Mësuesja e Vitit, Valbona Rustemi: Ju tregoj, se si punoj me fëmijët e mi! - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Shkodra

Mësuesja e Vitit, Valbona Rustemi: Ju tregoj, se si punoj me fëmijët e mi!

B2ap3 Large Valbona
Kush nuk e mban mend mësuesin e parë! Gjithmonë që flitet për shkollën, mendja të shkon te personi që të mësoi të mbash lapsin, të ngjyrosësh, të numërosh e të luash. Në fund të fundit, kjo është detyra e një mësuesi, të nxisë fëmijët, që të bëhen pjesë e shkollës, t'ju tregojë rrugën drejt dijes, t'ju rrëfejë të mirën dhe të keqen. Një rast të tillë, do t'ju tregojmë edhe në këtë intervistë. Duke qenë se shpesh janë bërë mediatike raste negative, harrojmë se ka mësues që vërtet meritojnë të vlerësohen.

Eduaktiv ka intervistuar mësuesen Valbona Rustemi, e cila u shpall në 2017 "Mësuesja e vitit për Arsimin Parashkollor", nga Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ajo na tregon eksperiencën e saj, si e nisi me fëmijët e deri te marrja e një roli kaq të rëndësishëm, atë të edukatores e më pas si mësuese parashkollori. Një rrugëtim i gjatë, i lodhshëm, por i realizuar me shumë dashuri dhe pasion, pasi vetëm kështu mund të jetë vërtet i vlefshëm.

Si ka qenë rrugëtimi juaj në arsim? 

Po e nis që nga arsimimi im. Gjatë viteve 1989- 1993 kam fituar të drejtën e studimit në Shkollën e Gjuhëve të Huaja "Asim Vokshi", dega Frëngjisht. Kam punuar si mësuese frëngjishteje në qytetin tim të lindjes, Pogradec. Në 2004 u futa në çerdhe si edukatore shumë rastësisht. Drejtoresha e çerdhes ku çoja gocën ma sugjeroi këtë gjë, prandaj nisa një drejtim të ri në jetën time. Kam punuar 11 vjet në çerdhen 56. Në 2005- 2008 vazhdova shkollën elartë: Mësuese e Ciklit të Ulët DegaParashkollor në Elbasan. Në kohën që u krijua Portali i parë për Mësuesit jam regjistruar dhe kam dalë e pesta në rrethin e Tiranës. Në prill 2015 më emëruan mësuese parashkollori në Kopshtin 19, ku kam punuar 2 vjet. Duke punuar me fëmijë me aftësi të veçanta më lindi nevoja të kualifikohesha për këta fëmijë.

Në 2015-2017 mbarova studimet në Master Profesional: Dega Pedagogji e Specializuar Sociale, e cila më ka ndihmuar shumë në punën time si mësuese.
Bëra kërkesë për të kaluar në klasat përgatitore, pasi më pëlqen puna me fëmijët, krijimtaria e tyre dhe punët e dorës. Kur më pyetën nëse kisha ndonjë preferencë për shkollën, ju thashë: "ku të kenë nevojë shkollat e Tiranës".

Ju tani punoni në shkollën 9-vjeçare "1 Qershori", në klasën përgatitore. Sa fëmijë keni aty?

Kam 31 fëmijë në klasë, por rregullisht e frekuentojnë 25. Është klasë e përzier, me fëmijë nga mosha 4.5 deri në 6 vjeç. Duke qenë se nuk bëhej një klasë e plotë, pasi vitin e kaluar kishte pasur shumë pak fëmijë, menduam se do të ishte më mirë të krijohej një klasë e përzier, duke qëndruar brenda numrit të vendosur në udhëzimin e ministrisë.

Çfarë problemesh keni pasur, gjatë punës suaj në klasë?

Zona ku ndodhet shkolla ka njerëz me probleme sociale, janë të divorcuar, janë romë, kanë vështirësi ekonomike, aq sa shpesh vijnë edhe pa lapsa. Kur shkova tek shkolla "1 Qershori", vura re se kishte diskriminim mes fëmijëve (të edukuar nga prindërit). Ishte deri në atë nivel sa fëmijët romë liheshin vetëm, në një tryezë të rrumbullakët. Ka prindër që më kërkojnë të mos i përziej fëmijët, por gjithmonë ju them: "I keni sjellë në shkollë dhe të gjithë fëmijët do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Nëse i mësoni që tani fëmijës të veçojë të tjerët, ai do të bëhet diskriminues kur të rritet. Mbi të gjitha, mua nuk më lejohet, sepse shkel ligjin, shkel të drejtën e atij fëmije, i bardhë apo me ngjyrë, jemi të gjithë të barabartë".

Një ditë m'u desh që t'ju tregoja historinë e çokollatës, të cilën e kam dëgjuar nga një prind në autobus. Vajza i ankohej nënës se nuk e donte shoqen e klasës, ngaqë ishte me ngjyrë. Ndërsa ajo ia ktheu: "Atë do ta duash ti, se është fëmijë si ty. Çokollatën a e hëngre mbrëmë? A ishte e zezë, pse e hëngre?" Më pas vajza u bind, se edhe pse ndryshojmë nga ngjyra, zakonet, jemi të barabartë. 

Sa hyra në atë klasë, krijova një mjedis të ngrohtë për çdo fëmijë: i bardhë, me ngjyrë, rom apo kushdo qoftë. Tani vijnë të qeshur, ndërkohë që më parë rrinin të ndrojtur. Po i ushqeu mësuesja me ndjenjën e veçimit që në kopsht, ashtu ka për të vazhduar edhe në shkollë, prandaj edhe romët shpesh braktisin shkollën.

A keni fëmijë me aftësi të veçanta?

Kam tre fëmijë me autizëm. Njëri është ende i paçertifikuar, bën zhurmë dhe prish orën e mësimit. Fëmija e ka përqendrimin në bisedën sipas temës ditore 15 min, pastaj fillojnë aktivitetet: Gjuha Shqipe, Matematika, Artet, Dituri Natyre, Edukim për Shoqërinë dhe Edukim Fizik. Prandaj i kam kërkuar nënës së tij që të rrijë me të në klasë, pasi ai nuk përqendrohet, do të dalë çdo moment jashtë. Që të përqendrohet ai fëmijë, më do afër vetes, por që të merrem vetëm me të, duhet të lë gjithë fëmijët e tjerë dhe më dalin jashtë kontrollit, humbin përqendrimin. Me dy fëmijët e tjerë me autizëm nuk kam shumë problem, pasi kanë përparuar falë trainimeve tek terapistët specialistë.  

A është e lodhshme puna e një mësuesi?

Të themi të vërtetën, arsimi është sa i bukur si profesion, aq edhe i lodhshëm. Ti konsumohesh gjatë ditës, sepse flet, je gjatë gjithë kohës në lëvizje, punon me çdo fëmijë. Pastaj shkon në shtëpi dhe duhet të përgatitesh sërish për ditën tjetër, se si do të realizosh programin. Je gjatë gjithë kohës duke menduar për punën, për të nesërmen, për fëmijët.

Na tregoni pak për çmimin "Mësuesja e Vitit për Arsimin Parashkollor". Si aplikuat dhe si arritët deri në marrjen e tij?

Aplikimi im ishte shumë rastësor. Njoftimin e kishte parë bashkëshorti në internet dhe më nxiti që të aplikoja. Plotësova pyetjet online, dërgova CV dhe hyra në konkurrim, në një juri prej 6 vetash, që nuk i njihja personalisht. U befasova kur hyra në 18 finalistet. Sigurisht që panë eksperiencën time, kualifikimet, çmimet e marra më parë. Edhe në çerdhe kam qenë dy herë edukatore e dalluar. Një herë më ka vlerësuar drejtuesja e çerdhes Nr. 56, sepse punimet që bëja unë bashkë me fëmijët ekspozoheshin tek Qendra Kulturore pranë Muzeut Kombëtar, ku kishte një sallë në të cilën prezantoheshin punimet e çerdheve të Tiranës. Po ashtu në testimin që u bë nga psikologet e QEZHEF, u vlerësova edukatore e dalluar, për rezultatet e mia dhe mora sërish një çmim.

Si u ndjetë që u vlerësuat mësuesja më e mirë? 

U ndjeva shumë e vlerësuar. Ishte mbi të gjitha një kënaqësi shpirtërore. Nuk kisha shumë besim se do të zgjidhesha, duke qenë gjithmonë ai mosbesimi ndaj konkurseve të tilla. Me këtë çmim u ndjeva shumë e vlerësuar, bëra krenare veten, për punën që kam bërë, duke ecur në gjurmët e tim ati, pasi edhe ai ka qenë mësues. Bëra krenare familjen, pasi edhe ata përkushtohen, angazhohen për të më ndihmuar në rastet që më duhet të realizoj aktivitetet edukative, për ta bërë mësimin e fëmijëve më atraktiv. Sidomos bashkëshorti im, përveçse një mbështetje morale, është aty duke asistuarme çfarëdolloj mjetesh që do më duhen në klasë: laptop, letra, libra. Çmimet janë stimul moral, e njëkohësisht një angazhim për t'i mbajtur e për të treguar se janë të merituara. Çdo gjë që e kam arritur në jetë e kam bërë me forcën time.

A keni bërë trajnime për të përmirësuar punën tuaj?

Kam bërë trajnime me kredite, për kurrikulën e bazuar në kompetenca, e cila është një risi në arsimin shqiptar. Ishte shumë ndihmues, pasi ne kemi ecur me kurrikulën me fusha zhvillimi. Kurrikula e bazuar në kompetenca e aftëson fëmijën atje ku është më i aftë, jo atje ku nuk arrin të bëjë dot. Duke punuar me fëmijën, ti e kupton se ku ka më shumë nevojë për ndihmë ose aftësi dhe pasi e identifikon mund ta ndihmosh që t'i zhvillojë më shumë këto aftësi.

Unë do të dëshiroja që të bëheshin trajnime jashtë vendit. I mësojnë me tjetër metodë fëmijët, ka më shumë disiplinë, më shumë rregull. Për mendimin tim, është e nevojshme që të bëhen trajnime edhe jashtë, të shkojnë edukatoret, mësueset, ose të vijë një grup pune e të tregojnë eksperiencat e tyre me fëmijët në punën e përditshme.

Çfarë këshille do t'ju jepnit mësueseve të reja?

Të futen në botën e fëmijëve, t'i konsiderojnë si fëmijët e tyre, edhe ato që s'kanë fëmijë, duhet të hyjnë në botën e tyre dhe të plotësojnë nevojat jetike të fëmijëve, se çfarë ai dëshiron. Nëse arrin të kuptosh këto nevoja, atëherë puna jote ecën shumë mirë. Nëse nuk e bën këtë, atëherë do të mbetesh një mësuese që i plotëson vetëm anën didaktike fëmijës, jo atë shpirtërore. Por nëse hyn më thellë, atëherë ai fëmijë do të vijë me qejf në shkollë. Unë i kam konsideruar si fëmijët e mi. Bëj një punë të madhe sidomos me fëmijët që janë të tërhequr, të veçuar dhe mundohem t'i angazhoj dhe t'i përfshij me tëtjerët.

Parimi im kryesor është që t'ju jap edukatën themelore,të bëhen qytetarë të denjë për vendin ku jetojnë dhe më gjerë, të duan e të respektojnë njëri- tjetrin, të shohin diversitetin si pjesë të jetës sonë të përditshme dhe të vlerësojnë aftësitë e tyre dhe të tjetrit. Shkronjat dhe numrat do t'i mësojnë me kalimin e kohës, por fillimisht duhet të mësojë vlerat qytetare, edukatën, të cilat do t'i shërbejnë për gjithë jetën. Nëse do të bësh punën e edukatorit dhe mësuesit, ose bëje me zemër, ose mos e merr fare mundimin. Unë kam punuar në çerdhe, kopsht dhe tani në klasën parashkollore, prandaj i njoh shumë mirë fëmijët.

Si arrin ta kuptosh botën e një fëmije dhe talentin që ai ka? 

Ka raste të ndryshme. Unë kam një vajzë që vizaton fustane kukullash, madje i kam sugjeruar prindërve të saj që ta ndjekin me kurse pikture, pasi ajo ka shumë talent për pikturë. Ka fëmijë që s'pranojnë të vizatojnë fare,por pëlqejnë lojërat matematikore. Mundohem pastaj t'ju evitoj lapsin e zi. Ka shumë fëmijë që shkarravisin me lapsin e zi. Dhe ngjyra e zezë ka të bëjë shumë me anën psikologjike të tyre, nuk ju duket bota që e rrethon shumë pozitive, shumë e bukur. Po ashtu, edhe madhësia e figurave tregon për botën e tyre shpirtërore. Fëmijët që vizatojnë figura të mëdha, në të gjithë fletën, ndjehen më të plotësuar, më të kënaqur. Fëmijët që bëjnë figura shumë të vogla, janë më të tërhequr. Shpeshherë i pyes fëmijët se çfarë duan të thonë me gjërat që vizatojnë, e aty kuptoj më shumë nga mënyra se si i shohin gjërat. Punimet e tyre, pastaj i ekspozoj në mur, pa përjashtim. Nuk them asnjëherë që e kanë bërë keq. S'ka rëndësi se çfarë kanë bërë dhe si e kanë bërë, ata duhen stimuluar.

Parimi im është që t'i stimuloj në të gjitha veprimtaritë që zhvillojmë. Përpiqem t'ia shpjegoj secilit në mënyrën dhe mjetet që ai e kupton më mirë. Nëse nuk i kap shpejt ushtrimet, atëherë i jap veprime me shkallë ë të ulët vështirësie, që të mos ndjehet keq në sytë e fëmijëve të tjerë. I stimuloj të gjithë fëmijët që të flasin, sepse gjithsecili ka të drejtën të shprehet.

Çfarë këshille do t'ju jepnit prindërve?

Jo të gjitha gjërat duhet t'ia plotësojnë fëmijës. Ka prindër që ju lejojnë çdo gjë fëmijëve dhe pastaj ju kërkojnë mësueseve t'i mësojë ndryshe. Por nëse unë ju vë rregull në klasë, ndërsa ti si prind nuk i zbaton ato në shtëpi, atëherë shembet komplet kufiri i rregullave. Shpesh prindërit justifikohen se ju japin çdo gjë fëmijëve, ngaqë bëjnë zhurmë. Por nëse përpiqen vazhdimisht të vendosin rregull dhe t'u tregojnë fëmijëve, se çdo gjë ka një kufi atëherë edhe fëmija do të ndryshojë.

A ka ndonjë prind që ju thotë 'faleminderit', për punën që bëni me fëmijët e tyre?

Po ka shumë prindër që e bëjnë. Në shkollën ku punoj e vlerësojnë shumë figurën e mësuesit. Kjo gjë më vendos më shumë para përgjegjësisë morale si mësuese. Prandaj shkoj dhe kthehem me qejf. Kam detyrën time si mësuese, kam klasën time, kam fëmijët e mi. Më përqafojnë kur vijnë në mëngjes, edhe kur ikin në drekë. Janë fëmijë të dashur, të vuajtur në kuptimin që nuk ju plotësohen të gjitha dëshirat dhe argëtimi që gjejnë në klasë, ju pëlqen dhe ju jep gëzim. Kjo më bën të punoj më shumë e të jem aty, sepse kanë më shumë se të gjithë nevojë për dashuri, për përkushtim, për edukim​.

Takimi në Bashkinë Tropojë, në kuadër të projektit...
Takimi i Eduaktiv në Pustecin e harruar

Artikuj të ngjashëm

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD