Logoped Erges Esiku: Zhvillimi i fëmijëve, pse duhet ndihma jonë - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Durresi

Logoped Erges Esiku: Zhvillimi i fëmijëve, pse duhet ndihma jonë

B2ap3 Large Erges Eskiu

Për logopedinë nuk flitet shpesh, pasi është një profesion i ri në Shqipëri. Për më tepër që në spitalet tona publike, ky shërbim është shumë i kufizuar dhe ai mund të gjendet vetëm nëpër qendra zhvillimi, apo spitale private. Por pse është i nevojshëm ky shërbim, çfarë problemesh trajton dhe si ju vjen në ndihmë prindërve dhe fëmijëve? Eduaktiv ka zhvilluar një intervistë me logopedin Erges Esiku, i cili prej 4 vitesh punon në spitalin privat Continental dhe Amerikan. Ai tregon se nevoja e një logopedi është e domosdoshme për zhvillimin dhe mirëqenien e një fëmijë, që të jetojë dhe bashkëveprojë me shoqërinë.  

Me çfarë merret një logoped?

Logopedi merret me çrregullimet e gjuhës dhe të folurit. Çdo fëmijë ose i rritur, i cili ka vështirësi në të shprehur, që nga një defekt shqiptimi (pamundësia për të thënë një shkronjë të caktuar, përshembull njërën nga shkronjat: S, R, Dh, L, Ll, G, K etj.) deri te individët që nuk artikulojnë asnjë fjalë, mund të drejtohen te logopedi për ndihmë.

Ky problem, në dukje kaq i thjeshtë, a mund të kalohet pa ndihmën e një specialisti?

Problemi nuk mbetet vetëm te mos thënia e një shkronje. Problemi është se ky defekt mund të stigmatizohet, e fëmija të bëhet objekt talljeje e të lëndohet. Në rastin e një defekti shqiptimi, një fëmijë me karakter të fortë, mund ta shpërfillë dhe ta kalojë. Por ka edhe fëmijë që e vuajnë më tepër, që stepen, humbasin besimin te vetja, ndihen të pasigurt.

Pastaj ka edhe probleme më të rënda me të cilat merret logopedi, si afazitë, paralizat cerebrale, autizmi, në të cilat është dëmtuar ana receptive dhe fëmija e ka shumë të vështirë ta thithë informacionin, ta përpunojë dhe ta shprehë atë që po mëson. 

A është i nevojshëm shërbimi i logopedit në çerdhe dhe kopshte?

Padiskutim që është i nevojshëm. Ne kemi dashur të nisim një projekt me DAR, për të bërë një depistim, se cilat mund të ishin nevojat dhe problemet e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte. Do të duhet të bëhej, pasi edhe problemet më të vogla në shqiptim, lënë njolla në psikikën e fëmijës, ose e pengojnë atë të bashkëveprojë me bashkëmoshatarët, e pengojnë në zhvillimin e të folurit, në zhvillimin motorik, në rritjen e përqendrimit, e pengojnë të mësojë vjersha në çerdhe dhe kopshte. Nëse fëmija bëhet pre e stimatizimeve, etiketimeve, atëherë ai do të ndjehet keq, do të mendojë se është i paaftë. Fëmijët që kanë problem me të folurit, dashur pa dashur krijojnë mure, duke mos u shfaqur në publik e duke mos ekspozuar difektin e vet. Një logoped në çerdhe dhe kopsht, mund të ndihmojë për problemet e vogla të shqiptimit, artikulimit, por edhe për fëmijët autikë, apo me prapambetje mendore.

Me çfarë rastesh jeni përballuar më së shumti, gjatë punës suaj?

Më së shumti jemi ballafaquar me autizmin. Duke qenë se është folur shpesh për të, prindërit janë më të gatshëm për ta pranuar dhe për të kërkuar ndihmë për ta rehabilituar apo trajtuar fëmijën e tyre. Problem tjetër është belbëzimi apo defektet e artikulimit, që ka të bëjë me pamundësinë për të artikulur shumë fjalë. 

Së fundmi po shtohet edhe bilingualizmi, si pasojë e ekspozimit të fëmijëve ndaj teknologjisë. Nëse një fëmijë deri në moshën 3 vjeç, mëson dy gjuhë, edhe shqip edhe anglisht, do të thotë që është shumë mirë, me një inteligjencë normale ose mbi normale. Por, në rastet kur fëmija mëson dy gjuhë, dhe nuk i riprodhon mirë ato, mund të bëhet shkak për "autizm". Duke mos pasur mundësi të japë dhe të marrë me mjedisin përreth, fëmija tërhiqet në vetvete. Kjo gjendje e fëmijës, nuk është pjesë në sferën e çrregullimit autik, por ndikon për keq në zhvillimin e fëmijës, në ndërtimin e marrëdhënieve sociale, në zhvillimin e gjuhës, humbet vetëbesimin në vetvete.

Si mund ta kuptojë një prind që fëmija ka nevojë për një logoped, çfarë shenjash shfaq ai?

Ka disa shenja, nëpërmjet të cilave prindi mund ta kuptojë. Në qoftë se fëmija në moshën 3-4 muajsh nuk bën gugatje, është një shenjë alarmi që nuk po shkon mirë zhvillimi i të folurës. Nëse deri më moshën 9 muajsh nuk ka filluar belbëzimet e para, mundet që të jetë një shenjë alarmi. Nëse deri në moshën 1 vjeç, nuk ka ardhur fjala e parë, mama ose baba që janë fjalë universale, prapë duhet të kemi një indice. Nëse fëmijën e moshës 1 vjeç, prindi e mban në krah, i këndon ose i buzëqesh dhe fëmija nuk e shikon fare, atëherë mund të kemi të bëjmë edhe me një çrregullim të spektrit autik. Nëse deri në moshën 18 muajsh, fëmija nuk thotë as 5 fjalë, është një shenjë alarmi që fëmija duhet të konsultohet me një logoped, ose të paktën një neuropediatër. Nëse deri në moshën 3 vjeç nuk ka as 50 fjalë, do të duhet sërish asistenca e një logopedi, pasi kemi të bëjmë me një defekt artikulimi.

Çfarë këshillash do t'i jepni një prindi, që ka fëmijë me të tilla probleme?

Në radhë të parë, do ta këshilloja që ta pranojë problemin e fëmijës së vet. Nëse e pranon dhe mobilizohet, atëherë është bërë një punë shumë e madhe. Në momentin që ne e pranojmë, atëherë vjen hapi pasardhës se çfarë duhet të bëjmë për ta tejkaluar. Së dyti, duhet të jemi sa më shumë motivues, besimplotë ndaj fëmijës, për çfarëdolloj problemi. Fëmija realisht arrin, edhe po ta ketë problemin e rëndë, mirëpo do kohë, prindi duhet të presë etapat e nevojshëm të mësimit të diçkaje të re. Edhe në momentin që fëmija, nuk arrin ta mësojë mirë, por bën përpjekje, duhet motivuar. Nuk them që fëmijën ta gënjejmë, por ta inkurajojmë që të përpiqet më shumë. 

Nëse fëmija po punon, ose po bën një veprim të caktuar dhe prindi i shkakton tension, vëmendja e fëmijës do të humbë. Ai mund të jetë duke provuar diçka të re dhe nëse ti e lë të qetë, ose i ofron një mjedis të ngrohtë, të pranueshëm, i tregon mbështetjen, atëherë ai do të jetë i fokusuar te objektivi i vet për ta realizuar. Por nëse ti shfaqesh mosbesues gjatë gjithë kohës, një buzëqeshje e munguar prej teje, ose një fjalë e thënë në pakujdesi, e pengon fëmijën. Nëse ka shkëputje të vëmendjes, mes asaj që po bën dhe asaj që do të perceptojë publiku (prindi, kujdestari, mësuesi etj), fëmija mendon më tepër për atë që mendojnë të tjerët, a do ta pëlqejë mami, a do ta pëlqejë mësuesja, apo do ta cilësojë si punim shumë të keq dhe nuk do të vlerësojnë përpjekjen e tij.

Në kopshtin "Rrogozhinë", mes dashurisë dhe nevojë...
“Tre ketrushat” e Sarandës, një kopsht që duhet tr...

Artikuj të ngjashëm

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 3443 420

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD