Shërbimi psiko-social në shkolla dhe nevoja për ta mbështetur atë - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Vlora

Shërbimi psiko-social në shkolla dhe nevoja për ta mbështetur atë

Shkolla jonë ka arritur në një pikë ku shërbimi psiko – social  vlerësohet dhe madje  kërkohet përherë e më shumë. Dhe jo vetëm në shkolla, por edhe jashtë shkollave, në komunitet, duke e parë si nevojë dhe domosdoshmëri jetike për të afirmuar dhe përgatitur një brez të shëndetshëm dhe të orientuar qartë në jetën e tyre. Sigurisht që janë shumë faktorë që ndikojnë në jetën e çdo individi, por, është e suksesshme një shoqëri e formuar kulturalisht dhe e përgatitur shkencërisht për administrimin dhe menaxhimin e mirë të aftësive dhe zotësive të saj, për t'i përçuar, zhvilluar dhe pronësuar tek brezat e vazhdimësisë, duke i arsimuar fëmijët e tyre për të gjitha ato që ata duhet t'i dinë në jetë, edhe në rastet kur fëmijët kanë probleme të veçanta njohëse, sociale dhe emocionale, por dhe që metodat e zgjedhura për paraqitjen e njohurive të jenë efikase, që i bëjnë fëmijët të jenë të motivuar, të përshtatur dhe të ndjehen të lumtur për të gjithë kohën që ata gjenden në shkollë. Është armata e madhe e mësuesve dhe i të gjitha shërbimeve mësimore dhe psikoedukative në shkollë, në të gjitha hallkat e saja, që punojnë ditë për ditë për transformimin arsimor të vendit, duke treguar kujdes për të mësuarit individual, për nevojat sociale dhe emocionale të fëmijëve, me qëllim që fëmijët të shfrytëzojnë të gjithë potencialin e tyre, duke e bërë kështu dhe shkollën gjithëpërfshirëse dhe sa më sociale. Në ditët tona, shkolla po vjen dhe bëhet përherë e më sociale, me një pjesëmarrje të gjerë të komunitetit në problemet e shkollës, deri tek elementet më të veçanta të saj, me një përkushtim qytetar me objektivin që fëmijët të mësojnë për atë se si të bëhen anëtarë të përgjegjshëm dhe produktivë të komunitetit të tyre. Për të arritur deri këtu, është detyrë parësore e sistemit tonë arsimor dhe e të gjithë shoqërisë që t'i mbrojmë fëmijët për të garantuar zhvillimin e tyre, i cili lidhet me të drejtat e tyre. Në këtë kuadër, aktorët që veprojnë në shkollë duhet ta konsiderojnë mbrojtjen e fëmijëve jo vetëm si një veprim parandalues, por edhe si ofrim të shërbimeve që fëmija të mos rrezikohet për asnjë moment. Dhe këtë mund ta bëjnë më mirë se askush tjetër, përveç faktorit mësues dhe drejtues dhe shërbimi psiko – social i ofruar në shkollë, duke e konsideruar mbrojtjen e fëmijëve jo vetëm si një e drejtë themelore e tyre, por edhe një mbrojtje si përgjegjësi shtetërore dhe si fuqizim. Për të krijuar klimë të shëndetshme pune në shkollat tona, çdo ditë po punohet me ritëm të lartë dhe me ndjenjë përgjegjësie nga secili mësues. Është për t'u theksuar se deri më sot ndaj shërbimit psikosocial ka patur një lloj paragjykimi, pikërisht për arsyet që theksuam, për mungesën e kulturimit për nevojat tona jetike individuale dhe kolektive. Konceptet se tek psikologu shkon i sëmuri mendor, ka bërë që të fshihen dhe represohen tek fëmijët shumë ngjarje të dhimbshme, që fatkeqësisht i kanë ndjerë pasojat e tyre më vonë, shumë më vonë. Pra, arsimimi është një ndër kriteret bazë për zhvillimin e shëndetshëm dhe të sigurt të fëmijës. Dhe këtu parësor dalin prindërit dhe mësuesit. Vërtetë që prindërit kanë rolin kryesor në rritjen e fëmijëve, por shkollat luajnë një rol të madh në procesin e integrimit të fëmijëve në jetën sociale, është instrumenti parësor përmes të cilit fëmija kupton komunitetin për t'u bërë pjesë e tij. Prandaj shkolla bëhet mjedisi kryesor në procesin e shoqërizimit të fëmijës. Dhe vetë mësuesit kanë mësuar tashmë se e vërteta është se bashkëpunimi me këtë shërbim krijon një mjedis miqësor ndaj fëmijëve, nxitet potenciali i plotë i tyre dhe plotësohen nevojat e tyre individuale. Sot bashkëpunimi i mësuesve kujdestarë, por edhe i mësuesve të lëndëve të ndryshme, që nuk janë mësues kujdestarë, është shumë i mirë. Shërbimi psiko-social kërkohet dhe vlerësohet shumë jo vetëm nga mësuesit, por edhe nga vetë nxënësit. Shpesh nxënësit gjenden në situata shumë të vështira nga ndikimi i shumë faktorëve dhe e vetmja shpresë i bëhet rrëfimi tek psikologu. Për të arritur deri këtu, edhe arsimi shqiptar ka kaluar nëpër faza të vështira për t'u konsoliduar, por duke qenë se është arritur në një pikë të rëndësishme përparimi, është e domosdoshme që ta çojmë atë përpara, duke mos u kursyer për atë që duhet të jetë më mirë.

Leximi i përrallave para gjumit, sa rëndësi ka për...
Mbipopullimi në çerdhe dhe kopshte, problemet dhe ...

Artikuj të ngjashëm

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD