Inxhinier Gjeolog
Elbasani
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Inxhinier Gjeolog

Aktualiteti

Paga Minimale: 55.088 Lekë
Kërkesa e tregut: E Mesme
Prurjet vjetore: Të Ulta

Mundësitë e punësimit

70%

Gjeologu kryen kërkime, përmirëson ose zhvillon koncepte, teori dhe metoda të ndryshme operative që kanë lidhje me aplikimin e njohurive shkencore në fusha të tilla si: kërkimi dhe shfrytëzimi i ujit, i naftës, gazit dhe mineraleve, inxhinierisë së ndërtimit, të telekomunikacionit dhe të lundrimit.

Si gjeolog, ju keni për t’u marrë drejtpërdrejtë me analizën e hollësishme teknike të materialit të tokës dhe vlerësimin e rreziqeve gjeologjike. Roli juaj është të identifikoni dhe të merrni masa për faktorët gjeologjikë që ndikojnë në punimet inxhinierike. Juve ju duhet që të vlerësoni integritetin e tokës, shkëmbit, ujërave nëntokësore dhe kushteve të tjera natyrore para zbatimit të cilitdo projekt.

Pra ju si profesionist aplikoni njohuri shkencore mbi vlerësimin dhe zvogëlimin e efekteve të projekteve të zhvillimit dhe depozitimit të mbetjeve në mjedis dhe gjithashtu interpretoni të dhënat kërkimore të fushës dhe përgatisni raporte gjeologjike, harta, grafikë, diagrama, materiale statistikore dhe artikuj të tjerë, si dhe përdorni programe të ndryshme për të hetuar dhe për të matur forcat sizmike, gravitacionale, elektrike, termike dhe magnetike që ndikojnë në tokë dhe në hapësirën ujore.

Termi gjeolog përfshin një gamë të gjerë rolesh dhe mund të aplikohet në shumë sektorë të ndryshëm brenda industrisë. Ju  mund të punësoheni në institucione të ndryshme që ofrojnë shërbime të gjeologjisë dhe gjeofizikës, kompani të kërkimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve dhe minierave, kompani konsultimi gjeologjike dhe gjeofizike, firma inxhinierike, në institucione private apo publike, institucione arsimore ose mund të vetë-punësoheni.

  • Gjeodet
  •  Gjeofizikan
  •  Gjeofizikan, specialist në sizmologji
  •  Gjeolog minierash
  •  Gjeolog nafte
  •  Gjeolog, kërkues mineralesh
  •  Gjeolog, kërkues nafte
  •  Gjeolog, specialist në mikro-panteologji
  •  Gjeolog, specialist në paleontologji/mikropaleontolog
  •  Hidrolog
  •  Inxhinier gjeolog
  •  Inxhinier gjeolog/drejtues teknik në kërkim-zbulim 
  •  Inxhinier gjeolog /studiues në kërkim-zbulim 
  •  Inxhinier gjeolog /mbikëqyrje në kërkim-zbulim 
  •  Inxhinier gjeolog/monitorimi në kërkim-zbulim 
  •  Inxhinier gjeolog/konsulent në kërkim-zbulim 
  •  Inxhinier gjeolog/projektues në kërkim-zbulim 
  •  Inxhinier gjeolog/vlerësues në kërkim-zbulim 
  •  Studiues i sizmologjisë inxhinierike
  •  Projektues gjeodet
  •  Studiues gjeolog për studim/vlerësim gjeologo inxhinieri të truallit
  •  Studiues hidrogjeolog për studime e projektime hidrogjeologjike

Si inxhinier gjeolog ju do duhet të keni:

  • Qasje fleksible për të punuar 
  • Aftësi shumë të mira prezantuese
  • Aftësi për të shkruar raporte të ndryshme gjeologjike
  • Aftësi për të punuar në grup
  • Gatishmëri për të punuar me përgjegjësi.

Gjeologët duhet të:

  • Kryejnë kërkime për përmirësimin apo zhvillimin e koncepteve, teorive dhe metodave operative që lidhen me gjeologjinë dhe gjeofizikën;
  • Studiojnë përbërjen dhe strukturën e kores së Tokës;
  • Ekzaminojnë gurët, mineralet, fosilet dhe materiale të tjera, për të përcaktuar proceset që ndikojnë në zhvillimin e Tokës, gjurmët e evolucionit të së shkuarës, natyrën dhe kronologjinë e formacioneve gjeologjike, për të vlerësuar kështu aplikimet e tyre;
  • Interpretojnë të dhënat kërkimore të fushës;
  • Përgatitin raporte gjeologjike, harta, grafikë, diagrama, materiale statistikore dhe artikuj të tjerë;
  • Aplikojnë njohuritë gjeologjike në identifikimin dhe adresimin e problemeve të hasura në projekte të inxhinierisë civile si: në ndërtimin e digave, urave, tuneleve, ndërtesave të mëdha, si dhe në projekte për bonifikimin e tokave;
  • Përdorin programe të ndryshme për të hetuar dhe për të matur forcat sizmike, gravitacionale, elektrike, termike dhe magnetike që ndikojnë në Tokë;
  • Vlerësojnë peshën, madhësinë dhe masën e Tokës, si dhe përbërjen e strukturës së brendshme të saj;
  • Studiojnë natyrën, aktivitetin dhe gjendjen e vullkaneve, akullnajave dhe tërmeteve;
  • Skicojnë harta të fushës magnetike të Tokës;
  • Aplikojnë skica dhe harta të fushës magnetike të Tokës dhe të dhëna të tjera të mbledhura për transmetim, lundrim dhe qëllime të tjera;
  • Matin dhe studiojnë vetitë fizike të hapësirave ujore dhe atmosferës dhe ndërveprimet midis tyre, si p.sh. shkëmbimin e energjisë termike;
  • Përcaktojnë vendndodhjen, sasinë dhe natyrën e naftës, gazit dhe depozitave minerale duke përdorur metoda sizmologjike, gravimetrike, magnetike, elektrike ose radiometrike;
  • Identifikojnë dhe përcaktojnë karakteristikat e depozitave të materialeve të ndërtimit dhe përshtatshmërinë e tyre për përdorim si agregate konkrete, mbushës rruge ose për përdorime të tjera;
  • Kryejnë kërkime mbi lëvizjen, shpërndarjen dhe vetitë fizike të ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore;
  • Ofrojnë këshilla mbi manaxhimin e mbetjeve, zgjedhjen e rrugës dhe të vendit apo restaurimin e zonave të ndotura;
  • Mbështetin inxhinierët e terrenit duke sugjeruar mënyrat më të mira për mbledhjen e të dhënave;
  • Përgatitin artikuj, raporte shkencorë apo materiale statistikore;
  • Kryejnë arkivimin, kopjimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, në formatin fizik dhe elektronik;
  • Komunikojnë me profesionalizëm me eprorë, kolegë dhe të tjerë;
  • Mbikëqyrin punën e punëtorëve mbështetës dhe personelit tjetër të zyrës;
  • Respektojnë politikat e brendshme dhe procedurat e hartuara nga organizata; ë) Zbatojnë rregullat e sigurisë në punë dhe të mbrojtjes së shëndetit. 

Njohuritë kryesore në këtë profesion përfshijnë tokën, shkencat fizike, matematikën, pa anashkaluar këtu edhe inxhinierinë. Në veçanti këto njohuri rrisin mundësitë tuaja të punësimit në këta sektorë:
  • Inxhinieri gjeologjike dhe gjeoteknike
  • Gjeofizikë
  • Inxhinieri minierash etj. 
Përfshirja në këtë profesion pa diplomë është gati e pamundur, kjo për shkak të përgjegjësisë që ky profesionist mban. 

Pasi të përfundoni programin e dedikuar të studimit, pra “inxhinieri Gjeologjike”, mund të zgjidhni që të vazhdoni kualifikime pasuniversitare, për shembull Master Shkencor në: Inxhinieri Gjeologjike, Inxhinieri Gjeoteknike, Hidrogjeologji, Mekanikë të Tokës dhe Shkëmbinjve, Inxhinieri Strukturore dhe Inxhinieri në fusha në ngjashme më ato që përmendëm më lartë. 

Megjithatë edhe nëse nuk e keni një specializim të tillë, nuk ka për të qenë problem dhe as ka për t’ju penguar në fitimin e vendit të punës, kjo sepse në shumë raste kompani të posaçme  kanë për t’ju ofruar mbështetjen e duhur në mënyrë që ju të mund të merrni njohuritë e duhura pasuniversitare. 

  • Gjatë fazës së parë të karrierës suaj, ka të ngjarë që të punoni kryesisht në vende të mbyllura, zyrë ose laborator. Kjo ndryshon edhe në varësi të përgjegjësisë që secili specialist ka marrë përsipër. 
  • Forca fizike është një nga kushtet kryesore që kërkon ky profesion, pasi do ju duhet që të punoni me pajisje të ndryshme në terrene të panjohura. 
  • Do duhet që të keni nivel të lartë përgjegjësie, sepse gjykimet profesionale kanë implikime serioze financiare po gjithashtu edhe rrezikojnë sigurinë publike.
  • Nuk kanë për të qenë të pakta herët kur puna mund t’ju kthehet stresuese, por duke parë rezultatet përfundimtare gjithçka ka për të ndryshuar.
  • Ka mundësi rritjeje në detyrë në rast se përvoja dhe ekspertiza janë të një niveli të lartë.
  • Mundësitë e punësimit janë të mundshme në të gjithë vendin. 
  • Nëse jeni fleksibël me oraret dhe ju pëlqen që të jeni në lëvizje të përhershme, atëherë karriera juaj mund të përparojë më shpejt. 

Orari i punës zakonisht përfshin orët e rregullta të punës dhe rrallë mund të përfshijë orët shtesë ose punën me turne në rastin kur punoni në sektorin shtetëror. Orët e gjata të punës janë të zakonshme vetëm në sektorin privat. Pushimet gjatë karrierës nuk janë të zakonshme.

Inxhinieri Gjeolog është një nga profesionistët më të paguar, gjë që lidhet drejtpërdrejt edhe me vështirësitë e punës që has. Paga minimale e tij është 55.088 lekë në muaj për të gjithë profesionistët e rinj dhe mbi 73.800 për të gjithë ekspertët e fushës. 

Pagesa është marrë si referencë. 

Në momentin që ju etiketoheni si profesionist i ri, iu duhet që të kombinoni kurse të ndryshme trajnimi të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me profesionin dhe vendin e punës që synoni të keni. Ka shumë raste kur mund të merrni mbështetje edhe nga punëdhënësit, pasi këta të fundit janë të interesuar për t’ju inkurajuar në mënyrë që të zhvilloni aftësitë tuaja e njëkohësisht të fitoni përvojën e duhur. 

Në përgjithësi kompanitë e mëdha ofrojnë programe të strukturuara trajnimesh dhe fonde të posaçme për kurse shtesë, për shembull në fusha të tilla si menaxhimi i riskut, menaxhimi i projektit dhe shëndeti dhe siguria. 

Përvoja e punës nuk është domosdoshmëri dhe nuk kërkohet formalisht nga punëdhënësit, mirëpo eksperienca që mund të keni pasur në terren përmirëson dukshëm shanset tuaja për të marrë një rol dhe pagë më të lartë. 

Praktikat verore janë një mënyrë e shkëlqyer për të fituar përvojë pune dhe kompania mund t’ju mbajë në databazën e saj në rast se i nevojitet dikush në një të ardhme. 

Përvoja e punës është e vlerësuar në inxhinierinë gjeologjike pasi vetëm me anë të eksperiencës, profesionisti ka për të kuptuar mbarëvajtjen e punës dhe punën konkrete që i duhet të bëjë, përgjegjësitë dhe detyrat që ka ndaj grupit të punës ku bën pjesë dhe shoqërisë në tërësi. 

Përparimi juaj i karrierës varet nga aftësitë tuaja teknike, cilësitë personale dhe vitet e përvojës.

Një inxhinier gjeolog mund të fillojë të punojë si gjeolog  dhe më pas të përparojë në nivelin e  inxhinierit dhe  më pas në rolin e menaxherit, ku përgjegjësia rritet duke qenë se i duhet të përgjigjet për të gjithë profesionistët e tjerë. Është shumë e rëndësishme për ju që të jeni të organizuar, duke mbajtur në mënyrë të përditshme ndryshimet teknike, legjislative dhe statusore që ndodhin. 

Mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që të fitoni njohuri të thella dhe profesionale në përdorimin e softuerëve dhe teknologjive përkatëse të industrisë, pasi këto fusha janë duke pësuar ndryshime shumë të shpejta dhe të mëdha. 
Shëndeti dhe siguria janë gjithashtu shumë të rëndësishme në industri. 

Si profesionistë ju mund të punësoheni në një sërë fushash, ku niveli i konkurrencës ndryshon në përputhje edhe me rrethanat. Inxhinierët gjeologë kërkohen në zona të caktuara të industrisë së ndërtimit, në programet e rigjenerimit dhe në projekte të ngjashme. Ju mund të punoni në sektorin publik, kryesisht duke realizuar konsulenca, ose në sektorin privat ku keni për t’u angazhuar drejtpërdrejtë me projektet e tyre.  Shumë prej profesionistëve janë të lidhur me sektorin e ndërtimit, ndërsa disa të tjerë janë të ndarë në sektorë që përfshijnë burime të tilla mineralet, ujërat nëntokësore dhe energjia e rinovueshme. Punëdhënësit kryesore të inxhinierëve gjeologë janë:

  • Kontraktorët e inxhinierisë së ndërtimit
  • Konsulentët e inxhinierisë së ndërtimit
  • Konsulentët mjedisorë
  • Kompanitë gjeotenike dhe gjeo- mjedisore
  • Organizatat qeveritare dhe joqeveritare. 
  • Kompanitë e naftës dhe gazit.
 
Roli i inxhinierit është duke u rritur gjithmonë e më shumë dhe kjo për shkak të rritjes së vetëdijes rreth ndikimit të zhvillimeve të reja në mjedis. 

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Inxhinier Gjeolog në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Inxhinier Gjeolog
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Gjeolog është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Inxhinier Gjeolog është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD