Edukim dhe mikpritje në Tropojë - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Vlora

Edukim dhe mikpritje në Tropojë

B2ap3 Large IMG 026 20190117 120247 1

Mikpritja nuk është kthyer ende në një mit. Pavarësisht zhvillimit, shkëmbimit dhe sjelljes së kulturave perëndimore, në Shqipëri mbeten të ngërthyera fort vlerat dhe traditat e së kaluarës. Ne të Eduaktiv patëm fatin të "takonim" mikpritjen në Tropojë.

Në kuadër të projektit "Liberi", udhëtuam më 7 dhjetor, në skajin verior të Shqipërisë, për të mbledhur informacion për çerdhet dhe kopshtet. Tropoja në kohë dimri ishte shumë e zymtë dhe kjo zymtësi e bënte të dukej më të varfër edhe më të trishtë. Por, gjithë kjo zymtësi do të rrëzohej përtokë, pasi të takonim banorët e saj.

Duke qenë një qytet i panjohur, dy edukatoret e kopshtit Nr. 1, aty ku kishim lënë takimin, na dolën para, për të na lehtësuar gjetjen e kësaj godine, që ndodhej në lagjen "Partizani". Nga jashtë ishte një godinë e vjetër, e amortizuar dhe pa lojëra në oborr.

Fatmirësisht, pamja nga brenda merrte ngjyra të tjera. Muret, edhe pse të përlyer nga lagështia, ishin të zbukuruar me kënde edukuese, vizatime e punime të fëmijëve. Njëra nga dhomat e fëmijëve, ishte përshtatur prej edukatoreve, në të tillë mënyrë që të akomodohej i gjithë stafi, ndërsa në tavolina ishin vendosur pije dhe ushqime.

Pasi u sistemuan të gjitha, drejtoresha e dy kopshteve të qytetit të Tropojës, Hasime Gjongecaj, ishte e para që mori fjalën dhe foli edhe për gjendjen e kopshteve. Aktualisht në këtë Bashki janë 22 kopshte, 2 prej të cilëve janë brenda qytetit, kopshti Nr. 1, i cili kishte me 99 fëmijë dhe 12 edukatore, ndërsa kopshti Nr. 2 kishte 94 fëmijë dhe 8 edukatore. Ndër të tjera Gjongecaj, theksoi nevojën për rikonstruksionin e godinave të ndërtuara para viteve 1990. Edhe pse me hapësira të konsiderueshme, nevojitej më shumë ndërhyrje dhe bazë materiale e didaktike.

Për t'u njohur më shumë me punën në këto kopshte, realizuam një intervistë të gjatë me edukatoren Mane Danaj. Në fakt, ajo kishte 4 vjet në këtë detyrë, por një periudhë të gjatë prej 32 vjetësh në arsim. Duke kaluar në pozicione të ndryshme, si drejtuese, mësuese, ndihej vërtet e lumtur që tashmë punonte në këtë kopsht.

"E them shpeshherë, që është gjynah të ankohem, që punoj me engjëj. Sepse i dua fort dhe me duan fort. Punoj dhe as që ka shanse të them që u lodha", u shpreh Danaj.

Më tej ajo na tregoi për vështirësitë që hasin edukatoret në punën me fëmijët, ku një ndër to është puna me prindërit. Sipas saj, ata duhet të trajnohen, për të kuptuar nevojat që kanë fëmijët, duke i distancuar ata sadopak nga problemet dhe vështirësitë e përditshme.

E normalisht që puna me njerëz të tillë që kanë një kohë të gjatë në arsim, është fat, jo vetëm në shkëmbimin e eksperiencave, marrjen e këshillave apo gjetjen e zgjidhjeve. Këtë konstatim e morëm nga një prej kolegeve të Danajt, prandaj kurrsesi nuk mund të largoheshim pa marrë një këshillë, për edukatoret e reja.

"Duhet t'i trajtojnë fëmijët si të rritur, në radhë të parë. Edukimi më i mirë, mendoj unë, është nëpërmjet lojës, t'ju falin shumë dashuri, thashë sepse ndoshta ju mungon. Asnjë prind, nuk aludoj që se do fëmijën e vet më shumë se unë, jam plotësisht e bindur dhe të gjithë jemi të bindur. Ama unë e shoh që këta kanë nevojë, t'i lësh të shprehen, t'i duash, t'i lësh të punojnë, t'i lësh të prekin çdo gjë brenda kopshtit. Po eksploruan, po e prekën, po eksperimentuan vetë, i kanë të fituara njohuritë', tregon ajo.

Në përfundim të takimit, drejtuesja dhe disa edukatore, me shumë përzemërsi na përcollën, për ta çuar mikpritjen deri në fund. Teksa komentonim pamjen e vjetruar dhe plot lagështirë të godinës, nuk munguan as shakatë. "Ne nuk punojmë për fasada, punojmë për brendësinë. Ju e patë që shkëlqimi ynë është në punën me fëmijët, në dashurinë dhe ngrohtësinë që u falim atyre," tha Gjongecaj.

E në fakt, një ndjesi të tillë e provuam edhe vetë, kur shkelëm Tropojën. Ai imazhi gri dhe i ftohtë, u ngjyros nga dashamirësia, respekti dhe mikpritja. Pavarësisht varfërisë, vështirësive dhe mungesave, shpirti ishte plot pozitivitet dhe dashuri. Ngjyrave të tilla nuk ua zbeh askush efektin.

Në kopshtin “Memaliaj” dhe ish- qytetin e qymyrgur...
Mundësi internship-i në Eduaktiv

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD