Fotograf
Tirana
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Fotograf

Aktualiteti

Paga Minimale: 43.409 Lekë
Kërkesa e tregut: E Mesme
Prurjet vjetore: Të Larta

Mundësitë e punësimit

40%

Dashuroni fotografinë dhe keni një sy të mirë për të parë atë që të tjerët nuk mundën? Ju mund të kombinoni pasionin tuaj me të studiuarit dhe specializohuni në këtë fushë.

Në vetvete fotografët krijojnë imazhe vizuale të përhershme për një publik shumë të gjerë dhe gjithçka ndodh për qëllime krijuese, teknike ose dokumentuese.

Pra fotografi studion kërkesën për fotografi dhe përzgjedh aparatin apo kamerën, lenten, filtrat e duhur, rregullon fokusin, dritën, sfondin, distancën për të realizuar fotografinë e duhur, e cila mund t’i përkasë fushave të ndryshme si: industriale, mjekësore, medias (për ilustrime në revista e gazeta apo për të fotografuar portrete apo grupe njerëzish) etj.

Një fotograf profesionist zakonisht punon me një grup të ngushtë personash, pra ka lidhje të drejtpërdrejta me klientin ose punëdhënësin.

Një pjesë e madhe e fotografëve profesionistë janë të vetëpunësuar, megjithatë duhet thënë se në këtë fushë punëdhënësit janë të shumtë, duke filluar që nga bizneset krijuese, agjencitë e modës dhe shumë kompani të tjera që bëjnë pjesë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Fotografët specializohen në fusha të tilla si:

  • Reklama
  • Modë
  • Media
  • Arte të bukura
  • Sociale, e njohur edhe si praktikë e përgjithshme, ku përfshihet portretizimi, fotografimi i personazheve të njohur, dasmat, eventet e rëndësishme etj.

  • Fotograf ajror
  • Fotograf arkitekture
  • Fotograf industrial
  • Fotograf mjekësor
  • Fotograf mode
  • Fotograf policie
  • Fotograf portreti
  • Fotograf reklame
  • Fotograf shkencor
  • Fotograf shtypi
  • Fotograf tregtar
  • Fotoreporter

Si profesionist ju do duhet të tregoni:

  • Aftësi të shkëlqyera teknike, duke përdorur kamera digjitale,  jo-digjitale dhe softuerë standarde të dobishëm për industrinë, siç është  Photoshop.  
  • Kreativitet dhe sy për fotografi.
  • Personalitet, këmbëngulje, durim dhe përkushtim.
  • Aftësi për të punuar nën presion dhe për të përmbushur afatet.
  • Aftësi për të punuar si në mënyrë të pavarur ashtu edhe në ekip.
  • Aftësi shumë të mira komunikuese për të ndërtuar raporte të kënaqshme me klientët, kolegët dhe punëdhënësit.

Fotografët duhet të:

  • Studiojnë kërkesat për një detyre të caktuar dhe të vendosin mbi llojin e kamerës, filmit, ndriçimit dhe pajisjeve që do të përdoren në sfond;
  • Përcaktojnë përbërjen/temën e fotos për të bërë rregullimet teknike të pajisjeve të fotografimit;
  • Zgjedhin aparatin apo kamerat që do të përdoren duke i bashkëngjitur lenten, filtrin e pozicionin e duhur;
  • Rregullojnë fokusin, ekspozimin, ndriçimin dhe cilësimet e tjera të aparatit apo kamerës;
  • Kryejnë regjistrimin apo fotografimin e duhur duke përdorur teknika të ndryshme fotografimi;
  • Realizojnë fotografi për reklama apo qëllime të tjera komerciale, industriale apo shkencore, për të ilustruar artikuj në gazeta, revista dhe publikime të tjera;
  • Përdorin aparate të ndryshme fotografimi apo kamera profesionale për të realizuar fotot e dëshiruara;
  • Përdorin skaner për të transferuar imazhe fotografike në kompjuter;
  • Përdorin programe të ndryshme kompjuterike për të përpunuar imazhet fotografike;
  • Krijojnë imazhe të reja fotografike, të digjitalizuara të cilat mund të përfshihen në produktet multimediale;
  • Përdorin airbrush, kompjuter ose teknika të tjera korrigjimi për të krijuar efektin e dëshiruar vizual;
  • Mund të përdorin instrumente delikate, të tilla si mikroskop optik bashkangjitur kamerave apo aparateve të fotografimit për realizimin e një procesi të caktuar fotografimi;
  • Stampojnë fotografitë duke përdorur printer të një cilësie të lartë;
  • Kryejnë stampimin e fotografive në një laborator profesional;
  • Kryejnë ruajtjen dhe arkivimin e fotografive apo regjistrimeve, sipas procedurave të caktuara;
  • Zbatojnë kodin e etikës profesionale;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit.

Ekziston një probabilitet shumë i lartë që të përfshiheni në këtë profesion edhe pa pasur një diplomë, mirëpo është gjithmonë i këshillueshëm një kualifikim profesional, pasi rrit edhe më shumë shanset tuaja të punësimit.

Megjithatë për t’u bërë fotograf ju mund të studioni në fushat e mëposhtme dhe nëpërmjet tyre të mund të merrni bazat e profesionit:
  • Art dhe Dizajn
  • Imazhe digjitale
  • Arte të bukur
  • Grafikë,
  • Studime mediatike
Megjithatë edhe në përzgjedhjen e kurseve duhet të tregoheni të vëmendshëm, kjo sepse përmbajtja e kurseve të fotografisë ndryshon në mënyrë të konsiderueshme. Disa kanë fokus të fortë në artin e mirë dhe studimin e fotografisë si një përpjekje artistike, ndërsa të tjerët kanë një fokus më të përgjithshëm, mund të mbulojnë menaxhimin e një biznesi, të merren me marketingun etj. 

Mbani mend që kualifikimet janë gjithmonë shumë të rëndësishme për ju, veçanërisht nëse preferoni të përfshiheni në fusha të tilla si moda, reklamimi, fotoreportimi, të cilat janë sfiduese nga natyra dhe mund të kërkojnë një shkallë më të lartë njohurish.

  • Kushtet e punës ndryshojnë në bazë të klientëve dhe kërkesave të tyre. Mund të ndodhë që të realizoni aktivitetin tuaj në kushte të vështira atmosferike, vende të largëta, studio me hapësira shumë të vogla , madje në fusha të caktuara të fotografisë, si dokumentari, puna mund të jetë edhe e rrezikshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbulime të zonave të tilla si ato të luftës apo vende me paqëndrueshmëri tektonike. 
  • Do ju duhet të ushtroni palestër, sidomos nëse punoni në fusha të tilla si fotografimi në sport, i cili përfshin përdorimin e lenteve relativisht shumë cilësore, por edhe të rënda.
  • Mundësitë e punësimit në këtë profesion janë të disponueshme në të gjithë vendin.
  • Udhëtimi ka për të qenë pjesë përbërëse e jetës suaj si fotograf i specializuar.

Orët e punës mund të jenë të gjata dhe të paparashikueshme në këtë profesion.

Madje disa herë këtyre profesionistëve do iu duhet që të udhëhiqen nga kërkesat që mund të kenë marrë, pa iu interesuar orari. Për shembull: fotografët e dasmave sezonin e tyre më të mirë kanë pranverën dhe verën, ndërsa fotografët e sportit presin fundjavën ose mbrëmjet për të mbuluar ndeshjet e ndryshme ose ngjarjet me rëndësi.

Mirëpo shumë ndryshe është situata me fotografët e pavarur të cilët kanë mundësinë që ta menaxhojnë kohën në bazë të kërkesave dhe hapësirave që kanë.

Ashtu si edhe në profesione të tjera krijuese, edhe në profesionin e fotografit pagat kanë dallime të dukshme. Shumë fotografë punojnë si të pavarur, kështu që fitimet e tyre janë të lidhura me atë që ata dinë të bëjnë më mirë dhe sa punë mund të arrijnë të sigurojnë. Për këtë arsye të ardhurat ndryshojnë nga projekti në projekt.

Ata fotografë që janë të punësuar marrin një pagë që shkon minimalisht 43.409 lekë në muaj për profesionistët e rinj deri në 62.600 lekë në muaj për ekspertët e fushës.

Mirëpo duhet thënë se ky është një profesion i lirë, pra fotografi është i pavarur dhe shpeshherë edhe i vetëpunësuar, gjë që do të thotë se i plotëson të ardhurat e tij me aktivitete të tjera të ngjashme, siç mund të jetë dhënia e mësimit në fushën e fotografisë.

Shifrat e të ardhurave janë menduar vetëm si një udhëzues.

  • Në një profesion ku shumë prej profesionistëve janë të vetëpunësuar ose realizojnë punë të pavarur, nuk është për t’u habitur që këta të fundit të jenë të vetë-trajnuar, pra autodidakt.
  • Megjithatë diskutimet, seminaret, ekspozitat në internet, ekspozitat në hapësira të posaçme, janë një mënyrë shumë e mirë për të përcaktuar teknika të reja dhe në një farë mënyre për t’i përvetësuar ato.
  • Nëse po mendoni të krijoni një biznes tuajin në fotografi, atëherë përpiquni që paraprakisht të merrni disa mësime rreth biznesit, veçanërisht rreth marketingut dhe promovimit, rreth të drejtave të autorit, kontratave, kontabilitetit dhe menaxhimit financiar bazë.

Është thelbësore që ju të keni përvojë në këtë fushë para se të aplikoni për një punë. Ju do të keni nevojë që të ndërtoni një portofol punimesh profesional dhe mbresëlënës, i cili mund të jetë online, si pjesë e një albumi tradicional ose në një CD. Cilado të jetë forma që ju do të zgjidhni, portofoli juaj duhet të jetë:
  • I paraqitur mirë,
  • I përditësuar,
  • I renditur sipas kohës së realizimit të fotografive. 
Është gjithashtu e dobishme që t’i bashkëngjiteni shoqërive ose shoqatave që kanë në qendër fotografinë, për të vizituar ekspozita dhe galeri, e njëkohësisht për të ndarë eksperiencat tuaja. 

Ka lloje të ndryshe të fotografisë, kështu që nuk ekziston një rrugë standarde e strukturuar për zhvillimin e karrierës. Është e mundur që ju të filloni si asistent në një studio fotografie ose si asistent fotograf dhe rrjedhimisht pritet nga ju që të mësoni dhe të aftësoheni në punën që bëni.

Të mësuarit nga fotografë me eksperiencë, do të thotë se do të keni mundësi që të krijoni një portofol tuajin dhe të takoni fotografë të tjerë. Edhe brenda profesionit ka disa këshilla kontradiktore rreth zhvillimit të karrierës. Disa sugjerojnë se duke u specializuar gjithmonë  e më shumë keni për të pasur qasje më të mirë ndaj tregut të punës, ndërsa disa të tjerë paralajmërojnë mos-siguri brenda një tregu që kërkon gjithmonë e më shumë njerëz të rinj me ide, imagjinatë dhe aftësi të zhvilluara.

Nëse zgjidhni të specializoheni, mënyra më e mirë për të ecur para është që të zhvilloni disa aftësi bazë dhe të keni qasje fleksible ndaj punës.

Ndërsa përfshirja në konkurse, për të fituar një ekspozim në galeri, ka për të qenë shumë mirë për ju, pasi jo vetëm që ka për t’ju ndihmuar në aftësimin e mëtejshëm, por njëkohësisht keni për të krijuar edhe rrjetin tuaj të kontakteve, gjë e cila do të thotë edhe rritje reputacioni.

Gjysma e kompanive në industrinë e imazhit fotografik janë private, të cilat mbeten gjithmonë potencial shumë i mirë për vende të reja pune.

Përveç punëdhënësve në fushën e shtypit, punësimi i përhershëm ofrohet edhe nga një sërë organizatash dhe institucionesh shtetërore:

  • Policia punëson fotografë të mjekësisë ligjore për të marrë detaje nga 'skena e krimit' dhe për të realizuar fotografi mjeko-ligjore. Kjo punë mund të inkorporojë videografi, ndaj kërkon profesionistë të përgjegjshëm dhe të specializuar.
  • Disa muze kanë fotografë të përhershëm që realizojnë katalogë për ekspozitat që vendosen në to.
  • Studiot komerciale, të cilat janë një punëdhënës i rëndësishëm në industri.
  • Shumë organizata të mëdha, si bizneset, universitetet, autoritetet lokale dhe organizatat e bamirësisë, punësojnë fotografë për të pasqyruar aktivitetet e tyre.
  • Linjat e lundrimit dhe kompanitë e pushimeve përdorin fotografët për të siguruar një shërbim profesional ndaj klientëve, por gjithashtu edhe për të marketuar produktet që ata janë duke shitur. 
  • Revistat kryesisht punojnë me fotografë të pavarur, mirëpo disa preferojnë të punësojnë edhe fotografë të përhershëm.

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Fotograf në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Fotograf
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Fotograf është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Fotograf është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD