Pse duhet dërguar fëmija në institucionet e arsimit parashkollor - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Durresi

Pse duhet dërguar fëmija në institucionet e arsimit parashkollor

B2ap3 Large Home2

Arsimi parashkollor nuk bën pjesë në arsimin e detyrueshëm, siç është arsimi bazë dhe i mesëm. Pavarësisht kësaj, çerdhet dhe kopshtet nuk janë të panevojshme. Këto institucione janë të rëndësishme për formimin dhe zhvillimin e fëmijëve, qoftë nga ana fizike, mendore, sociale, por edhe akademike. Në këto institucione, fëmija merr bazat e para dhe përgatitet për të hyrë në shkollë.

"Studimet kanë treguar që përgatitja e fëmijëve për në shkollë fillore, fillon shumë më herët sesa kur ata janë 5 vjeç. Në fakt kjo përgatitje fillon që nga lindja dhe zgjat gjatë gjithë periudhës së fëmijërisë së hershme. Stimulimet dhe ndërhyrjet e hershme janë shumë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme tek fëmijët dhe efekti i tyre reflektohet fuqishëm në periudhat e mëvonshme të zhvillimit", thuhet në "Standardet e zhvillimit dhe të nxënit të fëmijëve 3-6 vjeç", dokument i përgatitur nga MAS, IZHA dhe UNICEF.

Institucionet e arsimit parashkollor, nuk janë si dikur, kur fëmija shkonte për të kaluar kohën, për të luajtur apo si nevojë e prindërve, për të pasur kohë për të punuar. Këto institucione zhvillojnë dhe përmirësojnë kurrikula dhe programe, të cilat i shërbejnë zhvillimit dhe të nxënit të fëmijëve.

Fëmija është një qenie që mëson në vazhdimësi, kështu që sa më edukativ, mësimdhënës, argëtues të jetë mjedisi i rritjes, aq më i suksesshëm do të jetë zhvillimi i tij. Zhvillimi i një fëmije që frekuenton çerdhen dhe më pas kopshtin, me një tjetër që rri në shtëpi, nuk është i njëjtë. Ata që nuk shkojnë në sistemin parashkollor, do ta kenë më të vështirë përshtatjen në shkollë, sepse kanë mangësi në fushat zhvillimore.

Më poshtë, po ju japim disa arsye, pse prindërit nuk duhet të privojnë fëmijët, nga e drejta për tu rritur në këto mjedise edukative.

Nevoja e një edukatori

Edukatorja është e arsimuar për tu kujdesur për fëmijët dhe për të drejtuar zhvillimin e tyre social dhe mendor. Ajo i njeh më së miri fushat e zhvillimit dhe të nxënit të fëmijës, kështu që në përputhje me moshën përkatëse, ajo organizon aktivitete të ndryshme, lojëra, lexime, veprimtari, që ndikojnë në rritjen dhe mirëqenin e fëmijës. Prindërit nuk mund ta kryejnë plotësisht rolin e një edukatoreje.

 

Mirëqenia fizike dhe zhvillimi motorik

Gjatë frekuentimit të çerdhes dhe kopshtit, fëmija kryen një sërë aktivitetesh, që ndikojnë në zhvillimin motorik dhe fizik të tij. Ai koordinon muskujt, përdor gishtat dhe duart, përdor shqisat, gjatë ndërveprimit me mjedisin rrethues. Në çerdhe dhe kopsht, fëmija bëhet pjesë e disa aktiviteteve fizike, lojërave, lëvizjeve, të cilat rrisin mirëqenin e tij fizike. Fëmija është në gjendje të bëjë dallimin mes objekteve të dëmshme dhe shmang situata që mund ta lëndojnë. Mendojeni pak sa i shëndetshëm do të jetë një fëmijë që rri gjatë gjithë kohës para televizorit apo kompjuterit, që nuk luan jashtë, që nuk rrëzohet apo nuk ndan lojëra me fëmijët e tjerë.

 

Zhvillimi social dhe emocional

Aspekti më i rëndësishëm i gjithë aktivitetit parashkollor, është socializimi. Fëmijët në çerdhe dhe kopsht mësojnë aftësitë sociale, mësojnë të ndajnë, të bashkëveprojnë, mësojnë të falin, mësojnë të dëgjojnë, të flasin, të kërkojnë e të ndihmojnë njëri- tjetrin. Ata mësojnë të respektojnë më të rriturit, fëmijët e tjerë dhe mjedisin. Ata krijojnë afrimitet me edukatoret, me fëmijët e tjerë dhe kjo i bën më të afrueshëm e të dashur. Fëmijët përballen me situata të ndryshme dhe kjo i aftëson në të jetuarit në një komunitet, i bën që të fitojnë pavarësinë dhe të kenë më shumë besim në mjedisin e ri. Fëmija është në gjendje të dallojë personat e njohur nga të panjohur, është në gjendje të ndërveprojë me ta dhe të kërkojë ndihmë prej tyre. Ai shfaq aftësi vetëkontrolli dhe menaxhon emocionet e veta.

 

Zhvillimi gjuhësor, leximi dhe shkrimi

​Truri i fëmijëve është si një sfungjer, ai përthith çdo gjë që dëgjon. Nëse qëndron në shtëpi, ai nuk do të marrë informacionin të shumëllojshëm, pasi ju si prindër nuk do të keni kohën e mjaftueshme për t'i mësuar të shkruajë e të lexojë. Në çerdhe dhe kopsht, atij i krijohet mundësia të përthithë sa më shumë informacione, për shkak të interaktivitetit. Fëmija merr informacion për botën që e rrethon, drejtshqipton tingujt dhe shkronjat, shfaq interes për të lexuar. Ai mëson të flasë mirë, mëson shprehje gjuhësore, mëson mirësjelljen, mëson vjersha. Fiton sigurinë e të shprehurit dhe merr pjesë në biseda. Kur fëmijët shkojnë në klasë të parë, ata dinë të shkruajnë të paktën emrin e tyre, njohin shkronjat dhe numrat.

Zhvillimi njohës dhe njohuri të përgjithshme 

Në përfundim të ciklit të edukimit të arsimit parashkollor, fëmija ka zhvilluar disa sjellje, reagime, veprime që dëshmojnë se e njeh dhe kupton veten dhe të tjerët, kupton dhe pranon ndryshimet e bashkëmoshatarët. Fëmija mëson të përdorë njohuri të thjeshta në jetën e përditshme, të kujdeset në mënyrë të pavarur për higjienën vetjake dhe të mjedisin përreth. Pas frekuentimit të çerdhes dhe kopshtit, fëmija është në gjendje të krahasojë dhe vlerësojë ngjarjet, të identifikojë, emërtojë dhe grupojë format gjeometrike. Ai përfshihet në procesin e eksplorimit, vazhdon dhe përshkruan karakteristika të botës së gjallë dhe është në gjendje të nxjerrë konkluzione të thjeshta.

Përqasje ndaj të nxënit

Veprimtaritë në të cilat përfshihet fëmija në çerdhe dhe kopshte, e ndihmojnë të ndërtojë kuptimin për botën që e rrethon, përmes shfaqjes së kureshtjes, ndjenjës së përgjegjësisë, iniciativës për të krijuar, për të marrë vendime dhe përmes këmbënguljes. Pas shkuarjes në këto institucione, fëmija shfaq kuriozitetin për të mësuar gjëra të reja, shfaq interes për të përjetuar përvoja të reja, shfaq iniciativë, përdor aftësi krijuese dhe imagjinatën në aktivitete të ndryshme në çerdhe apo kopsht.

Ka një kosto

Dërgimi në këto çerdhe dhe kopsht, ka një kosto të caktuar, në varësi të institucionit, nëse është me ushqim ose pa ushqim. Në institucionet publike, për çerdhet, kostoja është 130 lekë/ditë, ndërsa për kopshtet është 160 lekë/ditë. Në institucionet private, kjo tarifë është e ndryshme, e përcaktuar nga vetë drejtuesit e këtyre institucioneve. Shumë prindër nuk janë në gjendje të mirë financiare, për të përmbushur këtë nevojë të fëmijëve.

Problemi i ndarjes

Problem më i zakonshëm që ndodh me dërgimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopsht, është ankthi i ndarjes nga prindërit. Disa fëmijë mund ta përjetojnë keq këtë ndryshim në jetën e tyre. Ata mund të shfaqin edhe probleme të rënda emocionale, e në këto raste është e këshillueshme nevoja e një specialisti, për të lehtësuar shkëputjen prind-fëmijë.

I ekspozuar ndaj sëmundjeve

Çerdhet dhe kopshtet janë mjedise publike dhe kolektive. Duke jetuar në një komunitet me shumë fëmijë, ekziston rreziku i ekspozimit të fëmijëve ndaj sëmundjeve dhe virozave. Zgjidhja në këtë rast, nuk është që fëmija të izolohet nga bota. Prindi, gjatë përzgjedhjes së institucionit, duhet të jetë i vëmendshëm, për të parë nëse plotësohen kushtet. Sipas "Standardeve për projektimin e kopshteve", në ndërtimin e kopshteve duhet të llogaritet ndërtimi i një dhome izolimi, për rastet kur fëmijët sëmuren.

Takimi në Bashkinë Berat, në kuadër të projektit “...
Si ta bëni fëmijën të bjerë në dashuri me librin, ...

Artikuj të ngjashëm

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD