Intervistë me psikologen Denata Toçe, për fëmijët me aftësi ndryshe - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Berati

Intervistë me psikologen Denata Toçe, për fëmijët me aftësi ndryshe

B2ap3 Large Denata Tocce

Puna me fëmijët gjithmonë duhet të jetë e kujdesshme, në kuadër të zhvillimit dhe mirërritjes së tyre, por puna me fëmijët me aftësi ndryshe, duhet të jetë dyfish më e madhe dhe profesionale. Eduaktiv ka zhvilluar këtë intervistë me psikologen Denata Toçe, për mënyrën se si mund të identifikohet një fëmijë me aftësi ndryshe, se çfarë pune duhet të bëjnë prindërit, mësuesit apo specialistët.

Sipas saj, edukatoret apo mësueset, duhet të jenë pjesë e një plani teknik dhe metodik, sesi t'ju asistojnë fëmijëve nëpër çerdhe dhe kopshte, sidomos fëmijëve që kanë aftësi ndryshe. Nga ana tjetër, nuk duhet lënë pas roli i psikologut, asistenca e të cilit është e domosdoshme për fëmijët me aftësi ndryshe. Është ai që vëzhgon, merr të dhëna, sigurohet për to, e më pas ia komunikon prindërve, bashkëpunon me ta dhe edukatoret, duke i këshilluar dhe orientuar për mënyrën se si duhet të sillen me këta fëmijë.

Toçe këshillon prindërit që të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo shenje jo normale që mund të shfaqin fëmijët, të mos i shpërfillin dhe t'ju drejtohen profesionistëve, të cilët nga ana e vetë duhet të veprojnë me ndërgjegjeje profesionale dhe humane. Vetëm kështu, këta fëmijë do të rriten shëndetshëm dhe ashtu si e meritojnë. 

Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë çerdhet dhe kopshtet për fëmijët me aftësi ndryshe?

Mund t'ia fillojmë nga administrimi, ose më mirë ndryshimi i filozofisë së punës midis drejtuesit dhe edukatoreve dhe pastaj ndryshimi i filozofisë së punës së edukatoreve, të cilat nuk janë vetëm roje të fëmijës. Edukatoret apo mësueset, sepse unë i quaj mësuese që tani, duhet të jenë pjesë e një plani praktik, shumë teknik dhe metodik, sesi mund t'ju asistosh fëmijëve nëpër çerdhe dhe kopshte, sidomos fëmijëve që kanë aftësi ndryshe. Janë tre gjëra që duhet të funksionojnë zinxhir me njëra tjetrën, por, duke u nisur nga një metodologji. Aftësitë administrative në asnjë rast nuk mund të lidhen vetëm me faktin nëse është bërë puna, duke u kontrolluar me një vijëzim apo çekim që kjo puna është bërë sot, por duhet të jetë një mbikëqyrje motivuese. 

Unë do të doja shumë që të shihja drejtues çerdhes dhe kopshtesh që janë motivues në sensin profesionale menaxherial të personelit. Por këtë gjë nuk e shoh. Rrallë herë sheh drejtues, që me një lloj gjakftohtësie profesionale, do të mund t'i drejtojnë edukatoret drejt një metodike të caktuar dhe mund të presim që të marrim prej tyre më të mirën. Ne akoma kemi faktorin që personeli ruhet në bazë frike. Nuk bëhet asgjë në bazë frike, bëhet në bazë aftësie dhe në bazë respekti. Në qoftë se do të duhet të kemi një raport horizontal të personelit, do të duhet që të mund të orientohet dhe të shfrytëzohet personeli në aspektin profesional. Për ta shfrytëzuar burimin në aspektin profesional, do të duhet që t'ia tregosh. 

Tre janë gjërat që funksionojnë: thuaja, tregoja dhe pastaj bëje vetë. Nëse ne e kemi aftësinë që të sigurojmë profesionalisht se çfarë t'ju themi këtyre edukatoreve, që këtu fillon trajnimi. Pastaj t'ju tregojmë se si bëhet dhe këtu është post trajnimi. Në fund ta bëjmë bashkë me ta dhe këtu fillon mbikëqyrja. Ti mbikëqyr nëse edukatoret janë duke bërë atë që iu është dhënë në trajnim. Ne mund të bëjmë me dhjetëra trajnime gjatë vitit dhe edukatoret do të ndjehen sërish të pasigurta, në ankth dhe në stres, ku bëjnë një punë që ndjehen kompetente në intuitë dhe eksperiencë, por jo në aspektin didaktik- metodik. Unë do të doja shumë që të shihja sot edukatorë që të ndjehen të sigurt, që në aspektin metodik, kanë një orientim të qartë. 

Unë shoh ende edukatorë të paqartë, që nuk dinë ku ta fillojnë punën dhe si ta mbarojnë. E dinë ata, por e dinë nga një lloj praktike që e kanë ngritur vetë, jodomosdoshmërisht nga një praktikë që plotëson nevojat e fëmijëve. Ndaj sot kemi një trekëndësh, që midis edukatorit, profesionistit të tretë dhe midis drejtuesit ka një diskordancë, ku secili thotë "e ka ky përgjegjësinë, nuk e kam unë", ndërkohë që dikush prej tyre duhet ta marrë përgjegjësinë.

Fëmijët me aftësi ndryshe, si mund të identifikohen? Mund ta bëjë psikologu, edukatorja apo prindi?

Të gjithë mund të identifikojnë diçka nga ky fëmijë. Nëse prindi nuk është ende gati që të kuptojë se çfarë vështirësie ka fëmija, atëherë është edukatori që mund të identifikojë një vështirësi dhe nëse ai nuk është në gjendje, mund ta bëjë psikologu. Të gjithë sëbashku mund të identifikojnë disa simptoma, karakteristika, problematika. Ndoshta me një sy të lirë, nuk ka nevojë që të jesh aq profesionist, mjafton që të jesh i kujdesshëm. Një sy i kujdesshëm vë re problematika që do të duhet padyshim t'i diskutojë për arsye etike, në fillim me prindin. Edhe nëse prindi ka ndonjë problematikë, do të duhet që të jetë sa më i hapur dhe transparent ndaj edukatorëve, por kryesisht ndaj profesionistëve apo specialistëve, që në mënyrë specifike identifikojnë se çfarë vështirësie ka fëmija. Në asnjë rast nuk duhet neglizhuar, qoftë dhe meraku që ka një edukaore, një psikolog apo një nënë. Unë i besoj jashtëzakonisht syrit të nënës. Nëse një nënë thotë e shqetësuar se vë re diçka të pazakontë, me siguri që ka diçka. Ndonjëherë pa i vënë fare edhe një emër, një profesionist do të duhet që të hulumtojë nëpërmjet protokolleve të sigurta dhe protokolleve që janë të evidentuara shkencërisht, që mund të shikojnë nëse realisht fëmija ka një problem. Në asnjë rast një edukator, një mësues, apo një psikolog çerdheje, kopshti apo shkolle, nuk merr përsipër të bëjë vlerësimin dhe diagnozën brenda institucionit dhe të marrë përsipër të vendosë një emër dhe këtë të dalë dhe t'ju flasë prindërve hapur. Kjo gjë do të thyejë etikën profesionale në radhë të parë, por edhe etikën humane e njerëzore.

Zakonisht ka një qarkullim logjik të informacionit dhe të asaj që ne identifikojmë. Ai informacion identifikohet bruto dhe nga personeli, i komunikohet menjëherë drejtuesit të institucionit, që duhet të flasë me prindin, pasi ka evidentuar disa shqetësime. Duke folur me të dhe me psikologun, i cili do të duhet që të bëjë një vëzhgim më të detajuar dhe me këtë nuk mund të bëjë asnjë lloj përcaktimi. Do të duhet që nëpërmjet asaj që shikon, të mbajë shënime dhe më pas të mbajë një takim shumë konfidencial me prindin. Ky takim mbetet konfidencial deri në momentin që fëmija nuk ka shkuar përballë një specialisti. Këtu kemi sërish një ngërç, jo të gjithë specialistët janë të identifikuar në institucionet shtetërore. Do të ishte mire që të kishte një protokoll, ku ne e dimë që një pediatër ose neuropediatër identifikon problematikën dhe pastaj e referon te një specialist tjetër, brenda një protokolli të përcaktuar. Ndiqen disa protokolle vlerësimi, derisa arrihet në një konkluzion fillestar. 

A mund të identifikohen që në çerdhe problemet që ka një fëmijë?

Fëmija nuk është asnjëherë i vogël për të qenë i gjallë, për të qenë aktiv, për të qenë i komunikueshëm, i kuptueshëm nga ambienti, për të kuptuar ai vetë ambientin, për të bashkëvepruar me të, për të kërkuar atë që do, pra për të qenë aktiv. Një fëmijë është aktiv që në barkun e nënës, një fëmijë është në lëvizje dhe pastaj pjesë e një bote, me të cilën ai do të duhet të kuptohet me të, do të ketë një marrëdhënie me të. Nëse çedon marrëdhënia me tjetrin dhe botën, nëse çedon marrëdhënia me veten, kur fëmija nuk arrin të identifikojë atë që do, nëse çedon bota e komunikimit dhe jo vetëm e të folurit, nëse çedojnë sjelljet që fëmijët i shpërfaqin në mënyrë të zakontë, nëse ka një çedim në përshkallëzimin e zhvillimit, ku do të duhet të përputhen kriteret e zhvillimit, që secila moshë ka, atëherë prindi do të duhet të shqetësohet. 

Por jo të gjithë prindërit janë të ndërgjegjshëm dhe kanë informacion se çfarë duhet të bëjë një fëmijë 6 muajsh, nëse duhet të qeshë apo të rrijë ndenjur. Mund të dinë disa gjëra nëse kanë një fëmijë të parë, por nuk janë shumë të qartë. Gojëdhënat tregojnë se djemtë flasin pak më vonë sesa vajzat dhe prindërit vazhdojnë me këtë lloj miti, pa u shqetësuar se fëmija mund të ketë problematikë tjetër. Flet aspo s'flet është një problematikë, ndërkohë që komunikimi dhe moskomunikimi është një gjë tjetër, sepse ndonjëherë e lidhim me ndonjë çrregullim të folurit, por ndërkohë është një problematikë krejt tjetër dhe për këtë është specialisti. Megjithatë unë gjithmonë inkurajoj prindërit dhe them që sikur vetëm konstatimi i një elementi të vogël, që ju shqetëson apo ju mban në ankth, sado i vogël qoftë ky ankth, do të duhet të shkoni te specialisti, sepse identifikimi i hershëm i çfarëdolloj problematike është si një nxitje për të dhënë një mundësi më shumë që fëmija të ketë më shumë përmirësim.

Në fakt në Shqipëri ekziston një problematikë tjetër. Ne kemi parë se ka prindër që nuk i pranojnë problemet që ka fëmija i tyre dhe për rrjedhojë nuk pranojnë as ndihmën që mund t'ju jepet nga specialistët dhe edukatoret në çerdhe dhe kopshte.

Është e vërtet, por ne jemi adult dhe kur kemi një problem personal, e kemi shumë të vështirë që të pranojmë që ky problem ekziston te ne. Individi është i programuar në mënyrë të tillë dhe ka disa mekanizma mbrojtës, me të cilët bën një luftë të madhe. Thellë-thellë prindi e di që ka diçka që nuk shkon, veçse do të duhet që të mund të bëjë paqe çdo ditë që ta pranojë këtë problematikë. Mekanizmat mbrojtës të individit nuk lidhen vetëm me vetveten, lidhen edhe me shoqërinë, edhe me mentalitetin dhe me faktin e mosbesimit profesional. Nuk ka një terren kaq bindës që prindi të mund ta kuptojë se gjen paqe dhe prehje te një specialist. Do të duhet ta kuptojmë prindin në këtë këndvështrim.

Ka prindër që kanë hasur një vështirësi njëra pas tjetrës dhe prindër që kanë një të kaluar që i ka ndëshkuar eksperienca me specialist medikal, apo specialist të tjerë ku e drejta iu është shkelur, ku e vërteta iu është fshehur, apo edhe kur iu kanë thënë diçka, ka dalë që nuk ishte ashtu. Dëgjoj njerëz që janë diagnostifikuar për diçka të caktuar dhe në fund nuk ka qenë ajo, por ka qenë diçka tjetër. Për mua kjo është një eksperiencë sociale ku humbet besimin ndaj specialistit. Ndaj në këtë rast nuk i vë faj një prindi që vë mekanizma mbrojtës për të mos e pranuar. Ne themi që se pranon, ndërsa unë e quaj si një lloj mbrojtjeje të fortë, për të kuptuar nëse është e vërtetë që fëmija ka atë lloj problemi që specialistët thonë, apo që ky fëmijë ka nevojë për shumë më tepër se kaq. Është edhe pjesa e shpresës, se ky fëmijë është shumë herë më tepër se çfarë më thonë të tjerët, se unë e kam çdo ditë në shtëpi në fund të fundit. Nëna dhe prindi ndjehen si pushteti më absolute i njohjes së fëmijës. Janë shumë gjëra për të cilat unë nuk i fajësoj prindërit, megjithatë vjen një moment kur me të vërtetë është shumë vonë, kur prindi bëhet koshient dhe i ndërgjegjshëm që do të duhet t'i vijë në ndihmë fëmijës.

Këtu unë doja të balancoja shqetësimin e një prindi dhe ndërgjegjësimin për një kujdes shumë të veçantë dhe shumë të ndërgjegjshëm të një profesionisti, që jeta që kanë në dorë është jeta e një fëmije dhe jeta e një familjeje dhe çdo lloj fjale që del nga goja e tyre, godet te nëna tamam si një lloj gdhendjeje në gur. Prandaj duhet që çdo profesionist që merr mundimin e ndërgjegjshëm, human e profesional, të kujdeset që çdo informacion që nxjerr nga goja. 

Kjo do të thotë se në fillim duhet të ndërgjegjësohen specialistët dhe pastaj prindërit.

 Kjo është si një rrjetë. Të dyja palët do të duhet të ndërgjegjësohen, se nëse ka një vështirësi që ekziston te fëmija, ajo është aty për sa kohë edhe prindi vetë është i shqetësuar për ta ditur se çfarë është dhe sesi mund t'i vijë në ndihmë në mënyrën e duhur. Një prind zbulon se fëmija ka diçka dhe është në mes katër rrugëve se nuk di ku të shkojë. Edhe nëse e gjen se ku do të shkojë, puna është se si do ta paguajë. Jo çdo gjë në Shqipëri që është e mirë, është e mundur për t'u arrirë, sepse është e pasuportueshme financiarisht. Një prind ka dhjetëra e dhjetëra dilema. Vihet përballë një specialisti dhe thotë se si do ta paguajë. 

Shteti jep një ndihmë, minimalen e minimales, për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe fëmijët me aftësi zhvillimi. Janë disa qendra që bëjnë disa përpjekje, që janë shtetërore dhe që kanë mbetur në ujëra të vakët dhe të papërditësuar, siç është Qendra e Kombinatit. Para një dekade ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer, me disa projekte të jashtëzakonshme nga zviceranët, që dhanë një metodikë dhe një kontribut profesional. Ndërsa sot nuk e di sesi ka mbetur, do të duhet ta vëzhgoni vetë. Nëse do të duhet që një fëmijë të shkojë të marrë shërbim falas atje, shërbimi të lë për të dëshiruar. Sot kemi disa qendra komunitare që po bëjnë një përpjekje të mirë, bashkia ka bërë disa përpjekje të mira, por për mendimin tim do të duhet shumë herë më tepër, duke e nisur nga një plan strategjik, profesional dhe metodik të disa njerëzve që këtë punë e kanë nisur shumë më parë dhe dinë ta bëjnë shumë herë më mirë dhe ne do të duhet t'i sjellim sa më afër vendit tonë. Shqipëria nuk ka një të kaluar shkencore apo klinike që mund t'ju vijë këtyre fëmijëve në ndihmë. Nuk e ka fatkeqësisht, sidomos për fëmijët me autizëm, fëmijët me probleme të përgjithshme të zhvillimit apo sindroma të ndryshme. Ne njohim dy ose disa sindroma, por ka me dhjetëra që ne ende nuk i kemi të njohura e të prekura, nuk i kemi kaluar në një informacion të përgjithshëm social dhe jo më pastaj profesional. Janë disa profesionistë në Shqipëri, që janë të rrallë sepse punojnë me dedikim, por nuk mjaftojnë.

A jemi ne aq të ndërgjegjshëm që nuk mund ta fillojmë vetëm me prindin? Është jashtëzakonisht e kollajtë dhe tunduese që ne të fajësojmë prindin, mund ta bëjmë fare kollaj, por duhet të ndërgjegjësohemi së s'mund ta fillojmë nga ai. Prindi është thjesht një familjar i shqetësuar, i cili fle dhe gdhihet me të njëjtën problematikë, në kokë dhe në shpirtin e tij. Sesi mund t'i vijmë ne në ndihmë, do të duhet që të vrasim mendjen dhe të reagojmë në aspektin institucional, se si mund t'ju kontribuojmë këtyre njerëzve në mënyrë praktike dhe teknike. Dikush tjetër ka një hartë pune, se si mund t'ju asistojmë fëmijëve me aftësi ndryshe, se si prindi të ndjekë një protokoll, të takohet me disa specialistë të caktuar që e drejtojnë drejt një trajtimi të caktuar dhe në fund të ditës fëmija merr trajtim. Se kush do ta ofrojë këtë trajtim, si për ata që kanë dhe ata që s'kanë mundësi ekonomike, këtu duhet të jetë një rregullator i mbarëvajtësve të shëndetësisë për t'iu asistuar qytetarëve të këtij vendi. A mund të themi ne që sot kemi prindër që nuk e pranojnë? Kam frikë se ky problem nuk mund të shihet thjesht në aspektin e injorimit dhe mungesës së informacionit.

Pse është i nevojshëm shërbimi i psikologut dhe punonjësit social në çerdhe dhe kopshte e pastaj në shkolla?

Është i nevojshëm, sepse nëse një psikolog do të bënte punën që duhet të bënte, do të duhet t'i asistonte problematikës së fëmijës direkt në terren, sikundër do të duhet ta bënte një punonjës social, i cili duhet të shikonte se cilat janë kushtet e fëmijës e cilat janë problematikat e fëmijës. Më besoni që problematikat e fëmijës nuk janë vetëm problematika zhvillimi, janë edhe problematika sociale, prandaj duhet që të asistohet në kohë. Do të duhet që një psikolog të marrë të dhëna precize, të shikojë ku qëndron problemi, t'iidentifikojë ato duke u bazuar te kompetencat e veta dhe jo duke dalë nga njohuritë që ka. Do të duhet që të bashkëpunojë ngushtë me edukatoret, që mund t'i orientojë dhe drejtojë, sesi mund t'ju vijnë në ndihmë këtyre fëmijëve, mund të jetë një rregullator i jashtëzakonshëm midis edukatorit dhe prindërit. 

Psikologu duhet t'ju ofrojë këshillim dhe informim prindërve, në raport me problemin dhe si evoluon ai. Po a mundet një psikolog t'i bëjë të gjitha këto? Do t'i bënte nëse do të kishte edhe terrenin e duhur për të punuar. Një psikolog me tre kopshte apo tre shkolla, nuk mund t'i bëjë të gjitha këto. Do të duhet që të ketë një psikolog për secilin institucion dhe disa punonjës socialë që punojnë në terren. Do të duhet që psikologu të punonte ngushtë edhe me institucione të tjera të edukimit, që ju ofrojnë shërbim këtyre fëmijëve dhe bëjnë lidhjen e informacionit të shërbimit që merr fëmija në këto institucione dhe shërbimet që duhet të marrë në institucionet e edukimit, siç janë çerdhet dhe kopshtet. 

A e bën psikologu një gjë të tillë? Nuk di t'jua jap të gjitha evidencat. E vetmja gjë që di unë, është se shërbimi i psikologut në çerdhe dhe kopshte është kritik, nëse puna e tyre bëhet me parametrat që kërkon ky profesion.

Pakti për Universitetin, sa zgjidhje marrin 8 kërk...
Në kopshtin “Memaliaj” dhe ish- qytetin e qymyrgur...

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD