Eduaktiv në qytetin e një mbi një dritareve - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Shkodra

Eduaktiv në qytetin e një mbi një dritareve

B2ap3 Large IMG 0033

Berati njihet për atraksionet e veçanta turistike, lagjen "Mangalem", lagjen "Goricë", lagjen "Kala", objektet e kultit dhe pikturat e famshme të Onufrit. Të tilla vlera e bëjnë më të kërkuarin për turistët shqiptarë dhe të huaj. Si një qytet me trashëgimi dhe arkitekturë të veçantë, Berati nuk mbetet pas nga kultura dhe arsimi.

Në kuadër të projektit "Liberi", Edukativ realizoi në muajin tetor, një takim me drejtoreshat dhe edukatoret e çerdheve dhe kopshteve, në ambientet e Bashkisë. Takimi më befasues për faktin se salla u mbush pothuajse plot dhe gjatë gjithë takimit shtoheshin më shumë pjesëmarrësit, duke dëshmuar kështu interesimin për çështjet e arsimit.

Qyteti i Beratit ka 9 kopshte dhe 3 çerdhe. Ashtu siç na ka ndodhur të hasim rëndom problematika, edhe institucionet arsimore të Beratit nuk i kishin shpëtuar këtij fakti. Në formularin për të dhëna që plotësuan drejtoreshat e çerdheve, evidentuan nevojën për të pasur mjek pediatër dhe psikologe në këto institucione. Ndërsa në kopshte problematikat ishin më të ndryshme, nevoja për ndërhyrje në infrastrukturë, sidomos në kopshtin "10 korriku" dhe "28 Nëntori", i cili frekuentohej nga 113 fëmijë. Pothuajse për të gjitha kopshtet, drejtoreshat shprehën nevojën për më shumë bazë materiale dhe didaktike.

Një kërkesë e veçantë u drejtua nga drejtoresha e kopshtit "Lambrini Puli", i cili frekuentohet nga fëmijët egjiptianë. Kështu, mes 78 fëmijëve të këtij kopshti, 23 prej tyre vinin nga ky komunitet. Drejtoresha sugjeronte që të rishikohet mundësia e sigurimit të një vakti ushqimor për fëmijët e familjeve me nevoja të mëdha ekonomike.

Nuk mungonin as kërkesat për shtrimin e rrugës që të çon në kopshtin "Tafil Roli", i cili frekuentohej nga 112 fëmijë, ashtu siç kërkohej edhe sigurimi i shërbimit psikologjik dhe social, apo i edukatoreve ndihmëse, pasi në shumë prej kopshteve kishte fëmijë me aftësi të veçanta.

Eduaktiv zhvilloi një intervistë me nëndrejtoreshën e Qendrës së Arsimit pranë Bashkisë, Mimoza Shkurti, e cila u shpreh se po përpiqen për të siguruar bazën materiale dhe didaktike. Lidhur me nevojën për edukatoret ndihmëse, Shkurti tregoi se falë një fondi të Bashkisë, në pjesën më të madhe të këtyre kopshteve ishin caktuar edukatore mbështetëse. Sipas saj, duhen më shumë trajnime për to.

"Jemi pothuajse shumë të kënaqur nga kjo nismë që ne kemi marrë, vetëm do të donim nga ana juaj si organizatë, te na ndihmoni që këto edukatore të kenë trajnimin e tyre, ndoshta në kohë dhe momente të caktuara, sepse realisht është e nevojshme shumë një trajnim", u shpreh Shkurti. 

Për të parë nga afër punë e edukatoreve, ne vizituam kopshtin "10 korriku". Drejtoresha Zhaneta Olldashi na tregoi se ky është një kopsht me tradita dhe vlera qytetare, për shkak të vendndodhjes dhe historikut të tij. Si një nga godinat më të hershme, këtij kopshti i nevojiteshin sidomos ndërhyrjet në infrastrukturë.

"Ky kopsht ka pasur edhe përmbytje. Emergjencat kanë qenë, s'kanë munguar dhe vitin që kaloi kishim përmbytje shumë në katet e para. U morën masa përnjëherë dhe fëmijët filluan frekuentimin në kopsht, por që gjithmonë jam në kërkim e sipër që të merret masë për restaurimin e çatisë, rafteve të kopshtit, pajisjen e fëmijëve me mjete materiale dhe didaktike", u shpreh Olldashi. Drejtoresha theksoi sidomos nevojën e edukatoreve ndihmëse, pasi në kopsht kishte 3 fëmijë me aftësi të veçanta.

Në këtë kopsht ndiqej metoda "Rexhio Emilia", prandaj edhe muret e kopshtit ishin plot me projekte dhe tematika të ndryshme. Edukatorja Shqiponja Fero, ndau me Eduaktiv më shumë nga puna e saj e përditshme.

"Kemi vite që kemi filluar me këtë projekt. Është shumë i bukur, metoda e mësimdhënies në projekt është shumë kreative për fëmijët, është frytdhënëse, pasi fëmijët punojnë në grup. Temat të cilat ne i kemi kapur gjatë projekteve dalin gjatë asamblesë së mëngjesit, që zhvillojmë me fëmijët. Kemi pasur projekte shumë të bukura, një ndër të cila është edhe qyteti ynë", tregoi Ferro.

Ne u larguam me dëshirën për tu rikthyer sërish. Sepse asnjëherë nuk mund të mërzitesh nga vlerat dhe bukuria e këtij qyteti. Por mbi të gjitha, u larguam me dëshirën për t'u rikthyer sërish, për t'iu përgjigjur kërkesës së edukatoreve për zhvillimin e trajnimeve. Ndarja e eksperiencave dhe metodave të reja, do t'i ndihmojë ato të përballojnë sfidat e punës, në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve.

Rrëfimi i Fjorza Mullajit: Të rrisësh dhe edukosh ...
Pakti për Universitetin, sa zgjidhje marrin 8 kërk...

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD