Gazetar
Vlora
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Gazetar

Aktualiteti

Paga Minimale: 25.000 Lekë
Kërkesa e tregut: E Mesme
Prurjet vjetore: Të Larta

Mundësitë e punësimit

40%

Nëse jeni të dhënë pas hulumtimit dhe zbulimit të së vërtetës, atëherë profesioni i gazetarit është bërë fiks për ju. Gazetari nuk është moderator, ai për të pasur sukses në një gazetë, televizion ose radio, vendorë ose kombëtarë qofshin këta, do i duhet vendosmëria dhe aftësia për të hulumtuar dhe për të shkruar histori të sakta në periudha kohore relativisht të shkurtra. 

Gazetarët e shtypit të shkruar ose të folur kërkojnë dhe shkruajnë histori për shtypin lokal, kombëtar ose rajonal. Ata janë gjithmonë duke raportuar lajme rreth politikës, sportit, artit, kulturës, shkencës, biznesit etj, gjithmonë në gatishmëri për të treguar ngjarjen e fundit. 

Megjithatë gazetarët janë zakonisht të profilizuar dhe specializohen në një fushë. P.Sh.: gazetarëve të rinj zakonisht ju duhet që të shkruajnë lajme të caktuara, të cilat më pas i kalojnë redaktorit e në fund kryeredaktorit. Pas gazetarit të ri vijnë korrespodentët të cilët janë specialistë në një fushë ose një zonë të caktuar, dhe grupi i fundit, por jo më pak të rëndësishmit janë shkruesit e feature-ave (tip reportazhi me nota të theksuara subjektiviteti, sintetik dhe me fakte të verifikueshme), të cilët mbulojnë  tema të caktuara duke iu shkuar atyre në themel, shpesh përdorin një stil më personal dhe pak subjektiv. 

Zakonisht në gazetat, radiot ose televizionet e vogla gazetarët janë multitask, që do të thotë se ju duhet të bëjnë vetë gjetjen e lajmit, shkrimin, editimin, redaktimin, gjetjen e fotove, publikimin etj., pra të realizojnë lajmin në tërësinë e tij me të gjithë elementët e domosdoshëm. 

Megjithatë duhet thënë se gazetaria është duke u përqendruar në platforma online, ku këtu kërkohen aftësi të tilla si në IT, web dhe në përgatitjen e lajmit sa më shkurt e sa më qartë, pra të sintetizuar.

Globalizimi i lajmit ka të mirat dhe të këqijat e veta dhe shpeshherë i vjen në ndihmë gazetarëve për të marrë lajmin e fundit nga një vend që më parë nuk kanë pasur mundësi të kenë kontakt. 

  • Gazetar në media
  • Spiker lajmesh
  • Komentator sportesh
  • Korrespondent gazete
  • Korrespondent në media
  • Redaktor gazetash
  • Redaktor lajmesh
  • Reporter gazete
  • Reporter lajmesh në radio dhe TV
  • Zëvendës redaktor
  • Gazetar i faqeve WEB
  • Administrues i rrjeteve sociale
  • Specialistë të marrëdhënieve me publikun
  • Autorë dhe shkrimtarë
  • Fotoreporter
  • Teknikë transmetimi zëri dhe figure

Të gjithë kandidatëve potencialë do ju duhet që të tregojnë prova që kanë:

  • Aftësi shumë të mira në shkrim dhe komunikim oral
  • Interes të veçantë për lajmet e reja, biznesin dhe historitë njerëzore
  • Drejtshkrim të saktë, njohuri të qarta në gramatikë dhe shenja pikësimi
  • Aftësi të mira organizative dhe aftësinë për të punuar nën presionin e kohës
  • Aftësi për të kuptuar shpejt çështjet komplekse dhe për t'i shpjeguar ato në një gjuhë të thjeshtë dhe koncize
  • Qëndrueshmëri, vendosmëri, fleksibilitet, këmbëngulje, motivim dhe integritet.

Gazetarët kanë si përgjegjësi të:

  • Mbledhin lajme vendore, kombëtare apo ndërkombëtare nëpërmjet intervistës, hetimit dhe observimit, duke marrë pjesë në ngjarje publike, kërkim të dhënash, ndjekin filma dhe marrin pjesë në shfaqjet skenike;
  • Mbledhin, raportojnë dhe komentojnë mbi lajmet dhe çështjet aktuale për publikim në gazeta;
  • Marrin, analizojnë dhe verifikojnë lajme dhe materiale të tjera për saktësinë e tyre;
  • Intervistojnë figura publike në fusha të ndryshme;
  • Hulumtojnë dhe raportojnë për zhvillimet në fusha të specializuara si në mjekësi, shkencë dhe teknologji;
  • Shkruajnë editorial dhe komente mbi tematika që kanë interes aktual për të stimuluar interesin publik dhe shprehin pikëpamjet në një publikim apo transmetim;
  • Bëjnë rishikime kritike për letërsinë, muzikën dhe vepra të tjera artistike, bazuar në njohuritë, vendimin dhe përvojën në gazeta, televizione, radio dhe në media të tjera;
  • Përzgjedhin materialet për publikim, kontrollojnë drejtshkrimin, gramatikën, saktësinë dhe ligjshmërinë e përmbajtjes dhe përshtatin rishikimet e nevojshme;
  • Bashkëpunojnë me personelin e produksionit për të kontrolluar versionet finale përpara printimit të tyre;
  • Përzgjedhin, bashkojnë dhe përgatisin materiale reklamuese për biznese dhe organizata;
  • Vendosin dhe mbajnë kontakte të ndryshme;
  • Intervistojnë burimet;
  • Verifikojnë deklaratat dhe faktet;
  • Qëndrojnë të përditësuar me legjislacionin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe ruajtjes së dinjitetit.

Ky profesion është i hapur për të gjithë të diplomuarit e në pothuajse çdo program studimi, por një diplomë universitare në gazetari, letërsi ose anglisht mund të përmirësojë shanset tuaja të punësimit. Sidoqoftë disa media, në varësi të politikës editoriale që kanë, mund të kërkojnë që të punësojnë të diplomuar në programe studimi të tilla si ekonomia ose shkencat dhe mos t’i japin përparësi të diplomuarve në gazetari. Kështu që përvoja, cilësitë dhe virtytet personale do të konsiderohen si cilësi të nevojshme në këtë profesion. Siç edhe e përmendëm nëse ju keni kurajë, vullnet dhe dëshirë për të përfunduar një punë që keni nisur, si dhe dini si ta transmetoni atë, atëherë kualifikimet kalojnë në plan të dytë. 

Megjithatë hyrja pa diplomë në një vend pune po bëhet gjithnjë e më e vështirë, kjo për shkak të prurjeve të larta të studentëve që përfundojnë këtë program studimi.

Të diplomuarit para se të hyjnë vërtetë në profesion, mund të zgjedhin disa rrugë alternative të cilat garantojnë kualifikime të mëtejshme. Sot ekzistojnë kurse pasuniversitare me kohë të plotë që mund të të pajisin me diplomë, siç janë programet master. Mirëpo kujdes kur zgjidhni të vazhdoni studimet master, pasi ju duhet paraprakisht të realizoni një studim për të  parë nevojat e tregut dhe interesimin që mund të ketë punëdhënësi juaj për specializimin.

  • Zyrat zakonisht në këtë profesion janë shumë të mëdha dhe të zhurmshme, kështu që filloni të mësoheni të punoni në ambiente të tilla. Gjithashtu do ju duhet që të kaloni shumë kohë duke punuar para kompjuterit ose duke caktuar takime në telefon, por nuk kanë për të munguar edhe udhëtimet jashtë qytetit ku jetoni për të takuar personazhet e historive tuaja, ose për të mbuluar ngjarje në kohë reale, në varësi të rëndësisë së ngjarjeve varet edhe koha juaj e qëndrimit jashtë shtëpisë. 
  • Shumë gazetarë shpenzojnë një pjesë ose të gjithë karrierën e tyre duke punuar si freelancers. Kërkesa për gazetarë freelancer është relativisht shumë e lartë, sidomos për ata që duhet të merren me feature-at ose reportazhet. Gazetarët e rinj shpesh punojnë si freelancer për të ndërtuar përvoja të reja me vlerë për ta në një të ardhme, mirëpo ka edhe disa të tjerë që tashmë kanë dalë në pension, por pasioni nuk i lë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e medias si gazetarë të pavarur. 
  • Nëse mendoni se jeni lodhur dhe keni nevojë për pushim mund ta bëni pa asnjë problem, kjo nuk ka për të ndikuar në karrierën tuaj, përkundrazi ju mund të riktheheni në profesion në rolin e redaktorit, kryeredaktorit etj. 
  • Nëse pyesni se cila gjini e dominon këtë profesion, atëherë ju themi se raporti qëndron 60% me 40%, pra 60% meshkuj dhe 40% femra. Megjithatë gjithnjë e më shumë janë duke u rritur këto numra duke parë dëshirën e femrave për t’u bërë pjesë e këtij profesioni.
  • Puna si gazetar mund të bëhet edhe stresuese për ju. Konkurrenca midis mediave,e rrjedhimisht gazetarëve, mund të jetë e ashpër dhe shpeshherë mund të lindi nevoja që të merrni vendime që në një moment tjetër nuk do t’i bënit, si psh.: të shtroni pyetje të padrejta ose të padëshirueshme personave që nuk dëshirojnë të përgjigjen, ose e kanë të vështirë të flasin për atë temë. 
  • Për shkak të nevojës që mund të dalë, juve do t'ju duhet që të punoni edhe me orë të zgjatura.
  • Jeta sociale dhe puna në këtë profesion janë gjithmonë të ndërthurura. 
  • Gazetarëve shpesh do ju duhet që të udhëtojnë brenda ditës në destinacione të ndryshme, ndërsa mungesa gjatë natës në shtëpi ka për të ndodhur vetëm në ato raste ku prezenca juaj në mgjarje është e rëndësishme.  
  • Nuk janë të pakta dhe mundësitë që mund të përfitoni për të punuar jashtë shtetit.

Gazetarët zakonisht punojnë me orë të zgjatura, në varësi kjo edhe të specializimit që kanë. Nëse jeni në hapat e parë të profesionit atëherë përgatituni sepse keni për të punuar në turnet e mëngjesit ose të darkës, pasi gazetarët me eksperiencë zakonisht preferojnë turnet e ndërmjetme. Në këtë profesion do ju duhet të jeni fleksibël në mënyrë që të akordoheni sa më mirë në ditët kur ka ndodhi të rëndësishme ose ngjarje të minutës së fundit.

Të jesh gazetar në Shqipëri është një punë shumë e vështirë kjo edhe për shkak të pagesave që ofrohen. Nëse jeni gazetar fillestar atëherë paga minimale ka për të qenë 25.000 lekë në muaj, e nëse jeni gazetar me eksperiencë pagesa shkon mbi 70.000 lekë në muaj, në varësi të kompanisë mediatike në të cilën punon.

Paga juaj mund të jetë edhe më e lartë nëse zgjidhni të punoni në televizione private dhe në pozicione të tilla si moderator, redaktor kryeredaktor etj. 

Pra shifrat e përmendura më lartë janë thjeshtë referenca. 

Për të filluar punë dhe për t’u zhvilluar profesionalisht juve më parë do ju duhet që të keni:

  • Diplomë me rezultate të larta në gazetari
  • Një shkrim të shkurtër me maksimumi 100 fjalë, i cili mban peshën më të madhe në vlerësimin përfundimtar për punën 
  • Praktikë në një prej mediave në vend dhe dëshmi për kualifikimin që keni marrë
  • Një portofol profesioni i cili të përmbajë të gjitha punët tuaja që nga fillimi
Në mënyrë që të arrini aty ku ju keni dashur, do t'ju duhet që të punoni shumë fortë dhe të realizoni të gjithë objektivat që ju janë vendosur që në fillim. Sa më shpejt të arrini rezultate të larta aq më të predispozuar jeni për ngritje në detyrë. Janë të shumtë elementët që ndikojnë në ngritjen në detyrë, ku këtu bëjnë pjesë edhe aspiratat tuaja. Nëse jeni gazetarë i thjeshtë dhe aspironi redaktorin, kjo mund të realizohet në një periudhë 3-5 vjeçare punë intensive në profesion. Janë të rralla herët kur mund të fitoni këtë post më herët. Nëse tregoni veti të kënaqshme, punëdhënësi juaj ka për t’ju marrë në konsideratë dhe sigurisht ka për t’ju shpërblyer. 

Për të nisur karrierën tuaj në gazetari do ju duhet një përmbledhje e mirë e përvojës së punës, e shoqëruar kjo me mostra të shkrimeve tuaja të botuara. Kapni çdo mundësi për të shkruar artikuj dhe reportazhe në gazetat lokale, kombëtare, të specializuara, sidomos nëse këto të fundit të japin mundësinë që t’i botosh shkrimet me emrin dhe mbiemrin tuaj. Mos i neglizhoni asnjëherë gazetat e studentëve, pasi kështu do të mund të ndërtoni një rrjet burimesh që mund të të ndihmojnë në të ardhmen. Një nga cilësitë që duhet të ketë një gazetar është të jetë shumë social, pasi çdo kontakt i tij mund të kthehet në burim të mundshëm informacioni, kështu që filloni të tregoni kujdes në këtë aspekt. 

Gjatë kohës që jeni student, synoni që të bashkoheni me organizata të tilla si Unioni i Gazetarëve për të marrë njohuri më shumë rreth profesionit dhe problemeve që e shqetësojnë atë. 

Shumica e gazetarëve pasi janë kualifikuar fillojnë punë kryesisht në gazeta lokale ose kombëtare, radio dhe televizione që ju lënë hapësira të rinjve. Me kalimin e viteve gazetarët e përgjithshëm , kryesisht pra reporterët e terrenit, kërkojnë që të kalojnë në reporterë të lartë, shkrues reportazhesh, korrespodentë rajonalë ose tematikë, etj., pra kërkojnë më shumë si nga vetja edhe nga punëdhënësi. 

Opsione të tjera të karrierës mund të përfshijnë lëvizjen tuaj në departamente të tilla si ai i menaxhimit të lajmeve, duke fituar postin si moderator lajmesh, editor ose redaktor i departamentit.  

Gjithashtu mund të jetë e mundur lëvizja jashtë shtetit si korrespondent i huaj, ku njohuritë mbi gjuhët e huaja dhe kulturat e tyre janë thelbësore.  

Zhvillimi i karrierës varet gjithmonë nga performanca dhe iniciativa juaj. 

Nëse pretendoni për një karrierë të mirë në këtë profesion, do ju duhet që të dispononi aftësi shtesë që mund të përfshijnë njohuritë në video, web design etj., bazuar kjo edhe në kërkesat e tregut për specializimin në fusha të tilla. 

Të tre tipet e gazetarëve, të shtypit, të televizionit dhe të radios mund të punojnë edhe jashtë profesionit si hulumtues, shkrimtarë, asistentë në realizimin e kronikave, redaktor të programeve të lajmeve etj. 

Mos harroni dhe agjencitë e lajmeve, të cilat ju përshtaten gazetarëve më me përvojë që janë të realizuar tashmë e kanë një mori kontaktesh, por mbi të gjitha janë në gjendje të luftojnë për këndin ekskluziv të marrjes së një të dhëne, e cila rëndësinë e saj e tregon në disponibilitetin që mediat e tjera kanë për të ta blerë e për ta transmetuar. 

Mediat e ndryshme në Shqipëri ofrojnë treg të konsiderueshëm punësimi për gazetarët e të gjitha fushave. 
Nëse parapëlqeni televizionet atëherë mund të provoni në kompani të tilla mediatike si:

  • Top channel
  • TVSH
  • Vizion Plus
  • Klan
  • News24
  • Ora news
  • ABC news etj. ( përfshini këtu edhe televizionet lokale që kanë shumë nevojë për gazetarë pasi të gjithë janë duke u përqendruar në kryeqytet dhe në televizionet e mëdha). 
Nëse të ardhmen tuaj e shikoni në radio atëherë mund të bëheni pjesë e:

  • RTSH
  • Radio Gold
  • Top Albania Radio 
  • Radio Rush
  • Club Fm etj. (përfshini këtu edhe radiot lokale që kanë shumë nevojë për gazetarë pasi të gjithë janë duke u përqendruar në kryeqytet dhe në radiot e mëdha)
Nëse preferoni gazetat atëherë mund të zgjidhni të punoni tek:


  • Gazeta Panorama
  • 55
  • Shekulli
  • Mapo
  • Gazeta Shqiptare etj. ( përfshini këtu edhe gazetat lokale që kanë shumë nevojë për gazetarë pasi të gjithë janë duke u përqendruar në kryeqytet dhe në gazetat e mëdha).
Ka edhe shumë kompani ndërkombëtare që kanë korrespodentët e tyre nga Shqipëria që raportojnë problematikat e vendit ose Ballkanit, kur këto të fundit kanë ndikim në një masë të gjerë njerëzish:

  • AFP (Agence France Presse) (me qendër në Paris)
  • Associated Press (me qendër në News York)
  • Press Association (me qendër në Londër)
  • Reuters (me qendër në Londër)
  • United Press International ( me qendër në Washington D.C.)

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Gazetar në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Gazetar
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Gazetar është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Gazetar është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD