Cili është roli i mësuesit, në një institucion të arsimit parashkollor - Gjithmonë ka diçka për të mësuar
Shkodra

Cili është roli i mësuesit, në një institucion të arsimit parashkollor

B2ap3 Large Teacher Kids Painting

Arsimi parashkollor është i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijërisë së hershme. Në shkrimin e Eduaktiv, "Pse prindërit duhet të çojnë fëmijët në çerdhe dhe kopsht", kemi sqaruar të nxënit dhe zhvillimin që merr fëmija gjatë kësaj periudhe. Rritja dhe edukimii fëmijës është kompleks dhe nuk mund të asistohet plotësisht nga prindërit, prandaj nevojitet figura e mësuesit për arsimin parashkollor, apo edukatores, siç njihet gjerësisht. Për të ndërgjegjësuar sadopak prindërit, për nevojën e bashkëpunimit me stafin edukues, në këtë artikull, do të tregojmë punën që bën një edukatore me fëmijët. 

Mësuesi për arsimin parashkollor është një person i arsimuar dhe diplomuar, për të dhënë mësim në këto institucione. Në ligjin për Arsimin e Lartë, thuhet, se: "Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë "Bachelor", që formon mësues të arsimit parashkollor".

Sipas Nenit 56 të këtij ligji, mësuesi zotëron kompetenca themelore, në bazë të standardeve të të nxënit, duke përzgjedhur ndërmjet metodave dhe praktikave bashkëkohore më të mira, vendase e të huaja. Atij i jepet liri profesionale për zhvillimin e kurrikulës, i sigurohen kushtet për zhvillimin e mësimdhënies dhe i krijohet mundësia për zhvillimin profesional. Mësuesi duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e çdo fëmije, të zhvillojë kurrikulën, të përditësojë kompetencat profesionale dhe të zbatojë rregulloren e institucionit ku punon.

Për të përcaktuar e qartësuar më shumë rolin e mësuesit, IZHA në bashkëpunim me specialistë të fushës, ka hartuar dokumentin "Standardet profesionale të formimit të përgjithshëm të mësuesit të arsimit parashkollor". Duke ju referuar këtij dokumenti, do të tregojmë standardet që duhet të përmbushë mësuesi, në punën e tij me fëmijët. 

Zbaton kodin e etikës

Mësuesi njeh mirë kodin e etikës, që bazohet në vlerat universale: drejtësia, barazia, dinjiteti etj. Në këtë mënyrë, ai mirëpret prindërit dhe fëmijët, i trajton me respekt ata, pa i diskriminuar apo neglizhuar në kërkesat apo shqetësimet që shprehin. Mbron të drejtat dhe raportet konfidenciale të fëmijëve.

Bashkëpunon me kolegët, familjarët dhe anëtarët e komunitetit

Mësuesi është figura që përfaqëson institucionet e edukimit, kështu që prej tij pritet një sjellje shembullore brenda dhe jashtë mjediseve të punës. Duhet të ketë një bashkëpunim të mirë me kolegët për mbarëvajtjen e institucionit dhe duhet të bëhet pjesë e veprimtarive që zhvillohen. Mësuesi i arsimit parashkollor mirëpret prindërit e fëmijëve, mban një komunikim të ngrohtë dhe të rregullt me ta, për t'i informuar mbi ecurinë e fëmijëve në kopsht, apo të ndihmuar në rastet kur fëmija paraqet shqetësime. Mësuesi mundohet që t'i bindë prindërit të jenë pjesë e zhvillimit të fëmijëve, të marrin pjesë në veprimtari të ndryshme që organizohen.

Angazhohet në zhvillimin e vet profesional

Puna e mësuesit nuk mbaron vetëm me marrjen e një diplome, ai duhet të informohet vazhdimisht nëpërmjet zhvillimit të trajnimeve, për studime apo metodika të reja në mësimdhënie. Një mësues duhet të njohë mirë ligjet, udhëzimet, standardet që kanë të bëjnë me punën e tij. Ai harton një plan afatgjatë për zhvillimin e vet profesional, duke marrë pjesë në seminare e trajnime, duke përdorur literaturë të gjerë dhe burime të ndryshme për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Ndan përvoja dhe eksperienca me kolegë në të njëjtin institucion apo institucione të ndryshme, për të gjetur metoda efektive në edukimin e fëmijëve.

Zbaton dokumentacionin e ri kurrikular

Mësuesi ka njohuri për kurrikulën që përdoret në arsimin parashkollor. Ai është informuar për ndryshimet që ndodhin dhe planifikon kurrikulën në përputhje me zhvillimin moshor, psikologjinë dhe interesat e fëmijës. Nxit fëmijën që të jetë pjesë e veprimtarive që organizohen. Përdor larmi metodash e lojërash, duke ia përshtatur natyrës dhe specifikave të çdo programi lëndor.

Përditëson metodologjitë e mësimdhënies 

Mësuesi e zhvillon procesin mësimor, duke u bazuar në procesin moshor të fëmijës. Ai e njeh mirë aspektin didaktik dhe pedagogjik të mësimdhënies. Mësuesi përdor taktika, programe dhe metoda që ndihmojnë në zhvillimin dhe nxënien e fëmijës. Mësuesi njeh teoritë e zhvillimit të fëmijërisë dhe përdor literaturë bashkëkohore për përmirësuar mësimdhënien. Nxit fëmijët të mendojnë dhe arsyetojnë, nëpërmjet situatave të ndryshme të bashkëveprimit dhe të folurit. Mësuesi përdor metoda të larmishme mësimdhënieje, lojëra dhe veprimtari që japin rezultate pozitive te fëmijët, si dhe sigurohet që procesi të jetë sa më gjithëpërfshirës. Njeh dhe përdor programet kompjuterike, të cilat i përdor gjatë procesit të mësimdhënies

Njeh zhvillimin dhe mënyrat si nxënë fëmijët parashkollorë

Mësuesi njeh mirë natyrën e rritjes dhe të nxënit të fëmijës së moshës 3-6 vjeç. Ai përdor shumëllojshmëri praktikash dhe burimesh për të nxitur zhvillimin individual të çdo fëmije. Mësuesi zhvillon veprimtari që nxisin përparimin e fëmijëve, si dhe stimulojnë zhvillimin fizik, social, emocional dhe intelektual. Mësuesi monitoron veprimtarinë e fëmijëve dhe i ndihmon ata të bëjnë zgjedhje e të punojnë të pavarur. Mësuesi promovon fëmijët e talentuar, në veprimtari të ndryshme lokale e kombëtare.

Pranon dhe respekton diversitetin

Mësuesi i arsimit parashkollor duhet të respektojë dhe të trajtojë me dinjitet secilin fëmijë dhe familjen e tij. Ai i thërret të gjithë fëmijët në emër, identifikon ata që kanë vetëvlerësimin e ulët dhe mundohet t'i ndihmojë për të kapërcyer këtë hendek.

Mbrojtja fizike, shëndeti fizik dhe emocional

Një pjesë e madhe e punës së mësuesit në këtë rast, bëhet për të informuar prindërit. Ata duhet të njohin më shumë zhvillimin fizik dhe emocional të fëmijëve, kështu që mësuesi mund t'i informojë nëpërmjet përdorimit të broshurave apo materialeve përkatëse. Mësuesi zotëron konceptet për mjetet e kontrollit, për mbrojtjen e shëndetit dhe edukimit fizik të fëmijëve dhe është i trajnuar për rastet e emergjencës. Mësuesi merr masa që të sigurojë një ambient të sigurt dhe të pastër për rritjen e fëmijëve, dhe bashkëpunon me stafin e institucionit, mjek, psikolog, në rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta. Mësuesi merr masa për zhvillimin, mirëqenien fizike dhe emocionale të fëmijëve dhe zhvillon tema, që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

Mjedisi fizik

Mësuesi i arsimit parashkollor është përgjegjës për krijimin e një mjedisi pozitiv, mikpritës, të ngrohtë, ku fëmijët ndjehen mirë dhe kënaqen duke qenë në atë ambient. Mësuesi organizon ambientin e brendshëm të kopshtit, vendosjen e karrigeve, tavolinave dhe krijon hapësirë për zhvillimin e të gjitha veprimtarive, ndërsa në mjedisin e jashtëm krijon mundësi që ata të dalin, të luajnë, të çlodhen dhe të argëtohen me njëri- tjetrin. Në ambientin e brendshëm kujdeset që të pasurojë dhe ta bëjë sa më të larmishëm, si dhe kujdeset që të ketë hapësirë për vendosjen e të gjitha qendrave, të matematikës, muzikës, artit, etj.

Bën procesin e vlerësimit 

Një pjesë e rëndësishme e punës së mësuesit ka të bëjë me vëzhgimin dhe vlerësimin e përparimit të fëmijëve. Mësuesi duhet të jetë i vëmendshëm ndaj çdo reagimi, sjellje, apo veprimi që bëjnë fëmijët. Mësuesi përpiqet të njohë më mirë fëmijët, t'i vlerësojë ata, të mos përdorë fjalë ofenduese apo denigruese. Përpiqet të nxisë vetëbesimin e tyre, i vlerëson për punën e bërë, për arritjet, për procesin e të kuptuarit dhe të punuarit në grup. Mban një portofol, ku shënon të gjitha vëzhgimet e herëpashershme, për sjelljen dhe përparimin e secilit fëmijë.

Takimi në bashkinë Librazhd, në kuadër të projekti...
Takimi në Bashkinë Berat, në kuadër të projektit “...

Artikuj të ngjashëm

Cilat programe janë të përshtatshme për ty?

Zbulo programet dhe profesionet që të përshtaten më shumë.

Planifiko Maturën Tënde në Eduaktiv!

Plotëso notat, zgjidh 10 programet e studimit dhe zbulo probabilitetin për t'u shpallur fitues sa hap e mbyll sytë!

Sa para të nevojiten për studimet e tua?

Tashmë do të të duhet të menaxhosh ekonominë tënde personale

Adresa

Rruga "Bardhyl" Vila 20/1, Tiranë, Shqipëri

Kontakto Eduaktiv

Mobile: +355 69 2525430

Oraret

E hënë - E shtunë: 8 PD - 5 PD