Aktor
Gjirokastra Line
Kërko profesionin
Kërko me fjalëkyçe
Kërkesa e Tregut
Prurjet Vjetore
Niveli i Arsimit

Shpërndaje tek miqtë e tu!

LinkedIn Whatsapp

Aktor

Aktualiteti

Paga Minimale: 65.000 Lekë
Kërkesa e tregut: E Ulët
Prurjet vjetore: Të Larta

Mundësitë e punësimit

30%

Nëse një nga dëshirat e tua më të mëdha është të performosh dhe ke vendosmërinë e duhur për të arritur suksesin, si  dhe aftësinë për të përballuar kritikat, atëherë karriera e aktrimit do të të ofrojë mundësi të panumërta.

Ajo që duhet të dini është se një aktor komunikon një karakter ose situatë para  një audience nëpërmjet dialogut, gjuhës së trupit dhe lëvizjeve. E gjithë performanca zakonisht përfshin një punë të palodhur të bërë paraprakisht nga skenaristi i veprës, sigurisht me iniciet dhe mbështetjen që i ka dhënë më parë regjisori. Megjithatë, pesha më e madhe i mbetet aktorit, pasi është ai që bën kontaktin me audiencën, ndryshe e thënë “pasqyra” e gjithë ekipit që qëndron pas skene. Është përgjegjësia e aktorit që personazhin e krijuar nga skenaristi, të imagjinuar nga regjisori, ta kthejë në një njeri me jetë, me frymë, me zemër, me ndjenja, me moral e gjithë cilësitë që një individ ka.

Nëse keni vendosur të keni një karrierë si aktor, atëherë mbani mend se ka një ndryshim rrënjësor mes skenës së performancave reale në teatër, nga skenat e sop operës, punës në radio, reklamave televizive, madje edhe pjesëmarrjeve në kaste filmash.

  • Aktor
  • Aktor Dramatik
  • Aktor Filmi
  • Aktor Komik
  • Drejtor Filmi
  • Drejtor Radio
  • Drejtor Skene
  • Drejtor Teatri
  • Drejtor Televizioni
  • Tregues - Historish në Radio / Televizion 

Ty do të duhet të tregosh se ke:

  • Komunikim shumë të mirë dhe aftësi të mira dëgjimi
  • Përpikmëri dhe seriozitet
  • Aftësinë për të interpretuar dhe analizuar rolet
  • Aftësinë për të bashkëpunuar në grup
  • Aftësinë për të pranuar instruktimin dhe kritikat 
  • Vetëbesim për të krijuar kontakte të reja
  • Vetdisiplinë dhe qëndrueshmëri për të përballuar orët e gjata të punës
  • Elasticitet dhe vendosmëri
  • Aftësi shtesë - këto mund të kërkohen për disa role, të tilla si aftësia për të kënduar, vallëzuar ose për të luajtur një instrument muzikor

  • Mësojnë fjalët, shenjat dhe luajnë pjesë në produksione dramatike, në skenë, reklama, televizione, radio apo filma
  • Marrin rolin e karaktereve të krijuara nga një skenarist apo autor dhe i'a prezantojnë këtë audiencës
  • Tregojnë histori apo lexojnë punime letrare me zë të lartë për të edukuar dhe argëtuar dëgjuesit
  • Marrin pjesë në audicione dhe thirrje për punë në mënyrë që të luajnë role
  • Përgatiten për performancën e tyre nëpërmjet studimit dhe provave për rolin, duke mësuar fjalët dhe gjestet sipas udhëzimeve dhe drejtimit të regjisorit
  • Lexojnë dorëshkrime dhe bëjnë hulumtime për të kuptuar pjesën e roleve, temave dhe karakteret, në mënyrë që të zhvillojnë rolet interpretuese
  • Luajnë pjesët dhe paraqesin rolet ashtu si i kanë zhvilluar gjatë provave në filma apo në produksione televizioni, radio, apo skene
  • Performojnë interpretime gazmore dhe serioze të emocioneve, aksioneve dhe situatave, duke përdorur lëvizjet e trupit, shprehitë e fytyrës dhe gjeste të ndryshme
  • Këndojnë dhe/apo kërcejnë gjatë shfaqjeve dramatike ose komedive
  • Bashkëpunojnë me aktorë të tjerë

Një diplomë Bachelor ose Master nuk është një kërkesë e domosdoshme nëse dëshiron që të fillosh karrierën në aktrim. Gjithsesi, mund të të nevojitet të nisësh një kurs ose program studimi për performacë ose/dhe arte vizuale. Vetëm disa aktorë kanë qenë mjaftueshëm me fat për të nisur karrierën e tyre në aktrim pa asnjë trajnim të mëparshëm; shumë të tjerë kanë punuar për vite me radhë pa fituar asgjë, edhe pse mund të kenë nisur në një moshë shumë të re. 

Nëse je një student që po vazhdon aktualisht studimet, në cilindo program, mund të fitosh eksperiencë në aktrim edhe nëpërmjet dramatizimeve që mund të bëhen nëpër kurse ose klube shkollore, në ambjente ose aktivitetet që frekuentoni. Aftësitë e zhvilluara edhe në programe të tjera si muzikë psh, janë gjithashtu cilësi shumë të vyera. 

Kurse me specialitet dramaturgjinë, kërcimin ose pjesëmarrja në performancat e shkollës së arteve kanë tendencën të jenë shumë profesionale dhe praktike nga natyra, por që mund t’ju japin edhe një eksperiencë të vyer dhe të vlefshme. Duhet të dini se studimet pasuniversitare nuk janë të domosdoshme në këtë profesion, mirëpo janë një mënyrë shumë e dobishme për të fituar aftësi, eksperiencë dhe për të krijuar kontakte të reja. 

Hyrja në konkurse dhe kurse të përshtatshme duhet të jenë intensive. Është shumë e rëndësishme që të jesh gjithnjë i vëmendshëm, pasi në një moment mund të gjesh dikë që sheh tek ju potencial, të vlerëson dhe mund të fitosh rolin e jetës. 

Megjithatë, nëse rikthehemi tek edukimi që mbetet sigurisht një pikë kyçe për të pasur një karrierë ndoshta më të suksesshme, ka një numër të konsiderueshëm institucionesh që ofrojnë master dy-vjeçar, ku diplomohesh për aktrim. Mos harroni dhe kurset verore nga të cilat mund të specializohesh në një zhanër të caktuar si dramë, komedi, interpretim etj.

  • Aktorët zakonisht punojnë në ambjente të mbyllura nëpër teatro dhe studio televizioni, megjithatë disa projekte kërkojnë që aktorët të punojnë jashtë këtyre ambjenteve, për shembull në një film, televizion ose teatër me skenë të hapur në rrugë. 
  •  Koha që duhet të kalosh me familjen sa vjen e zvogëlohet dhe kjo është diçka e pashmangshme. Vetvetiu vjen edhe ndërprerja e jetës shoqërore, pasi koha nuk të premton, ndaj edhe shumë aktorë e lënë  profesionin për shkak të vështirësive të hasura në punë. 
  • Pasi të keni treguar se jeni profesionalë dhe të mirë për të punuar me këtë profesion, duhet të filloni të llogarisni personat që mund të të mbështesin dhe i ke pas vetes, pasi rekomandimi me fjalë, ose komunikimi gojë më gojë, është shumë i zakonshëm dhe shpeshherë merret më shumë se për bazë.

Orët e punës në këtë profesion mund të jenë shumë të gjata dhe sigurisht jo të paracaktuara, pasi varet gjithnjë nga angazhimi që skenari ose vepra kërkon. Ndërkohë që edhe kur zhvillohet një tur, aktori ndodh që të përsërisë skenarin përgjatë ditës, në udhëtim dhe në mbrëmje të dalë para spektatorit. Mos mendoni se vetëm veprat e vendosura në teatër janë të tilla, përkundrazi, edhe përgjatë televizionit ose punës në një film, shpeshherë i dihet orari i fillimit, por asnjëherë i përfundimit.

Pagesa e aktorëve në vendin tonë është e ndarë në kategori:

  • Kategoria e parë paguhet rreth  87.000 lekë në muaj
  • Kategoria e dytë paguhet rreth 75.000 lekë në muaj 
  • Kategoria e tretë paguhet rreth  65.000 lekë në muaj
Duhet të dini se fitimi në këtë profesion është i madh nëse angazhimi është i tillë. Aktorët kalojnë më shumë se 80% të kohës së tyre të lirë në punë, kështu që përgatituni për shumë përpjekje, lodhje dhe angazhim. 

Pasi fillon të punosh si aktor nuk ka gjasa që trajnimi formal  të të çojë në kualifikime të lidhura me profesionin. Aftësitë zhvillohen në punë, nëpërmjet provave dhe performancës, ndërkohë që krijon kontakte dhe eksperiencë që është e vlefshme për të mbushur CV-në tuaj. Disa herë do të lindë si nevojë që të mësosh aftësi të reja për një rol, që mund të jenë kërcimi ose akrobacitë, madje nuk janë të pakta rastet kur regjisori mund të caktojë një mësues që të të trajnojë për këtë gjë. Ajo që nuk duhet të të habisë është se do të të duhet të investosh në karrierën tënde duke paguar edhe trajnimet që të duhen për të plotësuar rolin, sepse gjithçka është merr dhe jep, sidomos në këtë profesion. Të mësuarit e aftësive të reja si kërcimi apo këndimi, mund të rrisin shanset e tua për të qenë i suksesshëm në realizimin e rolit kryesor, kështu që mendojeni mirë. 

Nuk ka asnjë rrugë të vetme të shtruar me petale që është duke të të pritur për të të bërë ty aktor. Eksperienca është faktor shumë i rëndësishëm, ndaj edhe duhet të kesh cilësi dhe jo vetëm, mbi të gjitha duhet talent, vendosmëri, punë e fortë, po më e rëndësishmja, shumë fat.

Mënyrat sesi mund të fitosh eksperiencë janë të shumta. Mund të ndodhë përmes shkollës, grupit të të rinjve ose komuniteteve amatore të dramatizimit ku bën pjesë, e pse jo edhe bashkëpunimi ose ndihma që mund të japësh në teatër ose studio televizioni.  

Përpos mënyrave tradicionale duhet të merrni për bazë edhe disa mënyra të tjera alternative që mund t’ju japin një dorë në fillimet tuaja, si përshembull kampet e pushimeve ose resortet, ku mund të punosh si aktor zbavitës ose operator turistik.

Por edhe të regjistrohesh në agjenci ose të sigurosh role të vogla në programe televizive ose reklama, mund të jetë një rrugë shumë e mirë drejt realizimit të një karriere si aktor. Janë ato që quhen ndryshe edhe si “fillime të mbara”. Sa më shumë është e ekspozuar figura juaj, aq më të shumta janë mundësitë për të nisur diçka më të madhe.  

Nuk ka përparim normal të karrierës për një aktor. Ti mund të shpenzosh të gjithë karrierën duke lëvizur nga një kontratë aktrimi tek një tjetër, duke bërë të njëjtën punë pa fituar asnjë përgjegjësi më tepër ose ndonjë rritje të konsiderueshme të pagës, por mos u demoralizoni. 

Suksesi me një kontratë, jo domosdoshmërisht çon  në një punë më të mirë dhe mund t’ju duhet që të lëvizni mes teatrit, radios, televizionit dhe filmit. Ju duhet të jeni të përgatitur për ngritjet dhe zbritjet që ekzistojnë, por edhe me mungesën e sigurisë që në këtë profesion është diçka mëse e natyrshme dhe e pranueshme. Nëse nuk e përballon dot, mund të mos të pranosh të bëhesh pjesë e kastit dhe kështu të humbasësh një mundësi, ose të zgjedhësh të qëndrosh pavarësisht rrezikut.  

Përparimi i karrierës mund të marrë formën e të mësuarit të aftësive të reja ose të degëzohet me  fusha të ndryshme të performancës.

Ju mund të keni mundësi të kaloni në zona të tjera, të tilla si menaxhimi i teatrit, shkrimi i skenarit apo drejtimi; apo edhe të krijoni një teatër apo një kompani të prodhimit të filmit dhe televizionit, mjafton të ekzistojë dëshira, vullneti dhe aftësia për të bërë diçka të mirë.

Aktorët kanë mundësi që të punësohen në:

  • Kompani që ofrojnë vende pune për aktorë sezonalë kohë gjatë së cilës duhet të performojnë një numër të caktuar rolesh.
  • Në kompani që përdorin teatrin komercial për të krijuar vepra teatrale ose muzikore dhe i vënë në jetë nëpër ture teatrore ose në skena të hapura.  
  • Kompanitë teatrale të vogla, të cilat  janë kompani që punësojnë një staf të vogël të specializuar në një kategori të caktuar të aktrimit. Disa kanë për qëllim të bëjnë shfaqje për njerëzit që normalisht nuk kanë qasje në prodhime më të mëdha. Ata performojnë në vende të ndryshme , duke përfshirë qendrat komunitare, kisha ose parqe publike. 
  • Teatrot e rinj. Këto teatro janë një mundësi shumë e mirë pasi aktivizojnë në role, të rinj të cilët ndodhen jashtë sistemit të edukimit formal. 
  • Kompanitë e filmit, televizionit dhe radios që punësojnë aktorë për të punuar në produksione të caktuara. Kontratat zakonisht variojnë nga një ditë në disa muaj ose më shumë.
  • Aktorët mund të punësohen gjithashtu  për të dalë në video promocionale ose për të marrë pjesë në ngjarjet e trajnimit të korporatave, ku mund të lehtësojnë aktivitetet, si dhe të mund të përcaktojnë më mirë rolet e stafit.
  • Interneti gjithashtu i ka rritur shumë mundësitë për aktrimin. Me anë të videove që janë bërë virale ose kontentet ekstra që lidhen me filma ose programe televizive. Disa video-lojëra përfshijnë mundësi për punësimin e aktorëve duke përdorur teknologjinë e “fotografimit të emocionit”. 
Muzetë, organizatat për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe kompanitë që organizojnë ture, shpeshherë punësojnë aktorë për të shpjeguar e interpretuar mesazhin që duan të japin, ku përfshihen gjithashtu edhe interpretimi i një karakteri historik ose të zhvillohen biseda të gjata me karakter narrativ me vizitorët. 

   Rrugëtimi i Profesionit

Për të ndjekur profesionin Aktor në Republikën e Shqipërisë ne ju sugjerojmë të ndiqni programet si më poshtë:
  • Programe Bachelor
    Sistemi Bachelor aplikohet në të gjithë universitetet publike apo private. Më poshte jane listuar disa programe te cilat kane lidhje te drejtperdrejte ose jo me profesionin: Aktor
  • Programe Profesionale
    Vëmendje: Nëse ju zgjidhni një program profesional nuk mund të vazhdoni studimet Master, pasi për këtë është e domodoshme të keni 180 Kredite nga studimet e ciklit të parë.
  • Master Profesional
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Aktor është i domosdoshëm një specializim për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master Profesional të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
  • Master të Shkencave
    Sipas hulumtimeve të specialistëve në Eduaktiv, në profesionin Aktor është i domosdoshëm një specializim Master për të qenë konkurent në tregun e punës. Më poshtë janë të listuara disa nga programet Master të Shkencave të cilat mund ti ndiqni pasi të përfundoni ciklin e parë të studimeve bachelor.
Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD