Arsimi Parashkollor në Vlorë, kopshtet me mbi kapacitet fëmijësh - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Korca

Arsimi Parashkollor në Vlorë, kopshtet me mbi kapacitet fëmijësh

B2ap3 Large IMG 0001

 Është bukur të flitet për Vlorën turistike, për detin dhe plazhet. Vëmendja është shtuar në këtë drejtim, duke e bërë një destinacion të preferuar. Por e njëjta vëmendje, duhet kushtuar edhe për aspekte të tjera të jetës dhe zhvillimit. Një pikë e nxehtë, jo vetëm për këtë Bashki, por për të gjithë Shqipërinë mbetet arsimi dhe sidomos ai parashkollor. Bashkia e Vlorës ka 49 kopshte dhe 3 çerdhe brenda qytetit.

Në tetor, Eduaktiv realizoi një takim me drejtoreshat e çerdheve dhe kopshteve, në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku u evidentuan shumë problematika, në të cilat prevalonte mbi kapaciteti. Pothuajse në të gjitha kopshtet, kryesisht brenda qytetit kishte një fluks të lartë fëmijësh dhe ambiente të pamjaftueshme për qëndrimin e fëmijëve. Drejtoreshat dhe edukatoret i paraqitën këto probleme gjatë takimit, por nuk pranuan që t'i rrëfejnë para kamerës.

Sipas të dhënave të formularëve që ato plotësuan me informacionet e përgjithshme për kopshtet, gjendja paraqitej më emergjente, sidomos në kopshtin Nr. 8, i cili frekuentohej nga 105 fëmijë, pavarësisht se kapaciteti ishte për 60. Ishte premtuar për zhvendosjen e kopshtit, por ai gjendej ende në katin e dytë të një pallati 9 katësh, duke mos plotësuar asnjë standard të Arsimit Parashkollor. Sipas drejtoreshës, ky kopsht kishte vetëm 1 tualet dhe nuk kishte fare dhoma gjumi, pavarësisht se ishte me drekë.

Emergjente paraqitej gjendja edhe në kopshtin "Lefa Sallata". Sipas drejtoreshës, godina ishte jashtë standardeve, nuk kishte kushte hijeno- sanitare dhe as dritë. Frekuentohej nga 95 fëmijë, ndërkohë që kapaciteti normal ishte 60, mes të cilëve ndodheshin edhe 2 fëmijë me aftësi të veçanta.

Mbi kapacitet ishte edhe kopshti Nr. 10, pasi kishte 223 fëmijë, nga 160 që ishte kapaciteti optimal. Sipas drejtoreshës, aty mund të bëhet një shtesë e godinës, sepse ka hapësirë të mjaftueshme. Dhe mbi të gjitha duhej vendosur një kënd lojërash.

Në kopshtin Nr. 1 ishin 180 fëmijë që e frekuentonin, nga 130 që ishte kapaciteti optimal. Përveçse duhej eliminuar lagështira, nevojiteshin ambiente të tjera, pasi të gjitha aktivitete (mësimi, ushqimi, loja) kryheshin në një dhomë të vetme.

Kopshti Nr. 2, frekuentohej nga 160 fëmijë, nga 110 që ishte kapaciteti optimal. Sipas drejtoreshës, në këtë kopsht nevojiteshin shtretër, ujë i ngrohtë, madje godina duhet të restaurohet totalisht, për shkak se kishte lagështirë.

Në të njëjtën vazhdë të problematikeve qëndronin edhe kopshtet Nr. 7, i cili nuk kishte psikologe dhe as infermiere, kopshti Nr. 15, për të cilin drejtoresha sugjeronte që të kthehej me drekë. Në kopshte të tjera kërkohej më shumë bazë materiale e didaktike dhe sidomos lodra, për argëtimin e fëmijëve.

Lidhur me kushtet dhe gjendjen e çerdheve, ne realizuam një intervistë, me drejtoreshën e çerdheve, Anjeza Shito, e cila tregoi se nuk kishte probleme për kapacitetin. Secila çerdhe kishte respektivisht nga 30 fëmijë dhe një staf të konsiderueshëm edukatoresh.

"Ambientet janë të përshtatshme dhe me hapësirë të mjaftueshme për ambient ndenjeje, ushqimi dhe fjetje të fëmijëve. Janë ambiente që rrihen nga dielli në çdo moment të ditës dhe kanë hapësirë para çerdheve, që fëmijët në kohë të mirë të frekuentojnë hapësirat publike me edukatoret, për të pasur kontakt me ajrin dhe të mos jenë vetëm në ambientet e mbyllura", u shpreh Shito.

Këtë vit, në këto çerdhe ishte përshtatur programi edukativ i bashkisë së Tiranës, duke organizuar në të tillë mënyrë edhe punën e edukatoreve. Për trajnimin e kujdestareve, Shito tregoi se nuk janë realizuar, por ato janë me eksperiencë

"Trajnime në dijeninë time nuk ka pasur, por stafi ka goxha eksperiencë dhe këtë pjesën e trajnimeve nuk e kanë pasur të nevojshme. Në kërkesat e ndryshme që unë ju paraqes për nevojat që ato kanë, nuk ma kanë reflektuar këtë nevojë", tha Shito.

Ndërtimi i një sistemi funksional për mbrojtjen e ...
Çfarë ndodh me çerdhet dhe kopshtet e Kukësit

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD