“Tre ketrushat” e Sarandës, një kopsht që duhet treguar - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Berati

“Tre ketrushat” e Sarandës, një kopsht që duhet treguar

B2ap3 Large Kopsh 20190117 135243 1

Eduaktiv ka udhëtuar në disa qytete të Shqipërisë, për të marrë informacion për çerdhet dhe kopshtet. Në shumë kopshte gjendja ishte e mjerueshme, pa bazë materiale dhe didaktike, por nuk kanë munguar as rastet pozitive, kopshtet me standarde, me hapësira, lojëra e kushte normale për zhvillimin e fëmijëve. Për një të tillë do ju tregojmë në këtë shkrim, për kopshtin "Tre ketrushat" në qytetin e Sarandës, brenda godinës të së cilit ndodhej edhe çerdhja. 

Zgjedhja e këtij kopshti, nuk ishte e qëllimshme. Në takimin që zhvilluam me drejtoreshat dhe edukatoret e çerdheve dhe kopshteve, dëgjuam prej tyre disa probleme vërtet shqetësuese dhe mëse te nevojshme për t'u zgjidhur. Një prej këtyre problemeve ishte zgjedhja e stafit të kujdestareve në çerdhe dhe formimi profesional që ato duhet të kishin. Sipas drejtoreshave, ato nuk mund të vinin nga një degë e ekonomisë, apo inxhinierisë, që nuk kishin lidhje fare me këtë institucion, me mësimdhënien, me kujdesin ndaj fëmijëve, nevojave dhe specifikave të tyre. E kjo gjë duhet të ndryshonte. Një tjetër çështje mjaft problematike, që drejtoreshat nuk pranuan ta thoshin para kamerave, ishte menuja e fëmijëve. Kompanitë që furnizonin me ushqim çerdhet dhe kopshtet, zgjidheshin me tender dhe shpesh neglizhonin duke sjellë ushqime të një cilësie të dobët.

Në përfundim të takimit, drejtoresha e çerdhes dhe kopshtit "Tre ketrushat", Eralda Kadena, na ftoi të shihnim nga afër kopshtin që ajo drejtonte. E veçanta e kësaj godine ishte, se ndodhej në hyrje të Sarandës, duke qëndruar mbi të gjitha ndërtesat e tjera të qytetit, larg zhurmës së makinave apo rrëmujës së lëvizjeve dhe njerëzve. Shihte në pëllëmbë të dorës të gjithë Sarandën, që zbriste poshtë kodrës, derisa prekte detin dhe pamja pastaj merrte të njëjtën ngjyrë e zgjatej në pafundësi.

Drejtoresha na "paralajmëroi" se për të hyrë në kopsht, duhet të kalonim disa pengesa, asgjë më shumë se 94 shkallë. E kjo na bëri kuriozë më shumë, se si ata fëmijë ngjisnin dhe zbrisnin çdo ditë ato shkallë, pa u bezdisur, pa u lodhur, e pa hequr dorë nga kopshti. Kështu që me shumë dëshirë edhe ne i ngjitëm dhe nuk u penduam aspak, pasi na pëlqeu shumë ajo që gjetëm. Pamë një kopsht të bukur, me standarde, të ri, të pastër, të mirë organizuar dhe të zbukuruar më së miri nga edukatoret.

"Ky institucion është vënë në funksionim para dy vjetësh, është me standarde shumë të mira, si për ambientet e brendshme, ashtu edhe për ato të jashtme. Kapaciteti është për 50 fëmijë, por për momentin ka më shumë, për shkak të kërkesave të larta. Punojnë 4 edukatore, bashkë me drejtuesen. Jemi në pritje të një edukatoreje tjetër, për shkak se një grup funksionon me ushqim. Pothuajse në çdo grup kemi një fëmijë me aftësi ndryshe, madje edhe në çerdhe kemi 1 fëmijë", tregoi Eralda Kadena.

Prej 15 vjetësh ajo punon si edukatore. Me ndërtimin e "Tre ketrushat", u caktua drejtore e këtij kopshti, ndërkohë që plotëson edhe orët si edukatore. A është mërzitur ndonjëherë prej kësaj pune?

"Pavarësisht se është e lodhshme, gjëja më e bukur është kur merr një buzëqeshje spontane, një përqafim prej fëmijëve dhe aty i harron të gjitha. Ne jemi të privilegjuara, pasi prindërit na lënë gjënë më të rëndësishme të jetës së tyre. Vlerësimi, buzëqeshja dhe dashuria e fëmijës, është gjithçka. Kur i merr ato, shkon e lumtur në shtëpi", tha Kadena.

Pasi përshëndetëm fëmijët, të cilët më shumë se të çuditur, ishin të interesuar për mysafirët e rinj, iu hodhëm një sy dhomave të gjumit, me krevate të vendosur aq rregullisht, sa të vinte dëshira për të qenë edhe njëherë fëmijë. Përshëndetëm kuzhinieret, të cilat në vaktin e drekës, me shumë mirësjellje na bënë ftesën për të ngrënë. Qëndruam duke vëzhguar tërë Sarandën e detin e saj, e pastaj zbritëm sërish në ato 94 shkallë. 

Në fakt, do të donim t'i ngjisnim dhe zbrisnim në çdo qytet të Shqipërisë të njëjtat shkallë, mjafton që të shihnim se fëmijëve, shqiptarëve të së nesërmes, do t'ju sigurohej një e sotme e shëndetshme dhe edukuese. 

Logoped Erges Esiku: Zhvillimi i fëmijëve, pse duh...
Pse është i nevojshëm shërbimi psiko- social në in...

Artikuj të ngjashëm

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD