Minimale: 51.958 Lekë
Kërkesa e tregut: E Ulët
Prurjet vjetore: Të Larta

Mundësitë e punësimit

30%

Inxhinierët e mjedisit kombinojnë aftësinë e tyre në zgjidhjen e problemeve me aftësitë shkencore, për të krijuar zgjidhje teknologjike të cilat kujdesen dhe mbrojnë planetin. Në vetvete inxhinieri i mjedisit realizon kërkime mbi hartimin dhe zbatimin e drejtpërdrejt të zgjidhjeve për të parandaluar, kontrolluar ose korrigjuar ndikimet negative të veprimtarisë njerëzore mbi mjedisin. 

Si inxhinier mjedisi do të shqetësoheni për çështje të tilla si ndryshimet klimaterike, thatësira, rritja e popullsisë, urbanizimi, shpyllëzimi dhe krizat energjetike. Njëkohësisht do ju duhet që të përdorini njohuritë tuaja në shkencë dhe inxhinieri, për të gjetur zgjidhje të bazuara në teknologji për të gjitha problemet komplekse. 

Ju do të realizoni gjithashtu: vlerësime mjedisore të projekteve të ndërtimit; do të aplikoni parime dhe metoda inxhinierike për kontrollin e ndotjes, riciklimit dhe depozitimit të mbetjeve; si dhe do të vlerësoni pajtueshmërinë e zbatimit të rregulloreve dhe udhëzimeve mjedisore nga organizatat. 

Pra ju si profesionistë do të kujdeseni që gjithçka të ndërtohet dhe marrë formë vetëm duke zhvilluar plane të posaçme dhe zgjidhje përkatëse të cilat mbrojnë, ruajnë, rivendosin, minimizojnë dhe parandalojnë dëmtimin e mëtejshëm të mjedisit. 

  • Inxhinier mjedisi/drejtim energjetikë 
  • Inxhinier mjedisi –trajtim ujërash
  • Inxhinier i kontrollit të ndotjes së ajrit
  • Analist mjedisi
  • Specialist i rehabilitimit mjedisor
  • Inxhinier për proceset e pastrimit të ujërave

Për të qenë një profesionist i  vlerësuar  në të ardhmen do duhet të keni:

  • Aftësi të mira në mbledhjen, analizimin dhe përpunimin e të dhënave shkencore;
  • Aftësi shumë të mira në shkrimin e raporteve dhe interpretimin e tyre para individëve të tjerë;
  • Aftësi të mira komunikuese, për të diskutuar problemet me profesionistët e tjerë;
  • Aftësi organizative për të menaxhuar të gjitha fazat e një projekti;
  • Aftësi për të punuar me individë nga një sërë disiplinash dhe për të bashkëpunuar me ta për realizimin e një qëllimi të përbashkët;
  • Kureshtje dhe aftësi perceptuese për t’i dhënë zgjidhje problemeve.

Inxhinierët e mjedisit duhet të:

  • Kryejnë hulumtime, vlerësime dhe raportime mbi ndikimin mjedisor të ndërtimeve ekzistuese;
  • Kryejnë inspektimin e objekteve industriale dhe komunale për të vlerësuar efikasitetin operativ dhe për të siguruar përputhjen me rregulloret mjedisore;
  • Hartojnë dhe mbikëqyrin zhvillimin e sistemeve, proceseve dhe pajisjeve për kontrollin, menaxhimin ose rehabilitimin e ujit, ajrit apo cilësisë së tokës;
  • Kryejnë kërkime, testime dhe analiza për të identifikuar burimet e problemeve të mjedisit;
  • Vlerësojnë ndikimin që aktivitete, projekte dhe zhvillime të ndryshme potenciale ose të propozuara, mund të kenë në mjedis;
  • Rekomandojnë mënyra për të parandaluar, kontrolluar dhe rregulluar ndikimin e problemeve mjedisore;
  • Japin rekomandime nëse aktivitetet, projektet dhe zhvillimet e ndryshme duhet të vazhdojnë ose të ndërpriten, në varësi të efektit që kanë mbi mjedisin;
  • Zhvillojnë sisteme të menaxhimit të mjedisit dhe koordinojnë zbatimin e tyre për të mundësuar identifikimin, monitorimin dhe kontrollin e ndikimit të aktiviteteve, produkteve dhe shërbimeve të organizatave në mjedis;
  • Kryejnë auditime për të vlerësuar ndikimin e aktiviteteve, proceseve, mbetjeve, zhurmave dhe substancave ekzistuese në mjedis;
  • Vlerësojnë pajtueshmërinë e zbatimit të rregulloreve dhe udhëzimeve mjedisore të ndryshme nga organizatat duke identifikuar dhe shkeljet e tyre;
  • Përcaktojnë masat e duhura korrigjuese për shkeljet e identifikuara;
  • Përgatitin ose koordinojnë të gjithë dokumentacionin e duhur tekniko –ligjor për marrjen e lejeve përkatëse në institucionet të ndryshme;
  • Kontrollojnë lejet, licencat, aplikimet e të dhëna të tjera, për të siguruar pajtueshmërinë me nevojat e licencimit;
  • Japin këshilla teknike dhe mbështetin organizatat për trajtimin e problemeve mjedisore në mënyrë që të reduktohet dëmtimi i mjedisit dhe të minimizohen humbjet financiare;
  • Bashkëpunojnë me shkencëtarë të mjedisit, planifikues, teknikë të trajtimit të mbetjeve të rrezikshme, inxhinierë të tjerë, si dhe specialistë të ligjit dhe të biznesit për të adresuar problemet e mjedisit;
  • Zhvillojnë plane dhe monitorojnë progresin e programeve të ruajtjes dhe përmirësimit të mjedisit;
  • Përgatitin artikuj dhe raporte shkencorë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kualifikimet në këtë fushë janë shumë të rëndësishme, pasi nuk mund të quheni inxhinier mjedisi thjeshtë sepse keni studiuar një fushë të inxhinierisë, duhet patjetër të vazhdoni studimet dhe kualifikimet në tema të tjera me rëndësi, si në shkencë ashtu edhe në disiplina mjedisore. 

Është gjithashtu e mundur që me anë të inxhinierisë mjedisore të bëheni pjesë edhe e profesioneve të tjera të ngjashme, siç janë konsulencat mjedisore. 

Studimi në një program pasuniversitar në fusha të tilla si monitorimi i mjedisit, tokës së kontaminuar ose thjesht thellim njohurish në inxhinieri mjedisi mund të jenë shumë tërheqëse për një punëdhënës, kështu që kushtojini vëmendjen që meritojnë. 

  • Duhet të prisni që në këtë profesion të udhëtoni shumë dhe për një periudhë të pacaktuar.
  • Puna në terren është e pranishme gjatë gjithë vitit, pavarësisht kushteve atmosferike.
  • Realizimi i ekspertizave në fusha të ndryshme të mjedisit janë një pjesë kyç e rolit dhe do duhet të  paraqisni idetë tuaj, rekomandimet dhe kostot për klientët dhe palët e tjera të interesit. 
  • Fokus  në rritje i është kushtuar tashmë edhe menaxhimit të mjedisit global që do të thotë se vendet e punës tashmë janë të hapura si brenda ashtu edhe jashtë vendit. 

Shumica e inxhinierëve të mjedisit punojnë minimalisht 40 orë në javë, mirëpo nuk kanë për të qenë të pakta rastet kur orët do të zgjaten për shkak se duhet të jenë pranë ekipit zbatues të projekteve të ndërtimit, pranë klientëve që dëshirojnë studim mjedisi etj.

Është praktikë pune, qëndrimi jashtë shtëpisë për disa ditë ose javë, deri në realizimin e projektit.

Inxhinieri i mjedisit merret drejtpërdrejt me mbrojtjen e mjedisit nga faktorët që mund ta ndotin dhe si i tillë ka një pagesë mujore relativisht të lartë. Ky inxhinier merr një pagë që varion nga 51.958 lekë në muaj për të gjithë profesionistët e rinj deri në 73.800 lekë në muaj për ekspertët e fushës. 

Shifrat e të ardhurave janë menduar vetëm si një udhëzues. 

  • Shumë organizata ofrojnë trajnime të specializuara që në momentin që filloni punë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me fushën ku jeni specializuar në inxhinieri mjedisore. 
  • Për t’u lidhur me inxhinierë të tjerë mjedisorë mund të bëheni anëtar të shoqatave të krijuara nga profesionistë të kësaj fushë. 
  • Në momentin që do të fitoni një vend punë si inxhinier mjedisi, mund të filloni të mendoni mundësitë tuaja të zhvillimit profesional, por tregoni kujdes, gjithçka varet nga disiplina juaj në punë dhe aftësitë që posedoni. 

Përvoja e punës pranë një organizate mjedisore është gjithmonë e vlefshme. Ju mund të përqendroheni në gjetjen e mundësive të tilla si vullnetarizmi pranë organizatave mjedisore, praktikat ose intershpiet në kompani që kanë lidhje me mjedisin.  

Tjetër mundësi ku mund të fitoni eksperiencë janë edhe organizatat që merren drejtpërdrejt me menaxhimin e ndikimit të mjedisit, ku përfshihen: konsulentët inxhinierikë, firmat e ndërtimit, konsulentët mjedisorë, kompanitë e mbetjeve, organizatat për rehabilitimin e tokës, kompanitë e mbrojtjes ajrore etj. 

  • Nëse fitoni përvojë në një gamë të gjerë projektesh, do të keni mundësinë që të merrni përgjegjësi dhe të lëvizni në projekte më komplekse. Ju mund të keni më shumë liri për të zbatuar zgjidhjet tuaj dhe për të krijuar dizajnet tuaja. Përjetimi i një sërë projektesh dhe krijimi i zgjidhjeve të suksesshme mund t’ju krijojë mundësi të reja në përparimin tuaj.
  • Ju gjithashtu mund të zgjidhni të specializoheni në një fushë të veçantë të inxhinierisë së mjedisit, siç mund të jetë riciklimi i mbetjeve ose kontrolli i ndotjes. 
  • Në rast se puna në terren nuk ju tërheq, mund të përqendroheni në pjesën menaxheriale ose mbikëqyrëse  të  profesionit, ku do ju duhet që të vëzhgoni inxhinierë ose teknikë të tjerë ose të drejtoni projekte të plotë.
  • Në momentin që keni përvojën e duhur, mund të jeni në gjendje që të nisni një biznes individual të bazuar gjithmonë në aftësitë e njohuritë teknike të fituara me eksperiencën, si dhe kontaktet e krijuara me kohën. 

Inxhinierët e mjedisit janë të punësuar si në sektorin privat ashtu edhe atë publik, ku përfshihen:
  • Departamentet e qeverisjes qendrore 
  • Industria e ndërtimit  
  • Shërbimet energjetike dhe komunale
  • Inxhinieria 
  • Konsulentët mjedisorë
  • Përpunimi industrial
  • Zhvillimi i tokës dhe pronës
  • Autoritetet lokale
  • Industria e prodhimit
  • Industria e minierave.
Në varësi të punëdhënësit, mund të njiheni me tituj alternativ si: Inxhinier Gjeo-mjedisor, Inxhinier i Sigurisë dhe Mjedisit, Inxhinier i Qëndrueshmërisë Mjedisore, Inxhinier Ndërtimi i Mjedisit ose Inxhinier i Shëndetit Publik.

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Inxhinier Mjedisi në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Inxhinier Mjedisi
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Mjedisi është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Mjedisi është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD