Në kopshtin "Rrogozhinë", mes dashurisë dhe nevojës - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Elbasani

Në kopshtin "Rrogozhinë", mes dashurisë dhe nevojës

B2ap3 Large Rrogozhina 1

Në kuadër të projektit "Liberi", Eduaktiv udhëtoi në muajin nëntor në Rrogozhinë, qytetin që përgjysmon Shqipërinë. Për shkak të pozitës gjeografike, midis Durrësit, Lushnjës dhe Elbasanit, Rrogozhina ka qenë një nyjë e rëndësishme tregtare. Para viteve 1990, ajo ka qenë një qytet industrial, pasi ka pasur fabrikën e përpunimit të vajit, uzinën e zhveshjesh së pambukut, apo punishten e përpunimit të bimëve mjekësore. Në Rrogozhinën e sotme shiheshin vetëm gjurmët e së kaluarës, hijet e këtyre fabrikave të dala jashtë funksionit dhe pallatet e vjetra.  

Ne takuam në ambientet e bashkisë edukatoret dhe drejtoreshat e çerdheve dhe kopshteve, bashkë me përfaqësuesit e pushtetit lokal, ku ndamë së bashku disa prej shqetësimeve, në lidhje me institucionet arsimore dhe vështirësitë që hasnin. Kishte mes tyre, drejtoresha nga zonat administrative, që nuk gjenin mirëkuptimin e prindërve dhe mbështetjen financiare, për të plotësuar disa nevoja të fëmijëve. Kjo situatë jo dhe aq për faj të vetë prindërve, por më së shumti për shkak të gjendjes së tyre, aspak të mirë ekonomike.

Në institucionet e qytetit, pamja paraqitej pak më ndryshe dhe probleme të tilla nuk trumbetoheshin aq hapur, pasi kishte probleme edhe me emergjente, si ajo e rindërtimit të kopshtit. Ne patëm mundësinë, me ftesë të drejtoreshës Mimoza Bidaj, të vizitonim nga afër kopshtin "Rrogozhinë", që ndodhej në qendër të qytetit. Që në ambientet e jashtme, dukej që nuk kishte pamjen e një kopshti të lumtur, pa lojëra, pa rrethim dhe vetëm nga fëmijët e kuptoje se ajo ndërtesë u përkiste atyre. As nga brenda gjendja nuk ishte e mirë.

"Godina rrjedh dhe duhet të bëhet izolimi i çatisë. Po ashtu, rrethimi i kopshtit është i domosdoshëm, pasi nga një anë nuk është fare i siguruar dhe nga ana tjetër ka vetëm disa kangjella të vjetra, ku fëmijët mund të futen aty e të dalin në rrugë kryesore, për të mos menduar më të keqen,që të mbeten mes kangjellave. Na nevojiten lodra dhe mjete didaktike, për të argëtuar këta fëmijë, pasi ndonjëherë nuk mjafton vetëm dashuria. Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën tonë, por kemi nevojë për ndihmë për t'u zhvilluar", tha Bidaj.

Drejtori i Arsimit, Kulturës dhe Rinisë në Bashkinë e Rrogozhinës, Sokol Bakalli, na tregoi se zyra urbanistike e këtij qyteti po punon për përgatitjen e një projekti, për izolimin e çatisë së këtij kopshti. Por, derisa ky projekt të vihet në zbatim, edukatoret duhet t'i marrin masat vetë, e të kujdesen në mënyrën më të mirë të mundshme për fëmijët.

Drejtoresha Bidaj trokiste nëpër dyer fondacionesh dhe organizatash, për të gjetur sadopak mundësi, për të përmirësuar jetën e 200 fëmijëve, që argëtoheshin, mësonin dhe edukoheshin në këtë kopsht. Prej kohësh punonte si edukatore dhe pasioni e përkushtimi i saj, dukej jo vetëm nga pritja e fëmijëve, por në çdo fjalë që ajo thoshte për ta.

"Vitet e fundit jam emëruar si drejtoreshë, por unë e quaj veten edukatore, pasi kam një jetë që punoj kështu. Kam punuar me fëmijët me aftësi të kufizuar dhe ata egjiptianë, duke u munduar t'i integroj dhe t'i trajtoj të barabartë mes të tjerëve. Kam ngritur borde prindërish, që çdo gjë të bëhet të jetë transparente, e secili prej tyre të shikojë se çfarë ndodh", tha Bidaj.

Sipas saj, edukatorja duhet të jetë edhe psikologe, në mënyrë që të kuptojë fëmijët, e të dijë të sillet mirë me ta, duhet t'ju falë dashuri e t'i bëjë të lumtur. "Unë ulem edhe në gjunjë, sepse të jesh edukatore do të thotë të bëhesh e barabartë me fëmijët".

Teksa largohemi, ajo na kërkon vetëm një gjë, të mos i harrojmë e të rikthehemi, qoftë dhe vetëm për t'i kujtuar këta fëmijë.

Takimi i Eduaktiv në Pustecin e harruar
Logoped Erges Esiku: Zhvillimi i fëmijëve, pse duh...

Artikuj të ngjashëm

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD