Inxhinier Mekanik
Berati
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Inxhinier Mekanik

Aktualiteti

Paga Minimale: 51.958 Lekë
Kërkesa e tregut: E Mesme
Prurjet vjetore: Të Ulta

Mundësitë e punësimit

70%

Inxhinieri mekanik realizon studime, këshillon, dizajnon dhe drejton prodhimin e makinerive të tilla si avionë, anije, impiante mekanike dhe industriale, pajisje dhe sisteme mekanike etj. Pra ky profesionist këshillon dhe drejton funksionimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e pajisjeve, pa anashkaluar edhe studimin mbi aspektet mekanike të materialeve, proceseve dhe produkteve të veçanta. 

Inxhinierët ofrojnë zgjidhje efikase për zhvillimin e proceseve dhe produkteve, duke filluar nga dizenjot e komponentëve të vegjël deri tek impiantet, makineritë apo automjetet relativisht të mëdha.

Ata mund të punojnë në të gjitha fazat e një produkti, duke nisur nga hulumtimi dhe zhvillimi i produktit, projektimi dhe prodhimi i tij, e duke përfunduar tek instalimi dhe kontrolli përfundimtar. 

Shumica e industrive mbështetet në një formë a në një tjetër në sistemet mekanike dhe inxhinieri mekanik në vetvete mundohet të plotësojë gjithë kërkesat që mund t’i vijnë. 

  • Arkitekt për ndërtime navale
  •  Inxhinier frigoriferësh
  •  Inxhinier lubrifikimesh
  •  Inxhinier mekanik bujqësor
  •  Inxhinier mekanik industrial
  •  Inxhinier mekanik klimatizimi
  •  Inxhinier mekanik në mekanikën e precizionit
  •  Inxhinier mekanik për ftohje/ngrirje
  •  Inxhinier mekanik për instrumente shkencorë
  •  Inxhinier mekanik për konstruksione mekanike dhe mjete pune
  •  Inxhinier mekanik për lokomotiva
  •  Inxhinier mekanik për motorët detarë dhe pajisje të bordit
  •  Inxhinier mekanik për motorët me djegie të brendshme
  •  Inxhinier mekanik për ndërtime navale
  •  Inxhinier mekanik për ngrohje-ventilim-ftohje
  •  Inxhinier mekanik të turbinave me gaz
  •  Inxhinier mekanik, vlerësues dëmesh në sigurime
  •  Inxhinier për motorët e lokomotivave
  •  Inxhinier termik
  •  Inxhinier mekanik për montimin e impianteve
  •  Inxhinier mekanik për makinerive industriale 
  •  Inxhinier mekanik për instalimin e sistemeve hidraulike e pneumatike
  •  Inxhinier mekanik për tubacioneve
  •  Inxhinier mekanik për teknologji mekanike
  •  Inxhinier mekanik në mekanikë dhe automatizim industrial
  •  Inxhinier mekanik në mirëmbajtje makinerish e pajisjesh të industrisë
  •  Inxhinier mekanik për riparim e mirëmbajtje të mjeteve të transportit tokësor
  •  Inxhinier mekanik transporti
  •  Inxhinier mekanik në transportin detar e ajror
  •  Inxhinier mekanik në naftë
  •  Inxhinier mekanik në miniera
  •  Inxhinier mekanik në tekstil
  •  Inxhinier mekanik në sisteme të kondicionimit të ajrit, ngrohje-ftohje 
  •  Inxhinier mekanik në sisteme të komandimit hidraulik dhe pneumatik
  •  Inxhinier mekanik në byronë e studimit dhe projektimit 
  •  Inxhinier aeronautike
  •  Inxhinier mekanik në anije/ inxhinier marine
  •  Specialist për kontrollin e autoshkollave 

Për të qenë një profesionist i mirë në të ardhmen do duhet që të tregoni:

  • Nivel të lartë të perceptimit të njohurive shkencore dhe teknike, si dhe aftësi për të aplikuar njohuritë në zgjidhjen e problemeve praktike;
  • Aftësi të mira në komunikimin me gojë, pasi iu duhet që të keni kontakt me një sërë personash, duke përfshirë klientë, kontraktues, dizajner, drejtorë apo operatorë impiantesh;
  • Aftësi shumë të mira, të sakta dhe koncize në komunikimin me shkrim;
  • Aftësi shumë të mira të të punuarit brenda një ekipi;
  • Aftësi informatike, veçanërisht në dizajn kompjuterik;
  • Aftësi krijuese;
  • Aftësi për të përballuar presionin e punës;
  • Aftësi shumë të mira organizative. 

Inxhinierët mekanikë duhet të:

  • Dizajnojnë makineri dhe mjete për industrinë prodhuese, minierat, ndërtimin, bujqësinë dhe qëllime të tjera industriale;
  • Projektojnë motorë me avull, me djegie të brendshme dhe jo elektrikë, motorë që përdoren për shtyrjen e lokomotivave të hekurudhës, motorë për mjete transporti rrugor, avionë etj.;
  • Dizajnojnë: konstruksione metalike, impiante mekanike dhe pajisje për çlirimin, kontrollin dhe përdorimin e energjisë, sisteme të nxehjes, ventilimit, ngrirjes, pajisje për grup timoni, pompa dhe pajisje të tjera mekanike;
  • Dizajnojnë korniza ajri dhe pajisje të tjera për avionë, si dhe sisteme ndaluese, frena, trupa makinash dhe komponentë të tjerë të mjeteve rrugore;
  • Dizajnojnë pjesë jo elektrike të aparaturave ose produkteve si procesorë kompjuteri, instrumente të precizionit të lartë, kamera e projektorë;
  • Krijojnë procedura dhe standarde kontrolli për të garantuar funksionimin efecient dhe sigurinë e makinave, makinerive, mjeteve, motorëve, impianteve industriale, pajisjeve apo sistemeve;
  • Monitorojnë dhe mbikëqyrin personelin;
  • Zbatojnë rregullat e sigurisë në punë dhe mbrojtjes së mjedisit. 

Për t’u përfshirë në profesionin e inxhinierit mekanik do duhet të keni studiuar në këtë fushë dhe të posedoni një diplomë, kjo sepse marrja e njohurive nga institucionet arsimore është shumë e rëndësishme. Ka disa programe specifike që e ndihmojnë këtë profesionist të fitojë aftësi shtesë ku përfshihen:

  • Inxhinieria aeronautike
  • Inxhinieria bujqësore
  • Inxhinieria kompjuterike
  • Shkencat inxhinirike
  • Inxhinieria prodhuese
  • Inxhinieria bërthamore.
Inxhinieritë në tërësi kërkojnë përgatitje të lartë shkencore dhe pse jo grada për ta vërtetuar atë, mirëpo ka edhe disa punëdhënës të cilët i kushtojnë më shumë rëndësi aftësive profesionale dhe dijeve që profesionistët kanë fituar nga profesioni, sesa gradëve të tij shkencore. 

Kualifikimet pasuniversitare para se të përfshiheni në punë nuk janë thelbësore, por mund të jenë të dobishme, veçanërisht nëse kërkoni të punësoheni dhe të ndërtoni një karrierë në këtë fushë. 

Para se të përfshiheni në punë do ju duhet që të fitoni eksperienca duke përfituar nga mundësitë e tilla si praktikat ose intershipet që mund të ofrohen nga kompani që mbajnë këtë profil.

Njohuritë në një gjuhë të dytë mund të jenë të dobishme  për të fituar një vend pune në një kompani ndërkombëtare, në varësi kjo edhe të llojit të industrisë në të cilën kërkoni të bëheni pjesë. 

  • Puna është kryesisht e bazuar në zyrë, por përfshin edhe vizita të rregullta në fabrika, punëtori ose zona ndërtimi. 
  • Fabrikat e prodhimit të makinerive mund të jenë shumë të zhurmshme. 
  • Mundësitë e punësimit janë të disponueshme në qytetet që kanë baza të forta prodhimi ose kërkimi inxhinierik ose në rajone ku ka një strukturë lokale që mbështet inxhinierët specialistë. 
  • Puna ka një orar të përcaktuar.
  • Do të keni një veshje të përcaktuar pune, e cila njëkohësisht do të shërbejnë edhe si mbrojtëse. 
  • Udhëtimi brenda një dite punë ka për të qenë i pranishëm, ndërsa përsa i përket mungesave në shtëpi, kjo varet nga kompania që zgjidhni të punoni dhe natyra e sektorit që bëni pjesë. 
  • Mundësitë e punësimit jashtë vendit janë të përhapura në pothuajse gjithë shtetet e botës, kjo sepse është një profesionist që gjatë gjithë kohës ka punë në zhvillim. 

Kur punoni brenda një kompanie orari është i rregullt dhe i përcaktuar, mirëpo në raste të veçanta mund të jenë të nevojshme edhe orët shtesë, por ky nuk është një fakt i zakonshëm.

Në rast se zgjidhni të punoni me projekte, orët e punës kanë për të qenë më të gjata, kjo për shkak të faktorit kohë, që do të thotë se do jeni nën presion për të përfunduar punën e nisur brenda afatit të paracaktuar.

Paga e një inxhinieri mekanik është në varësi të kompanisë dhe sektorit që ka zgjedhur të specializohet dhe të punojë. Megjithatë mesatarisht këta profesionistë mund të paguhen 51.958 lekë në muaj  për profesionistët e rinj dhe 73.800 lekë në muaj për ekspertët e fushës. 

Shifrat e të ardhurave janë menduar vetëm si një udhëzues. 

Për t’u përfshirë në industrinë e inxhinierisë mekanike duhet fillimisht të keni përfunduar një program studimi në këtë drejtim, të keni ndjekur trajnimet e duhura dhe të keni fituar kualifikimet e kërkuara nga tregu i punës.  Do duhet që të punoni fort për të fituar edhe grada shkencore të cilat merren jo vetëm me anë të studimit, por edhe eksperiencës në terren. 

Nuk kanë për të qenë të pakta rastet kur vetë punëdhënësit kanë për t’ju dhënë mundësinë e kualifikimeve të mëtejshme, kjo për shkakun se duan që të aftësoheni dhe profesionalizoheni në fushën tuaj dhe rrjedhimisht të bëheni më efikas në punë. 

Përvoja e punës është një nga elementet më të rëndësishëm, ndaj dhe vëmendja që i duhet kushtuar duhet të jetë e madhe. Ju mund të filloni të fitoni eksperiencat e para që në bankat e shkollës, pasi të keni vlerësuar ofertat e praktikave ose intershipeve. 

Duhet thënë që  shumë punëdhënës të mëdhenj ofrojnë programe intershipi dhe praktike, të cilat mbahen gjatë verës dhe janë në dispozicion për të gjithë ata të rinj që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj bote. Këto mundësi të ofrojnë një pasqyrë shumë të mirë të natyrës së punës dhe njëkohësisht ju bëjnë me dije lodhjen, vështirësitë dhe kënaqësitë që mund të merrni prej saj. Kontaktet që mund të ofroni në të tilla eksperienca janë të shumta dhe kjo gjë mund të shërbejë në një të ardhme. 

Karriera e një inxhinieri mekanik avancon shpejt, kjo për shkakun se mbajtja e titullit inxhinier, ju bën ju rrjedhimisht përgjegjës për stafin mbështetës, projektin ose buxhetin e vendosur. 

Duke qenë se dhe kompanitë tashmë janë duke vepruar në një treg gjithmonë e më ndërkombëtar, inxhinierët mekanik e kanë më të thjeshtë avancimin, por pak më të vështirë përfshirjen, kjo për arsyen sepse kërkohen aftësi shtesë dhe njohuritë në gjuhë të huaja janë duke u kthyer në domosdoshmëri. 

Megjithatë ju mund të zhvilloni aftësi shtesë, të tilla si biznesi apo menaxhimi, në mënyrë që të mund të përfshiheni në projekte më të mëdha dhe të merrni rrjedhimisht më shumë përgjegjësi. 

Një rrugë tjetër shumë e mirë mund të jetë edhe përfshirja në fushën e konsulencave inxhinierike.

Punëdhënësit e inxhinierëve mekanikë përfshijnë:

  • Industritë ajrore dhe ato të automobilave
  • Industritë e forcave të armatosura
  • Industritë ndërtuese
  • Shërbimet energjetike, duke përfshirë edhe atë bërthamore
  • Konsulencat inxhinirike
  • Agjencitë qeveritare
  • Industritë prodhuese
  • Industritë e naftës dhe gazit, duke përfshirë edhe industrinë petrokimike
  • Industritë e proceseve ku përfshihen produktet: farmaceutike, ushqimore dhe kozmetike
  • Sektori publik, ku përfshihen: shërbimi civil, autoritetet lokale, spitalet dhe institucionet arsimore, institucionet kërkimore, institucionet akademike etj. 
  • Industrinë e transportit etj. 

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Inxhinier Mekanik në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Inxhinier Mekanik
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Mekanik është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Mekanik është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD