Aktiviteti përmbyllës në Durrës, Eduaktiv prezanton punën kolosale me 1300 çerdhe dhe kopshte të vendit. Eduaktiv zhvillon aktivitetin përmbyllës në Durrës, krijon adresarin për 1300 kopshte dhe çerdhe në vend. - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Tirana

Aktiviteti përmbyllës në Durrës, Eduaktiv prezanton punën kolosale me 1300 çerdhe dhe kopshte të vendit. Eduaktiv zhvillon aktivitetin përmbyllës në Durrës, krijon adresarin për 1300 kopshte dhe çerdhe në vend.

Në kuadër të projektit 'Liberi' të mbështetur nga "Lëviz Albania", Eduaktiv po vijon me aktivitetet përmbyllëse në disa nga Bashkitë kryesore të vendit. E nisëm këtë javë me Bashkinë Durrës për të vijuar më tej edhe me qytete të tjera si Saranda, Kukësi dhe Tirana ku do të prezantohet puna që është bërë deri më tani në kuadër të gjithë projektit. Në aktivitetin që u zhvillua në Bashkinë Durrës (në sallën e Këshillit Bashkiak), morën pjesë përfaqësues të sektorit të Arsimit dhe Kulturës në Bashki, edukatorë të çerdheve dhe kopshteve, drejtues të këtyre institucioneve, prindër që i kanë fëmijët e regjistruar në çerdhe dhe kopshte, por edhe përfaqësues nga arsimi i lartë.

Prezantimi i punës së Eduaktiv

Në nisje të aktivitetit, koordinatorja e "Eduaktiv", Ariola Memia bëri një përmbledhje të objektivave dhe punës së "Eduaktiv" sa i përket çerdheve dhe kopshteve, duke nënvizuar faktin

se në platformë janë listuar rreth 1300 çerdhe dhe kopshte në të gjithë vendin, ku tashmë secili ka profilin dhe pasqyrën e vet informative. "Është bërë një punë e madhe në hartimin dhe hedhjen e një databaze të të gjithë kopshteve dhe çerdheve në rang Republike. Siç mund ta shihni edhe përmes platformës online janë rreth 1300 kopshte dhe çerdhe të listuara në të gjithë vendin, ku secili ka profilin e vet. Përveç emërtimit janë shumë të dhëna interesante që nga kapaciteti, te kostot, politikat e institucionit, kurrikulat edukative, dhe facilitete të tjera si harta e vendndodhjes etj.

Duhet nënvizuar fakti që në profilet e kopshteve dhe çerdheve janë të publikuara edhe eksperiencat dhe vlerësimet që vetë prindi ka bërë për një çerdhe apo kopësht të caktuar. Kjo vlen për secilin nga 1300 kopshtet. Ne synojmë që t'u vijmë në ndihmë sidomos prindërve që të kenë akses dhe informacion mjaftueshëm, pra një pasqyrë reale të përgjithshme të të gjithë çerdheve dhe kopshteve dhe në këtë mënyrë të bëjnë zgjedhjen e duhur për fëmijën e tyre. Kjo si pjesë e projektit sigurisht dhe me mbështetjen e Lëviz Albania" .

Opinionet e prindërve dhe edukatorëve

Rudina Aliko, e ftuar në panel si prind i tre fëmijëve foli për kopshtin 'Fidanishtja' në Durrës. Në fjalën e saj gjatë panelit të diskutimeve ajo shprehu si shqetësim çështjen e mbipopullimit të kopshtit pasi vit pas viti sa vjen dhe po shtohet numri, duke krijuar vështirësi në menaxhimin e punës për edukimin e fëmijëve. Sa i përket pjesës tjetër që lidhet me mësimdhënien, kurrikulat dhe kujdesin e treguar nga edukatorët kundrejt fëmijëve znj.Rudina tha se ishte e kënaqur.

Problemi i mbipopullimit u evidentua edhe nga Miranda Mosho drejtoreshë e kopshtit
"Abedin Dino" në Durrës, e cila theksoi se duke qenë i vetmi kopsht publik në zonën e plazhit ka pasur dyndje të madhe të fëmijëve, por nisur nga kërkesat që janë bërë është mundësuar shtimi i grupeve të reja në kopësht. "Nëse kemi punuar dhe me një numër të madh me 60 fëmijë në një grup tashmë grupi i fëmjëve sa vjen dhe zvogëlohet, fëmijët punojnë më lirshëm, prindërit janë të kënaqur. Rritja e cilësisë vjen gjithmonë duke pasur një numër të kufizuar fëmijësh në grup, por primare për ne është edhe prezenca e mësuesve ndihmës sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuar" ,-tha drejtoresha Mosho.

Përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak

Fjalën në aktivitet e mori edhe Natasha Paço, kryetare e Komisionit të Arsimit dhe Kulturës në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Durrës e cila shprehu vlerësimin e saj për platformën e Eduaktiv në drejtim të përmirësimit të edukimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe. Ajo theksoi se në mbledhjet e Këshillit Bashkiak gjithmonë çështjet e arsimit kanë pasur prioritet sa i përket diskutimeve dhe zgjidhjeve konkrete. "Ne i vlerësojmë të gjitha projektet që sillen për miratim në Këshillin Bashkiak dhe që kanë lidhje me arsimin apo shëndetësinë. Çfarëdolloj propozimi që ka ardhur nga stafi i Bashkisë që ka të bëjë me çerdhet, kopshtet, në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, rikonstruksionin, shtimin e numrit të edukatorëve etj.

Të gjitha këto nisma ne këto i kemi miratuar pa asnjë hezitim sepse mendojmë që çdo investim që bëhet për arsimin është një investim që vlen sepse bëhet për fëmijët tanë dhe për brezin e ardhshëm" , -tha zonja Paço.

Investimet e Bashkisë Durrës për çerdhet dhe kopshtet

Nikoleta Rusha, përgjegjëse e sektorit të Arsimit prej 3 vitesh, pranë Bashkisë Durrës u ndal në projektet dhe investimet që Bashkia Durrës ka bërë dhe ka në plan të realizojë për çerdhet dhe kopshtet në këtë qytet. Nisur dhe nga shqetësimi i prindërve për mbipopullimin në këto institucione znj.Rusha tha se Bashkia Durrës po fokusohet kryesisht në ndërtimin e kopshteve të reja për ti dhënë zgjidhje këtij fenomeni, ku sfida është që të shkohet dalëngadalë drejt uljes së problemit të mbipopullimit, me 1 edukator për 18-25 fëmijë. "Ndërtimi i godinave të reja është një nga pikat kryesore që do çojë në uljen e numrit të fëmijëve në grup sepse është e pamundur që numri i fëmijëve të ulet në mënyë tjetër. Në 3 vitet e fundit janë hapur kopshte të reja si
"7 Marsi" dhe "Durrësi i Ri", duke ulur numrin e fëmijëve në grupe. Po punojmë frontalisht veç ndërtimit edhe me rikonstruksionet në disa institucione. Në këtë drejtim i kemi mbyllur pothuajse të gjitha çerdhet sa i përket rikonstruksionit. Çerdhja e fundit është ajo "Shkozet" dhe mendojmë që vitin tjetër të mbyllim të gjitha kopshtet, duke i marrë të gjitha më radhë. Çdo transformim i tyre është i dukshëm, por puna jonë nuk mbaron vetëm me ndërtime të reja dhe rikonstruksion por vazhdon me mirëmbajtjen e të gjitha gjërave që ne bëjmë; vijon me shtimin dhe cilësinë e personelit edhe atij ndihmës, që kohët e fundit ka kaluar si funksion i Bashkisë" ,
-tha zonja Rusha,
ndërsa shtoi më tej se Bashkia Durrës do të bëjë të mundur shtimin e mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe në kopshte. Por përmirësime janë bërë edhe në drejtim të cilësisë së sigurisë dhe ushqimit, ku shumë shpejt do të fillojë tenderimi për menunë e re.

Një pikë tjetër në të cilën u ndal znj.Nikoleta Rusha ishte edhe lehtësimi apo përgjysmimi i pagesave për disa kategori në nevojë, duke vijuar edhe me përkrahje të vazhdueshme në vitet që pasojnë. Për herë të parë këtë vit do të shpërndahen edhe mjete të reja didaktike, duke u munduar të hiqet çdo lloj detyrimi që kanë pasur prindërit në çerdhe dhe kopshte.

Përfaqësuesit e Arsimit të Lartë

Elda Zotaj, lektore dhe shefe e Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin "Aleksandër Moisiu" në Durrës theksoi se platforma 'Eduaktiv' është një risi në vendin tonë sepse jep informacion të përgjithshëm jo vetëm për nivelin e parë dhe të dytë (çerdhet dhe kopshtet), por tendenca është që të krijojë një panoramë më të plotë për vijimin e cikleve të tjera të studimit. "Edukimi i fëmijëve i të gjithë brezit të ri është i rëndësishëm sepse ne kontribuojmë për individët që formojnë shoqërinë e së nesërmes, prandaj ne si prindër jemi shumë të interesuar të dimë se ku i çojmë fëmijët tanë. Pra, të kemi një informacion paraprak për të marrë më të mirën. Shpesh ne pyesim njëri-tjetrin për eksperiencat tona lidhur me edukimin e fëmijëve, por kjo platformë ofron më shumë se kaq, ofron jo vetëm më shumë informacion për prindërit e rinj por edhe për ata që kanë patur mundësi të kenë akses në këto institucione në mënyrë që të japin përshtypjet dhe vlerësimin e tyre për institucionet arsimore. Kjo e bën më të besueshme platformën Eduaktiv" , -tha Zotaj, ndërsa bëri apel që komuniteti i prindërve të jetë më aktiv, pasi institucionet e arsimit nuk mund ta realizojnë punën e tyre nëse nuk kanë mbështetjen dhe suportin e komunitetit të prindërve. Këta të fundit sipas saj jo vetëm duhet të ndajnë problemet dhe shqetësimet, por edhe ti adresojnë në vendet e duhura. "Ne si prindër duhet të formojmë një komunitet të fortë dhe kjo platformë e ofron këtë mundësi që edhe prindi të jetë pjesë aktive e këtyre institucioneve, pra platforma i shërben të githëve dhe rrit cilësinë, duke njohur dhe adresuar problemet", -tha Zotaj.

Ashtu si në Bashkinë Durrës, Eduaktiv do të vijojë me tre aktivitete të tjera në Bashkitë Sarandë, Kukës dhe Tiranë, për të prezantuar edhe një herë qëllimin, objektivat, risinë e projektit dhe për të treguar gjithashtu se çfarë pune konkrete është bërë me 1300 institucione të arsimit parashkollor në të gjithë Shqipërinë.

Eduaktiv në Sarandë, prindërit: Mbipopullimi dhe m...
Përkujdesja ndaj fëmijës.

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD